Bota

Europa, Ukraina, Siria, Irani, Kina: “Sekreti” i madh i planit të Donald Trampit në politikën e jashtme 

Nga Pascal-Emmanuel Gobry

Për shumëkënd, Donald Trampi përfaqëson një ndryshim të madh të statuskuosë, për mirë apo për keq. Shumë nga kritikët e statuskosë së politikës së jashtme, të mishëruar nga treshja Bush-Klinton-Obama, janë optimistë se Tramp do të përqafojë një politikë të jashtme të bazuar tek interesi. Natyrisht, të tjerët dëshpërohen se simpatia e dukshme e Tramp për Vladimir Putinin, do të thotë shitje e politikës së Shteteve të Bashkuara.

Por ndoshta gjëja më e habitshme në lidhje me qëndrimet e politikës së jashtme të Tramp deri më tani- dhe në fakt mbeten shumë pikëpyetje – është se sa pranë janë me ato të Barak Obamës. Retorika ka qenë shumë e ndryshme, por në shumë raste, thelbi apo të paktën rezultati përfundimtar, është kryesisht i njëjtë. Le ta shohim këtë në disa prej çështjeve më të nxehta.

Ukraina

Në rrafshin retorik, Obama dhe Trump, nuk mund të jenë më shumë të ndryshëm se sa mbi këtë çështje. Administrata Obama e dënoi me forcë aneksimin e Krimesë nga Putini, dhe përfshirjen e vazhdueshme të Rusisë në punët e brendshme të Ukrainës, ndërsa Trampi në mënyrë famëkeqe ka ecur në drejtim të heqjes së përballjes me Rusinë nga platforma e Partisë Republikane gjatë Konventës Kombëtare Republikane, dhe kjo në përgjithësi tingëllonte si shumë pro-ruse.

Por kur bëhet fjalë për thelbin, çfarë ka bërë realisht administrata e Obamës për të kundërshtuar veprimet e Rusisë në Ukrainë? Ajo vendosi disa sanksione të njëanshme ekonomike. Por a përkrahu elementet anti-rusë brenda Ukrainës, me para, armë apo të dyja bashkë?

Në një intervistë bishtnese me Xhefri Goldberg të “The Atlantic”, Obama shtjelloi teorinë se pse Shtetet e Bashkuara s’duhet të përballen me Rusinë:regjimi i Putinit nuk ndodhet “në anën e drejtë të historisë”, dhe është i destinuar të bjerë vetë, prandaj përballja me të është një humbje kohe dhe burimesh. SHBA-ja nuk ka bërë shumë për të zprapsur praninë e Rusisë në Ukrainë, dhe qëndrimi i administratës Obama ka qenë shumë afër prirjeve të deklaruara të Tramp, nga sa mund të mendohet.

Siria

Ka kaluar një kohë e gjatë prejt vitit 2013, nga përdorimi i fjalëve si “vijat e kuqe”, ndryshimi i regjimit, armatosjes dhe trajnimit të të “moderuarve” dhe se “Asad duhet të largohet nga pushteti.” Pas shumë incidenteve, kur armët e SHBA-së përfundonin në duart e Al Kaedës apo grupeve të ngjashme, dhe kur trupat e stërvitura nga SHBA dezertuan tek këto grupe, mbështetja e Uashingtonit për kryengritësit anti-Asad u bë pak më shumë se sa simbolike.

Kur Rusia vendosi,të marrë situatën në dorë dhe mbështeti me forcë Asadin, duke marrë kontrollin e hapësirës ajrore të Sirisë, SHBA reagoi me tone të larta, por nuk bëri asgjë me shkopin e saj të madh. Objektivat e administratës së Obamës u reduktuan tek sigurimi i mbështetjes për një koalicion anti-ISIS. Me fjalë të tjera, ngjante shumë si politika e Trampit në Siri:Goditje e fortë ndaj ISIS-it, lejimi i Asadit dhe Putinit të merren me pjesën tjetër, dhe kthimi i kokës në një drejtim tjetër.

Irani

Që prej marrëveshjes bërthamore të Iranit, zv.këshilltari i sigurisë kombëtare Ben Rodes dhe vetë Barack Obama kanë pranuar në thelb, se qëllimi i politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj kësaj marrëveshjeje, qe lehtësimi i një rirreshtimi të forcave në Lindjen e Mesme, në të cilën SHBA-ja favorizon një ekuilibër pushtetit

mes sunitëve dhe shiitëve, në vend se të hyjë në aleancë me sunitët kundër shiitëve.

Në sipërfaqe, politika e jashtme e deklaruar e Tramp është thjesht e kundërta: Ai është zotuar të heqë dorë nga marrëveshja me Iranin, dhe të mbështesë me forcë Izraelin (që është i neveritur  nga politika dashamirëse e SHBA-së ndaj Teheranit).

Ka ende shumë gjëra që ne nuk i dimë, dhe ka shumë mndësi që Tramp të ndryshojë kursin. Por sa herë që ai ka kritikuar marrëveshjen Obama-Klinton me Iranin, është sugjeruar se do të arrinte një pakt shumë më të mirë, dhe se ai do të rrudhte me çdo mjet ndikimin e Iranit në Lindjen e Mesme.

Dhe mos harroni, Rusia është në anën e Iranit në synimin e tij për të krijuar një të ashtuquajtur shtet shiit të gjysëm-hënës shiit të kontrolluar nga të mbështeturit prej tijnë Irak, Siri dhe Libanin e jugut. Me fjalë të tjera, nëse politika e jashtme e Trampit është e “Putinifikuar” siç mendojnë disa, kjo mund të na çojë në të njëjtin vend si Obama, duke favorizuar Iranin në kurriz të Izraelit dhe shteteve sunite të Gjirit.

Kina

Këtu, ne mund të shohim një ndryshim të vërtetë. Ndërsa shumëkush supozoi se fushata goditëse ndaj Kinës e Trampit, ishin vetëm fjalë, shumë nga lëvizjet e tij të fundit, nga telefonata e debatueshme që pati me liderin e Tajvanit, tek emërimet e personave skeptikë ndaj tregtisë së lirë ndërkombëtare, flasin për një dëshirë reale të ndryshimit të marrëdhënieve të Amerikës me Kinën.

Zgjedhja e Tramp, ka qenë një shenjë e kobshme vdekjeprurëse për marrëveshjen e tregtisë së Partneritetit Trans-Paqësor, që Obama e rendit si një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së tij. Fokusi shumë i madh fillestar i Obamës ndaj këtij rajoni, u pasua shpejt nga një kthim i vëmendjes drejt Lindjes së Mesme, dhe e njëjta gjë mund të ndodhë saktësisht me Trampin.

Por vlen të përmendet, se qëndrimi i Obamës ndaj Kinës ka qenë gjithnjë e më konfrontues, në veçanti në lidhje me çështjen e militarizimit të Detit të Kinës Jugore, ku Obama urdhëroi marinën e SHBA-së të dërgonte anije për pohimin  e pranisë së bashkësisë ndërkombëtare,se deti në fjalë përfaqëson ujërat ndërkombëtare.

Ndërsa kritikët agresivë e akuzuan se lëvizjet qenë paksa të vonuara, ato qenë gjithësesi në mospërputhje me reputacionin e Obamës si i përkulur ndaj Kinës.

Shumë gjëra ende nuk i dimë, megjithatë shenjat e para sugjerojnë se ndërsa Tramp mund të nxisë një ndryshim të vërtetë sa i përket Kinës, kur është fjala për Rusinë dhe Lindjen e Mesme, politika e tij kanë pak dallime, nga ato që ka bërë tashmë Obama. / The Week – www.bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close