«Në orën shtatë e tridhjetë të mëngjesit dola për të blerë pak ushqime dhe, ndërsa po kthehesha në shtëpi, filluan sirenat dhe pas disa minutash u dëgjua një shpërthim shumë i fortë. Të gjitha dhomat e shtëpisë u drodhën. Unë dhe gruaja ime u strehuam në dhomën e sigurisë dhe pritëm që sulmi të mbaronte».
Personi që flet, nga shtëpia e tij në veri të Tel Avivit, në zonën që u godit më fort në orët e para të mëngjesit nga raketat iraniane, nuk është një qytetar i zakonshëm, por Efraim Halevy, 90 vjeç, ish-drejtor i Mossadit, shërbimi sekret izraelit, të cilin e ka drejtuar nga viti 1998 deri në 2002. Ai ka qenë ambasador në Bashkimin Evropian, ka qenë shef i Këshillit të Sigurisë Kombëtare izraelite gjatë kohës së Ariel Sharon-it, dhe i dërguar nga pesë kryeministra izraelitë (Shamir, Rabin, Netanyahu, Barak dhe Sharon). Njihet për kontributin e tij në firmosjen e traktatit të paqes mes Izraelit dhe Jordanisë. “Shumë prej nesh kishim marrëdhënie të mira me Iranin, para se klerikët fetarë të merrnin pushtetin në 1979, ishte një vend që e vizitonim shpesh, edhe pas hezitimit fillestar të Mossadit”.
- Halevy, më thoni: kjo ditë shënon fundin apo fillimin e luftës?
“Kemi një shprehje këtu që thotë: profetët janë budallenj. Dhe nuk dua të jem budalla. Por mendoj se tashmë jemi në luftë. E kemi nisur me luftën në Gaza, jemi në prag të vitit të tretë dhe besoj se do të zgjasë ende. Dhe tani jemi në luftë edhe me Iranin”.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë sot se sulmi ka dëmtuar në mënyrë të parikthyeshme sitet bërthamore; pasdite, zyrtarë amerikanë e pranuan për New York Times se sulmi ndaj Fordow nuk e ka shkatërruar plotësisht strukturën, por e ka dëmtuar rëndë. E kuptoj që nuk dëshironi të bëni rolin e profetit, por cilat janë skenarët që parashikoni për javët e ardhshme?
“Shumë do të varet nga mënyra se si do të reagojnë Rusia dhe Kina në të ardhmen e afërt, si dhe aktorë të tjerë të përfshirë në Lindjen e Mesme në një mënyrë apo në një tjetër. Ne duhet të merremi me pasojat e këtij sulmi, por më shumë se gjithçka, duhet të përballemi me ndarjet e brendshme që po copëtojnë këtë vend, siç po ndodh tashmë prej kohësh. Është sikur ka dy blloqe në shoqërinë izraelite sot, dhe kjo përplasje në afat të gjatë mund të jetë shumë e dëmshme për Izraelin. Dhe sido që ta shohësh, sa më i fortë të jetë konflikti, aq më i dobët bëhet Izraeli. Në këtë drejtim, ka një problem serioz për qëndrueshmërinë e vendit në të ardhmen”.
Izraeli vendosi të sulmonte Iranin dy ditë para një tryeze negociatash mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Oman. Shtetet e Bashkuara, disa ditë më pas, vendosën të bashkohen me Izraelin në luftën kundër Iranit. Ka qenë ky një sulm ndaj diplomacisë, përveçse ndaj impianteve bërthamore iraniane dhe komandës së Gardës Revolucionare?
“E them këtë sepse mendoj që marrëdhënia mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara është më e ngushtë se kurrë. Sepse nuk është vetëm Izraeli që përfiton nga SHBA-të, por janë edhe SHBA-të që përfitojnë nga Izraeli. Mendoj që Izraeli ka luajtur një rol shumë, shumë të rëndësishëm në mbështetjen e interesave amerikane në këtë rajon, dhe disa vite më parë, me Marrëveshjet e Abrahamit, kemi provuar të shohim nëse mund të nxjerrim ndonjë përfitim prej tyre. Shtetet e Bashkuara kanë qenë një lloj shoqëruesi, me Trump-in në Shtëpinë e Bardhë si promovues. Ai e shihte Izraelin si një burim për SHBA, jo si një barrë».
Në vitin 2011 ju ishit qartësisht kundër një sulmi ndaj Iranit, dhe thatë se “do të mund të godisnin vetëm Izraelin, por jo të tërë rajonin për 100 vjet”. Në vitin 2021, ju theksuat se Netanjahu kishte bërë një gabim të madh në përpjekjen për të shkatërruar marrëveshjen për çështjen bërthamore. Ju deklaruat: “Të shohim çfarë ndodhi që kur Trump braktisi marrëveshjen: situata me Iranin është përkeqësuar shumë. Një marrëveshje e keqe është gjithmonë më mirë se mos të kesh marrëveshje fare. Ndërsa politika e Netanyahut ndaj Iranit ka qenë një dështim i hidhur.” A vazhdoni ta besoni këtë?
“Unë mendoj se Netanyahu ka sulmuar Iranin për dy arsye. E para, për të ndihmuar Shtetet e Bashkuara, që të na ndihmojnë edhe ato. Është e rëndësishme për Izraelin të vendosë dhe të ruajë një marrëdhënie që garanton furnizimin ushtarak që na nevojitet dhe që i tregon aleatit tonë kryesor se ne po veprojmë edhe për interesat e tij.
E dyta ka të bëjë me marrëdhëniet aktuale dhe të ardhshme me Kinën. Kinezët janë tashmë këtu, janë në Mesdhe, veprojnë në mënyra të ndryshme, herë fshehtas, herë më hapur, ndonjëherë duke u përpjekur të shmangin perceptimin si një fuqi imperialiste, por ndonjëherë nuk ia dalin. Me gjasë, Netanyahu donte të dërgonte një mesazh edhe për Kinën. Mendoj se kjo është përgjigjja e duhur diplomatike që një ish-shef i Mossad-it do të kishte dhënë. Besoj se këto dy aspekte kanë qenë vendimtare në vendimin për të sulmuar Iranin tani, në një moment kur situata me të gjitha grupet q ai mbështet është shumë, shumë më e dobët.»
Disa muaj para 7 tetorit, në një intervistë për CNN, kur u pyetët për reformën gjyqësore, ju thatë: “Unë nuk mund të pranoj që Netanyahu të vazhdojë të qeverisë vendin”. A është Netanyahu sot personi i duhur për të drejtuar këtë vend?
“Më bëni të flas për kritikat e mia ndaj Netanyahut pikërisht në ditën e suksesit të tij të madh, nuk është shumë e mençur nga ana ime, por në rregull. Marrëdhënia ime me Netanyahun ka qenë shumë e diskutueshme, shumë komplekse. Ne patëm një krizë të parë kur isha i dërguar si emisar sekret i Rabinit në Jordani, dhe unë isha ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara. Dhe mbi të gjitha, pati një përplasje pas atentatit të dështuar kundër liderit të Hamasit, Khaled Mashaal. Nuk është sekret që kam kritikuar shpesh Netanyahun për vendosjen në rrezik të sigurisë kombëtare vetëm për nevojën e vet për t’u vetëlavdëruar”.
A është Netanyahu personi i duhur për të drejtuar Izraelin?
“Ju e dini që ky vend ka kaluar një përplasje të thellë ndërmjet atyre që mbështesin Netanyahun dhe atyre që nuk e duan, për vite me radhë. Çdo javë ka protesta. Qindra njerëz dalin të protestojnë. Midis tyre është e gjithë familja ime, fëmijët e mi, nipërit dhe mbesat e mia. Nuk mund të zë vendin e askujt tjetër, nuk e di se sa do të mbijetojë politikisht Netanyahu. Është e çuditshme të flasësh për të sot, kur vendi sapo ka kryer një sulm të madh dhe gëzon përkrahjen amerikane, por e di që një pjesë e madhe e vendit nuk e mbështet më, as për luftën në Gaza, dhe as për mënyrën se si po e menaxhon çështjen e pengjeve. Prandaj, për të kthyer përgjigje ndaj pyetjes suaj, e lëmë kështu: shpresoj që një ditë, ndoshta para se të dalë kjo intervistë, të jetë e qartë për të gjithë”.
Përmendët çështjen e pengjeve. Në prill, bashkë me 250 ish-anëtarë të Mossadit, ju firmosët një deklaratë ku i kërkonit qeverisë të vendoste kthimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza si përparësi, edhe me koston e përfundimit të luftës. Si mendoni se do të zgjidhet kjo çështje? Me një marrëveshje me Hamasin?
“Unë mendoj se kjoa është e vetmja mënyrë që mund të funksionojë. Por Netanyahu nuk do ta lejojë. Ai nuk do të lejojë një marrëveshje që çon në përfundimin e luftës. Ai nuk do ta lejojë përfundimin e luftës. Familjet e pengjeve e dinë këtë, e ndiejnë këtë. Një pjesë e shoqërisë po e kupton gjithashtu (e ka kuptuar shumë qartë).”
Pyetja e fundit. Si e shihni të ardhmen e Izraelit pas dhjetë vitesh? Është e vetmja pyetje që kërkon një profet.
“Bëjmë një marrëveshje: premtoj se pas dhjetë vitesh, nëse jam ende gjallë, do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.” / La Stampa – Bota.al