Bota

Europa duhet ta ndalë Viktor Orbanin

Eric Bonse

“Die Tageszeitung”

Kontroll po, ndërhyrje jo: deri tani, kjo ka qenë linja e Bashkimit Europian kundrejt qeverisë hungareze. Kryeministri Viktor Orban nuk shihej me sy të mirë në Bruksel, por pavarësisht kritikave, konsiderohej një klloun i padëmshëm. Por tani e ka ekzagjeruar: mbyllja e kufijve, politika e migrimit e përdorur si armë politike, ligji i ri mbi arsimin e lartë dhe në fund, pyetësori i dërguar qytetarëve, se “si të ndalim Brukselin”.

Në Berlin dhe në Gjenevë e kanë kuptuar. Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi i ka kërkuar Bashkimit Europian që të mos i dërgojë më azilkërkuesit në Hungari, sepse atje nuk janë më të sigurtë dhe rrezikojnë që të mbyllen në kontenierë. Si pasojë, qeveria federale gjermane ka deklaruar se do i dërgojë azilkërkuesit në Hungari, vetëm nëse autoritetet e Budapestit do të garantojnë respektimin e standarteve europiane të pritjes së tyre. Në fakt, bëhet fjalë për një ndalim të dëbimeve.

Tani duhet pritur të shohim se cili do të jetë reagimi i Komisionit Europian. Deri tani i ka lënë gjërat të rrjedhin. “Përshëndetje diktator”, tha me shaka presidenti i komisionit, Juncker, kur takoi Orbanin. Edhe komisioneria europiane për drejtësinë, Vera Jourova heziton: në 10 prill ka deklaruar se një procedurë shkeljeje apo masa të tjera nuk do të ndihmonin.

Si mund të shpjegohet kjo qasje pasive? Me sa duket, këtu hyjnë interesat e Partisë Popullore Europiane, që prej një kohe të gjatë ka mbështetur dhe mbuluar Orbanin. Tani PPE duket se po mer distancë nga ndërtuesi i mureve në Budapest, dhe ka nga ata që flasin për sanksione. Por fjalët duhet të shoqërohen me fakte. Eshtë koha që Junckeri të ndërhyjë. Fakti që emërimi i tij u mbështet nga PPE, nuk është justifikim për të bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button