Shkrimtarja Carmen-Francesca Banciu i sheh protestat qytetare në Rumani si shenjë të ripërtëritjes së shoqërisë. Rumunët protestojnë kundër amnistisë ligjore për të korruptuarit
Prej 25 vitesh Rumania është në rrugën e ripërtëritjes. Një vend, që si vende të tjera të ish-bllokut komunit lufton me trashëgiminë e epokës komuniste. Herë mirë, herë keq. Një hap para, dy hapas pas. Pastaj sërish dy hapa përpara, dhe një pas. Kështu vazhdon historia gjithë këto vite. Kriza të shpeshta, aq sa të krijohet përshtypja, se vendi do të zhytet në kaos dhe katastrofë. Por gjithsesi vendi ecën përpara. Por si do të ndodhë kësaj here?
Prej ditësh e netësh po protestohet jo vetëm në Bukuresht, por në të gjithë vendin. Njerëzit dalin në rrugë dhe janë të pakënaqur me qeverinë e zgjedhur pak më shumë se një muaj më parë. Madje vetë votuesit nga kampi i kësaj qeverie, thonë se me vendimet e fundit rrezikohet shteti.
Kundër aministisë për të korruptuarit
Kësaj here nuk bëhet fjalë për rritje rrogash, tatime apo gjëra të ngjashme. Nuk bëhet fjalë për refuzimin e projektligjeve të reja, që duhet t’i paraqiten parlamentit, por për dy ligje të qeverisë Grindeanu, të miratuara në një temp të shpejtë natën. Ato parashohin ndryshime në kodin penal dhe aministi penale në fushën e korrupsionit. Ndryshimi duhet t’u shërbejë drejtpërdrejt politikanëve të korruptuar, lirimin nga akuzat e keqpërdorimit të postit.
Mes demonstruesve gjendet edhe presidenti Präsident Klaus Iohannis, i cili ka depozituar ndërkohë një ankimim në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimeve të qeverisë. Nuk është hera e parë që një kryetar shteti ngrihet kundër qeverisë së vet. Në vitin 1944 ishte mbreti Michael I i Rumanisë, i cili me një puç mbretëror i dha fund aleancës ushtarake të marshallit Antonescu me Rajhun gjerman.
Rënia në grackë e dalja prej saj
Kësaj here presidenti përzihet me popullin dhe e inkurajon të bëjë realitet të drejtat e tij demokratike. Para një viti ishin protestat në rrugë, ato që e rrëzuan qeverinë. E çuditshmja është që e njëjta parti rizgjidhet në dhjetor 2016. Nga 40% e njerëzve me të drejtë vote, 60% votuan për socialdemokratët. Ata premtuan mirëqenie për të gjithë, çmimi do të ishte përgjumja e votuesve, mbyllja e njërit sy për zbutjen e ligjeve kundër korrupsionit. Duket se ky plan dështoi. Edhe pse spektri politik nuk ofron shumë alternativa dhe votuesit e rinj nuk votuan me shumicë në zgjedhjet e fundit, kësaj here elektorati e kuptoi herët, që zgjidhja nuk qëndron në dorëzimin e vendit në duart e gardës së vjetër.
Më së voni, kur qeveria e re i bëri të ditura vendimet e marra me nxitim, gjithnjë e më shumë votues kuptuan se kishin rënë në grackë. Synimi për të zbatuar me kaq shpejtësi dekrete të tilla, zgjoi dyshimin tek shumë votues. Heshtja zemëroi dhe rriti protestën e shumë votuesve. Shumica e elektoratit e kuptoi, se u tradhtuan interesat e tij, se ata u keqpërdorën nga klasa drejtuese politike. Tani të rinj e më pak të rinj, ata që nuk qenë ndonjëherë në një demonstratë e nuk janë interesuar për politikën, ata që u kishin kthyer kurrizin partive politike u bënë aktivë.
Bashkimi i brezave dhe shtresave shoqërore
Ata kuptuan, se demokracia po mbytej, e ardhmja është në rrezik, dhe se pjesëmarrja e tyre është e paevitueshme. Me iniciative proteste, me sllogane dhe organizime të ndryshme ata dalin në rrugë megjithë të ftohtit. Ndërgjegja politike dhe shoqërore është zgjuar. Angazhimi qytetar ka ngritur krye. Protestuesit vijnë nga breza të ndryshëm, shtresa të ndryshme të shoqërisë, partive të ndryshme, ata kanë ose nuk nuk përvoja politike. Por ajo që të impresionon, është se ata informohen gjithnjë e më shumë, janë gjithnjë e më të arsimuar, me bagazh politik dhe gjithnjë e më pak të gatshëm të shërbejnë si një masë amorfe që manipulohet. Numri i tyre rritet përditë. Pozicioni i qeverisë po dobësohet gjithnjë e më shumë. Ende ajo i qëndron vendimit të saj, e pretendon se demonstratat nxiten nga jashtë. Megjithatë kemi dorëheqjen e parë të ministrit të Tregtisë, Jianu, të argumentuar me mospajtimin etik.
Forcim i shoqërisë civile
Zhvillimet e fundit politike e kanë zgjuar vendin nga letargjia. Rruga ka marrë funksionin e korrigjuesit për gabimet e qeveritarëve. Po të shohësh historinë e Europës, e di se pushteti i rrugës mund të sjellë edhe fatkeqësi. Prandaj dëshirohet një qeveri e përgjegjshme dhe funksionuese që e lejon dialogun, që pranon pluralitetin e mendimit si pasurim, dhe sfidë.
Rumania është në rrugën e ripërtëritjes dhe ka nevojë për mbështetje. Solidariteti i rumunëve nga jashtë vendit, rezistenca kundër keqpërdorimit të postit, një pozicion i qartë i BE dhe NATO-s ndihmojnë për të konsoliduar vlerat europiane. Shoqëria civile rumunue po bëhet gjithnjë e më kritike, më vetëkritike dhe më e përgjegjshme. Rëndësia e saj po rritet. Ajo po e dallon gjithnjë e më mirë rëndësinë që mbart për të përballur sfidat e mëdha të kohës. Kjo të jep shpresë, megjithë gjendjen e vështirë politike në Rumani. Sepse rruga që ka filluar është pa kthim.
Carmen Francesca-Banciu është shkrimtare rumuno-gjermane dhe docente. Ajo jeton si autore në Berlin dhe jep seminare për “Shkrimin kreativ”. Nga viti 1996 ajo shkruan edhe në gjuhën gjermane. /Deutsche Welle