Toni Bleri i kërkoi Bill Klintonit që të shkruante një artikull në gazetë, për të mbështetur kandidaturën e tij (e cila nuk kishte shumë shpresa) për presidencën e Këshillit Europian, sipas asaj që del nga emailet e lëshuar rishtaz. Ish kryeministri britanik dëshironte që ish presidenti i SHBA të shkruante një artikull mbështetës për “cilësitë e tij personale” që e bënin kandidatin më të mirë.
Por këshilltarët e Z. Klinton thanë se ai ndoshta do të thoshte jo dhe se nuk dëshironin që Bleri të kishte pritshmëri të mëdha nga miku i tij.
Emaili ishte një prej 7000 mesazheve të bërë publikë të HIlari Klintonit dhe që i përkasin kohës kur ajo ishte Sekretare Shteti.
Më shumë se 50 mijë emaile po publikohen gradualisht, të cilët Hilaria i kishte depozituar në serverin e saj privat, dhe jo në llogarinë zyrtare të emailit.
Emaili në lidhje me kandidaturën e Blerit për presidencën e BE i përket datës 29 tetor 2009, dhe iu dërgua Znj. Klinton nga Sidnei Blumental, një prej këshilltarëve të saj më të ngushtë.
Në email thuhet se këshilltari i lartë i Blerit, Xhonatan Pauell ka sugjeruar që Z. Klinton të “shkruajë një artikull me anë të të cilit mbështet Toni Blerin për presidencën e BE, në gazetën gjermane “Di Velt”. Më tej, ai shkruan: “Nëse do ta bëjë, unë sugjerojë që ta përfshijë në një diskutim mbi të ardhmen e Europës, nevojën që Europa të jetë e fortë si partnere e SHBA për shumë objektiva që kërkojnë një president të fortë: imperativat e politikave, ndryshimi i klimës, siguria, integrimi social etj., të gjitha të çojnë tek Bleri. Gjithashtu, nëse do të bëhet, duhet të përfshijë përshkrim dhe mbështetje të cilësive personale të Blerit për detyrën. Nuk mund të jetë indirekt”.
Dag Bend, një tjetër këshilltar i Znj. Klinton, shkruan se Z. Bler dhe Z. Klinton do të flasin atë mbrëmje. Ai shton: “Do ia përmend, por ma do mendja që ai do të thotë jo. Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm e të mos krijojmë shumë pritshmëri”.
Znj. Klinton bie dakord dhe thotë: “Mendoj se Billi dhe Toni do e zgjidhin vetë”.
Në fund, artikulli nuk u shkruajt.
Pas shumë spekulimeve, Bleri deklaroi se nuk është i interesuar për pozicionin e Presidentit të Këshillit Europian dhe u emërua i Dërguar Special për Paqen në Lindjen e Mesme, në emër të Kartetit (BE, OKB, SHBA dhe Rusi). /DM – Bota.al