Analiza

Erdogani dhe mësimet e hidhur të lidershipit mysliman modern

Erdogan and the bitter lessonsZafer Senocak*

Në Turqi kemi një luftë të ftohtë civile. Një ngjarje si katastrofa e minierës dhe 301 viktimat që shkaktoi mund ta kishte bashkuar emocionalisht vendin e ndarë më dysh. Por as edhe dhimbja e kaq shumë turqve nuk mundi të bashkojë mbështetësit dhe kundërshtarët e kryeministrit Erdogan.

Turqia është e ndarë në të paktën tre kampe. Kurdët në juglindje janë më të fortë dhe me më shumë vetëbesim se kurrë. Turqit laikë me orientim perëndimor, që jetojnë kryesisht në qytetet e mëdhenj dhe përgjatë bregdetit kanë një mospëlqim të thellë për Erdoganin. Ai përfaqëson pak a shumë 40 përqind të popullsisë turke, e përkushtuar ndaj vlerave konservatore islamike. Ata kanë një mbështetje të pakompromis për kryeministrin e tyre, dhe kanë bërë të mundur që kryetari i një qeverie të zgjedhur me vota të lira dhe të ndershme, në një demokraci të shtirur, të besojë që është imun ndaj kritikave.

A mund të pajtohet kjo me ankthin ekonomik të klasës së mesme që sapo është shfaqur? Nuk ka asnjë dyshim që kjo klasë e re ekziston në Turqi, dhe për ekzistencën e saj ajo i detyrohet politikave ekonomike neoliberale të qeverisë së AKP.

Deri tani, Erdogani e kuptonte se si të përmbushte pritshmëritë e klientelës së tij, kryesisht duke përdorur projekte ambiciozë për të krijuar një pamje të Turqisë, si një komb në zhvillim të shpejtë. Nën qeverisjen e tij, ekonomia e Turqisë ka arritur në fakt ritme të lartë të rritjes ekonomike. Përpara Erdoganit, Turqia kishte një klasë të mesme shumë të ngushtë, me mendësi laike. Tani ka edhe një klasë të mesme myslimane, të arsimuar mirë që mund të sigurojnë një jetesë të mirë – dhe të mbështesin pa kushte Erdoganin. Por sjellja autokratike e Kryeministrit pas aksidentit në minierë mund të jetë një pikë kthese, ku për herë të parë mund të krijohet një hendek mes atij, dhe atyre që kanë votuar për të.

Tradhëti mes radhëve

Nëse ai ia hedh edhe kësaj krize, kjo nuk do të ndodhë sepse mbështetësit e tij janë të verbër. Disa i janë betuar për besnikëri, sepse e shohin si udhëheqësin mysliman që ka qëndruar kundër gjithë botës.

“Beteja” të tilla janë të njohura nga repertori i propagandës së regjimeve totalitarë, të orientuar kundër “tradhëtarëve” dhe “komplotuesve” brenda radhëve të tua, dhe shërbejnë si mbulesë për “të pabërat” e lidershipit. Erdogani ka media të fuqishme në dispozicion të tij, dhe e përdor në mënyrë të shënjestruar disinformimin. E habitshme është që deri tani ai ka mundur të shpëtojë paq, jo vetëm në Turqi, por edhe jashtë saj.

Kur Erdogani erdhi në pushtet 12 vjet më parë, ai ishte mbartësi i shpresës. Fetar, i rritur në mënyrat tradicionale, me një të kaluar të thjeshtë, ai u shndërrua shumë shpejt në model për masat e varfëruara. Por ai kishte premtime edhe për elitën turke: një reformë që do ta bënte vendin të kualifikueshëm për t’u bërë pjesë e Europës. Ai u shfaq si një mysliman i devotshëm dhe praktikues, por edhe si një europian me bindje. Në një kohë kur imazhi i myslimanëve ishte dëmtuar rëndë prej terroristëve islamikë, Erdogani edhe për shumëkënd në Perëndim dukej si shpëtimtar.

Por tani nuk ka mbetur asgjë nga Erdogani demokratik. Ai nuk është më një reformator, që udhëheq Turqinë drejt Europës. Ai është thjeshtë një pushtues që ka shtënë në duar mjetet represivë që shteti turk i përdorte dikur kundër kundërshtarëve.

Sipas ideologjisë autoritare laiciste (Kemaliane) të themeluesve të Turqisë moderne, premtimi ishte modernizimi iluminues, ku besimtarët e prapambetur te Islamit ishin armiku i vërtetë. Tani, pas shfaqjes së Erdoganit, ne e dimë se ishte iluzion të besoje mes atyre besimtarëve mund të lindte një lëvizje demokratike.

Shtrembërimi i mesazhit të Kur’anit

Islami në Turqi është shumë larg të qënurit një forcë inovative. Ai i mundëson një grupi të korruptuar politikanësh që të çimentojnë pushtetin e tyre. Feja i bashkon por edhe i ndan besimtarët, për të cilët vargonjtë emocionalë kanë më shumë forcë se sa argumenti racional.

Shoqëritë e dominuara nga myslimanë nuk kanë fuqi rezistence ndaj tiranëve. Cdo individ ka një ndjenjë të thellë bindjeje ndaj atyre që janë më lartë, gjë që pengon një opinion publik të informuar. Modernizuesit laikë të Turqisë e kishin gjithashtu themelin tek këto struktura hierarkike autoritare, kështu që edhe ata e bllokonin formimin e një shoqërie liberale të iluminuar.

Po shkove tek masat, mos harro kamzhikun! Kjo ishte motoja e pa thënë me zë të lartë e modernizuesve të Turqisë. Cdokush që kishte një uniformë apo një kostum kishte prioritet ndaj fshatarëve, apo të varfërve që jetonin në lagjet e varfëra të qyteteve të mëdhenj. Mendësia autokratike diktonte në gjithçka.

Njerëzit e Erdoganit mbajnë veshur kostume. Por pushteti që ka përvetësuar shteti turk nuk u referohet më vlerave iluminuese, por atyre konservatore, te Islamit tradicional, fatalizmi i të cilit ka qenë pothuajse gjithmonë aleati më i mirë i sundimtarëve shtypës.

Eshtë gjithmonë e njëjta mungesë vlerash dhe orientimi që tërheq shumë njerëz drejt Islamit – ata shpresojnë të gjejnë aty diçka ku të kapen. Përse Islami – një besim që dikur themeloi një qytetërim shumë të sofistikuar dhe ka një vetëdije të fortë sociale – dështon për të qenë një pikë referimi për jetën politike dhe shoqërore në kohët moderne?

Një prej arsyeve është se Islami i jetuar dhe praktikuar nuk ka më asgjë të përbashkët me sensin e drejtësisë që kishte mesazhi i Kur’anit. Po a e përjetojnë më të krishterët Predikimin mbi Mal? Jo, por pasojat e atij janë krejt të ndryshme nga ato në rastin e muslimanëve. Krishtërimi, shumë kohë më pare u shkri me modernitetin, falë Iluminimit.

Jezusi mund të përthithej në humanizmin që shenjon vlerat e Perëndimit. Mohamedi, nga ana tjetër, qëndron i vetëm, dhe kur shoqëritë myslimane u hapën ndaj modernitetit, ai “qëndroi” sërish mënjanë.

Myslimanët shumë të devotshëm janë krenarë që mësimet e Profetit konsiderohen të pakoha dhe që Kur’ani është një fjalë e përjetshme dhe e vlefshme e Zotit. Por sot ata po paguajnë një çmim të lartë për këtë, sepse feja e tyre nuk është më e harmonizuar me dinjitetin njerëzor.

Islami është një korse që mund të mbajë bashkë një trup, por nuk ofron shumë ajër për shpirtin. Ai nuk lejon ndërgjegjet të marrin frymë. Kjo bëhet e qartë sa herë që njerëzve u bie një fatkeqësi, kur, si në rastin e Sirisë, një vend i shkretuar nga lufta kërkon të gjejë paqe, apo plagët e një fatkeqësie minerare që duhen shëruar, siç po ndodh në Turqi.

Feja nuk është më një aleat i të varfërve, i njerëzve pa të drejta, i të plagosourve. Ajo është në shërbim të sundimtarëve dhe është e rrezikshme për këdo që nuk dëshiron të kapitullojë. E folura e saj e forcon gjuhën dhe mund të shkaktojë plagë të reja.

Kushdo që e sfidon këtë sistem, jo vetëm po thyen rregullat, por po vë në rrezik të gjithë sistemin e besimit. Kështu, ata që janë në pushtet nuk i shohin kundërshtarët e tyre si thjeshtë kundërshtarë fajtorë për lèse majesté, por i shohin si të pafe.

*Senocak, një poet, shkrimtar dhe gazetar i lindur në Turqi, ka jetuar në Gjermani që në vitin 1970. Eshtë një prej zërave më të dëgjuar sa i përket cështjes së multikulturalizmit dhe marrëdhënieve Gjermani-Turqi

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button