Në atë që ishte një pritë e vërtetë e stilit ushtarake, forcat e rendit janë goditur nga të paktën tre snajpera të cilët kanë hapur zjarr në mënyrë të përsëritur kundër policëve, të reshtuar për të parandaluar që protestat të bëheshin të dhunshme.
Protesta e Dallasit ishte një nga shumë aktivitetet e organizuara në qytete të ndryshme të vendit pas vdekjes së dy afro-amerikanëve, të vrarë nga policia në Luiziana dhe Minnesota. Disa qindra njerëz ishin mbledhur për të marshuar drejt Bashkisë. Ora po i afrohej nëntës. Dhe përgjatë rrugës që çon në godinën e bashkisë, dhjetëra agjentë ishin të përgatitur për të parandaluar sulmet ndaj ndërtesave qeveritare.
Papritmas, sloganet e protestës u ndërprenë brutalisht nga goditjet e pamëshirshme të armëve të zjarrit. Snajperët, sic shpjegoi kreu i policisë së Dallas, David Broun, kishin qëlluar mbi “policinë nga pozicione të lartë”. Kështu, ndërsa turma u shpërnda në përpjekje për të mos u vrarë nga zjarri i snajperëve, të paktën një duzinë oficerësh mbetën të shtrirë përdhe. Pesë prej tyre vdiqën në vend, ndërsa gjashtë të tjerë u dërguan menjëherë në spital. Në mesin e të plagosurve, disa janë “në gjendje kritike”, aq sa është dashur t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.
Pas të shtënave, forcat e rendit kanë ndaluar tre persona. Një njeri tjetër është e fshehur në një garazh dhe ka kërcënuar se do të vrasë agjentë të tjerë, me bomba tashmë të vendosura në qytet. “Erdhi fundi”, thirri ai. Në internet është shpërndarë fotografia e një personi të dyshuar, një zezak i ri dhe trupmadh, i veshur me një bluzë ushtarake, që mban në dorë atë që duket si një armë gjahu. Sipas shefit të policisë, i cili u shfaq në një konferencë shtypi me kryetarin e bashkisë së Dallasit, demokratin Mike Raulings, të dy snajperat “kërkuan të plagosin apo vrasin një numër sa më të madh të mundshëm agjentësh policie”, prandaj kishin përgatitur një pritë dhe disa agjentë u vranë me plumba pas shpine.
Vala e protestave mbi vdekjen e Sterling Alton dhe Philando Castile është përhapur dje në qytete të ndryshme të SHBA. Në Çikago, protestuesit kanë bllokuar një pjesë të autostradës së Dan Ryan, një arterie kryesore e qytetit, për rreth 10 minuta. Në Nju Jork, disa qindra protestues bllokuan trafikun në Times Square, në zemër të Manhatanit, duke brohoritur “Duart lart, mos gjuaj”. Janë kryer më shumë se një duzinë arrestimesh./bota.al