Analiza

ETON, ENA, HARVARD, YALE / Fabrikat e elitave, aty ku lindin “oligarkite” e reja

Alarmi më i fundit vjen nga Anglia. Që nga The Guardian, tek The New Statesman, mediat denoncojnë tendencën e Kryeministrit David Cameron për t’u rrethuar nga bashkëpunëtorë “etonianë”. Domethënë, që kanë dalë po nga ai Eton College ku u formua edhe ai. Përzgjedhja e drejtuesve të lartë të shtetit dhe udhëheqësve politikë nga kjo “boarding school” ekskluzive, denoncon shtypi anglez, do të thotë ndërtim i oligarkive të reja, duke shkelur meritokracinë dhe lëvizshmërinë sociale. Polemika nuk është vetëm angleze.Ceremoni diplomimi

Përkundrazi, në të gjithë botën perëndimore ka dyshime dhe mosbesim kundrejt klaneve të rinj të pushtetit, shpesh herë të formuar në bangat e shkollave dhe universiteteve elitarë, prestigjozë, të paarritshëm për shumicën e qytetarëve (apo bijve të tyre). Kësaj akuze i shtohet një tjetër, jo më pak e rëndë: nëse ata që qeverisin formohen dhe përzgjidhen në institucione shumë selektivë, klube të vërtetë për të privilegjuarit, si mund të kuptojnë problemet e njerëzve të zakonshëm? Nga njëra anë është pakënaqësia ndaj privilegjeve të “kastave” superiore, nga ana tjetër një mosbesim në rritje ndaj aftësive të tyre për të zgjidhur krizën ekonomike.

Edhe në një vend si Italia, universitetet e të cilit nuk figurojnë në majë të klasifikimeve botërore, ekzistojnë universitete që perceptohen si “elitarë”, të mësuar të furnizojnë me njerëz klasat drejtuese, domethënë të krijojnë një mentalitet “prej klani”, rrjete miqësish, lidhje të nevojshme për të bërë karrierë në politikë apo gjetkë.

Polemikat shpërthejnë edhe në Francë. Fatet politikë në rënie të François Hollande theksohen me një lloj fyerjeje: “Enarca”. Nëse ky president socialist ka zhgënjyer pritshmëritë e zgjedhësve, dhe popullariteti i tij ka rënë, për kritikët e tij, shkaku është edhe ky: ashtu si shumë “commis”-së të shumtë të shtetit francez, Hollande është një produkt tipik i Ecole Nationale d’Administration (Ena), “kovahçana” e klasës drejtuese. Një trup i veçuar, një lloj palestre udhëheqësish shumë e shkëputur nga shoqëria civile, nga ekonomia reale. Eshtë paradoks, sepse ENA u themelua në vitin 1945 nga presidenti Charles De Gaulle dhe nga ministri-intelektual Michel Debre, pikërisht me misionin për të “demokratizuar hyrjen në majat e administratës publike”. Përmes rregullave të pastra meritokratike të rekrutimit, ENA duhej të hapte dyert e qeverisë për francezët më të zotë, pavarësisht shtresës sociale të origjinës. Pjesërisht ia ka dalë, por suksesi i saj e ka një çmim. ENA është bërë simbol i një establishmenti që sheh vetëm nga vetja, i mësuar që të promovojë të ngjashmit e vet. Madje deri në formimin e një “mendimi unik”, një seri vlerash dhe rregullash që i ndajnë që nga golistët, deri tek socialistët.

Në historinë e Republikës së Pestë, ENA ka ofruar tre presidentë të Republikës, shtatë kryeministra, shumicën absolute të prefektëve, si dhe shumë Présidents Directeurs Généraux, drejtorë të përgjithshëm të shumë kompanive të mëdha dhe bankave. Për një kohë të gjatë kjo dukej një pikë e fortë e sistemit francez: nga njëra anë vëmendja e tij për formimin e klasave drejtuese; nga ana tjetër një farë homogjeniteti mes të majtës dhe të djathtës, mbi disa vlera të përbashkëta themelore për Republikën. Sot, në kohë recesioni dhe me një shoqëri civile të zhgënjyer ndaj atyre që e qeverisin, edhe ENA përfundon në bangën e të akuzuarve.

Nëse kjo histori e ka një fillim, ai duhet kërkuar në Amerikë. Sepse asnjë komb tjetër në botë nuk ka ndërtuar udhëheqjen e vet duke investuar kaq shumë në sistemin universitar. Dhe asnjë superfuqi tjetër nuk ka lartësuar, glorifikuar, adhuruar deri në këtë pikë “ekspertët” në qeverisje. Quajini teknokratë, nëse preferoni neologjizmin aktual. Në vitet tridhjetë, presidenti Franklin Delano Roosevelt rrethohej nga të famshmit “kokëvezë”, profesorë universitetesh të dalë prej shkollave më të mira të Amerikës, për të hartuar politikat kundër depresionit në Marrëveshjen e Re. Në kohën e John F. Kennedy do të ripagëzoheshin “Më të mirët dhe më brilantët”. Ishin njerëzit që ishin ngarkuar të elaboronin politikën e jashtme të Shtëpisë së Bardhë.

Shpesh herë presidenti i rekrutonte nga i njëjti universitet ku ishte diplomuar edhe vetë. Dhe kjo traditë nuk është ndërprerë asnjëherë. I vetmi dallim, në krahasim me ENA-n franceze apo me fenomenin e “etonianëve” në Angli, është që në Shtetet e Bashkuara shtrirja e supershkollave është shumë më e gjerë dhe me konkurueshmëri më të lartë, sipas imazhit dhe me ngjashmëri të lartë me vetë kombin amerikan.

Ka një rivalitet të vjetër në këtë fushë: mes Harvard dhe Yale. Në avantazh mbetet Harvard, me tetë presidentë të Shteteve të Bashkuara që janë diplomuar aty, më shumë se 75 fitues të Çmimit Nobel, si dhe 62 sipërmarrës miliarderë (mes këtyre të fundit llogariten vetëm ata që janë gjallë). Nga Harvardi kanë dalë me një diplomë presidentët John Adams, John Quincy Adams, dy kushërinjtë Theodore dhe Franklin Roosevelt, John Kennedy. Por më së fundi Barack Obama, ndonëse diplomën e parë e mori në Columbia University në New York, atë të Juridikut e ka marrë pikërisht në Harvard, më vonë. Ndërkohë në Yale janë formuar dy George Bush-ët, babë e bir, si dhe Gerald Ford dhe Bill Clinton. Panorama amerikane është më konkuruese falë Princeton, Stanford, Berkeley, Johns Hopkins, si dhe disa super-universitete të tjerë që kanë prodhuar edhe ata breza të tërë vip-ash, drejtues politikë apo ekonomikë.

E megjithatë, edhe në Shtetet e Bashkuara ky sistem vihet nën akuzë. Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në Harvard, Jeff Neal, u detyrua që t’i shkruante një letër të gjatë të përditshmes The New York times, për t’iu përgjigjur kritikave gjithjnë e më të rënda mbi sistemin e vet të përzgjedhjes së të rregjistruarve. “Harvard mirëpret studentë të talentuar nga çdo mjedis etnik dhe social – ka shkruajtur Neal – dhe ne garantojmë një provim gjithëpërfshirës, të plotë, që sheh rezultatet akademikë, lidershipin, referencat, karakterin, dhe përvojat e punës”.

Kjo letër, që duhej të qetësonte polemikën mbi hiper-selektivitetin e Harvardit (më pak se 10% e kërkesave për pranim marrin një përgjigje pozitive), përkundrazi i ka ndezur edhe më shumë. Sepse pikërisht prapa qasjes “gjithëpërfshirëse” fshihen padrejtësitë, diskriminimet, favorizimet.

Bijtë e nxënësve të dikurshëm, pasardhës të familjeve të mira, etërit dhe gjyshërit e të cilëve janë diplomuar në Harvard dhe janë donatorë bujarë, kanë korsitë e tyre preferenciale. E njëjta gjë vlen për të gjithë universitetet e elitës: nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti që George W. Bush u pranua në universitetin e të atit ndonëse, siç e ka pranuar vetë, nuk ka qenë nxënës i shkëlqyer.

Avantazhi për Yale, kur pranon një bir presidenti? Gjithçka fshihet tek një fjalë: “Rrjetëzim”. Në supershkollat nuk shkohet vetëm për të marrë një arsimim të cilësisë së lartë nga docentët më të mirë të planetit, por edhe për të njohur “njerëzit e duhur”. Rrjetëzimi, apo më saktë “puna në rrjet” është investimi në marrëdhënie njerëzore, njohje: shpesh herë, në terma afatgjatë, është më dobiprurësi. Kjo shpjegon përse edhe bijtë e presidentëve kinezë përfundojnë në Harvard…

Por rreziku është i ngjashëm me atë që kanoset në Europën e vjetër. Një akuzë të pamëshirshme përmban libri “Përse dështojnë kombet” i Daron Acemoglu dhe James Robinson. Rënia godet pikërisht ata kombe që transformohen nga “shoqëri përfshirëse” në “shoqëri perjashtuese”. Ose më saktë, kur bëhen oligarkike, të qeverisura nga elita që vetëpërjetësohen. Rreziku i një bote të dominuar nga supershkollat është pikërisht ky: shoqëri ku lëvizshmëria sociale bllokohet.

 

2. “Betejat fitohen në Eton”

Ka studiuar Kryeministri britanik, David Cameron. Dhe kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson. Edhe vëllai i vogël i Johnson, Jo, i sapopranuar nga Cameron në Downing street. Edhe Ed Llewellyn, shefi i kabinetit i kryeministrit. Edhe Oliver Letwin, ministër në qeverinë Cameron. Apo George Young, kreu i shumicës konservatore në parlament. Dhe kanë studiuar edhe një gjysmë dyzine këshilltarësh, zëdhënësish, shoqëruesish të kryeministrit. Të gjithë të dalë nga Eton College, shkolla e themeluar nga Henriku VI në 1440 në një prej brigjeve të Tamizit (në bregun përballë ngrihet kështjella e Windsor), disa kilometra larg Londrës. Dhe nuk kanë dalë vetëm ata: sa për të përmendur disa emra, aty janë diplomuar edhe Justin Welby, prej pak kohësh i zgjedhur Kryepeshkop i Canterburyt, ose më saktë “Papa” i anglikanëve; Princi William dhe vëllai i tij, Harry; Tom Parker Bowles, biri i Camillas, bashkëshortja e dytë e Princit Karl. Dhe duke shkuar më pas në kohë, poeti Shelley, George Orwell, John Maynard Keynes, Ian Fleming. E quajnë “fabrika e kryeministrave”, Cameron është i 19-i i serisë, përpara tij kanë kaluar Gladstone, Balfour, Macmillan. Ose “djepi” i statistëve anglezë, ministra, diplomatë, funksionarë të lartë të shtetit.

“Beteja e Vaterlosë është fituar në Eton”, shumë më herët se sa në fushën e betejës, thoshte Duka Wellington, edhe ai i dalë nga Eton. Dhe në Eton, duke vijuar me metaforën e tij, fitohen shumë prej betejave të sotme, në politikë, në biznes, në çdo sektor. Boarding School ekskluzive, elitare dhe shumë e kushtueshme (30 mijë euro në vit), e rezervuar për meshkuj nga 13 në 18 vjeç, rigorozisht me uniforma (frak me kravatë të bardhë) më shumë se sa një shkollë, ajo është një klub, të cilit pastaj i përket gjatë të gjithë jetës, shpesh duke ua kaluar pasardhësve: 40 përqind e etonianëve të sotëm kanë një baba, një xhaxha apo një gjysh që ka studiuar në Eton. “Disa përfundojnë duke u martuar me motrat e shokëve të kursit, për t’u lidhur edhe më shumë me rrjetin e Eton”, thotë Nick Faser, autor i një libri për këtë argument, “The importance of being Eton”, edhe ai vetë i diplomuar pikërisht aty. Dhe është pikërisht kjo akuza që i drejtohet sot Cameronit: “të qënurit i rrethuar nga një klikë etonianësh”, sipas imazhit të tij. Që jo vetëm kanë arritur të largojnë nga Doëning street të vetmin këshilltar të dalë nga shkollat shtetërore, dhe të vetmin me ngjyrë, Shaën Bailey, por pengojnë kryeministrin të kuptojë shoqërinë ku lëviz, nevojat e njerëzve të zakonshëm, prioritetet e kombit.

Sigiurisht, thuhet se Eton nuk është më ai i një herë e një kohe dhe kjo është pak e vërtetë. Sot 15 % e 1300 studentëve aty janë të huaj. Ka bursa studimi për studentët që e meritojnë më shumë. Prej 1983 janë hequr ndëshkimet truporë. Pak a shumë që atëherë është ndaluar edhe fagging, një formë ngacmimi që të rriturit aplikonin ndaj të sapoardhurve. “Një hyrje e hershme në mizorinë njerëzore dhe vuajtjen e skajshme fizike”: kështu Alan Clark, më vonë Ministër brilant i Mbrojtjes në Britani, përmblidhte vitet e tij në Eton, me një farë kënaqësie mazohiste. Por nuk ka ndryshuar cilësia e arsimit, që mbetet shumë e lartë, duke filluar nga latinishtja e greqishtja e për të mbërritur tek informatika dhe arti dramatik. Nuk ka ndryshuar rrjeti i njohjeve, që në Eton realizohen dhe ruhen përgjithmonë. “Mafia e Eton” e quante zëvendës kryeministri laburist, John Prescott, një bir punëtorësh. “Ishin të rinj që ishin rritur para kohe, me humor të hollë, një shkëputje të madhe dhe besim të jashtëzakonshëm tek vetvetja”. Kështu i kujton John Le Carre, i cili jepte mësim në Eton, përpara se të bëhej shkrimtar.

Në fakt, Eton është vetëm maja e ajsbergut e një sistemi arsimues thellësisht klasist. 7 përqind e popullsisë britanike i dërgon bijtë në shkolla si kjo, 93 përqindëshi tjetër i dërgon në shkolla shtetërore, falas. “Vajtja në Eton u bën dëm studentëve të vet, që nuk përzihen me pjesën tjetër të vendit, dhe i bën dëm vendit tonë, që sheh të shpërblehet rrjeti i marrëdhënieve miqësore për të bërë karrierë, në vend të meritokracisë”, thotë lord Adonis, ish ministër laburist. Por, në Britani meritokracia funksionon, dhe mirë madje: nëse një i ri ka vlera, ai ka mundësi të afirmohet. Por nëse ka qenë në Eton, apo në një kolegj të ngjashëm, bën pjesë në një tjetër planet. Në fund të fundit, edhe lordi Adonis ka dalë nga një shkollë private elitare.

Leave a Reply

Back to top button