Sport

EUSEBIO / Askush nuk është bërë dikushi: Historia e Panterës nga Mozambiku

eusebio«Lindi i destinuar për të llustruar këpucë, shitur bajame apo vjedhur xhepat e njerëzve të hutuar. Kur ishte fëmijë e quanin “Ninguém” (asgjë, askush) U fut në fushën e futbollit duke vrapuar, siç mund të vrapojë vetëm kush i largohet policisë apo varfërisë që i kafshon thembrat. Në këtë mënyrë, duke gjuajtur e duke bërë zig-zage, u bë kampion i Europës në moshën 20 vjeçare. Atëhere e quajtën “Pantera e zezë”. Kështu e përshkruan uruguajani Eduardo Galeano legjendarin Eusébio, tek libri i tij “Shkëlqime dhe mjerime të lojës së futbollit”, tekst i shenjtë i çdo të përkushtuari ndaj futbollit dhe letërsisë.

Eusébio da Silva Ferreira u lind në janar të 1942 në një shtëpi të thjeshtë të Mafalalas, “bairro” në dyert e kryeqytetit mozambikas, i cili për t’u çliruar nga e kaluara koloniale (pothuajse 500 vjet dominim portugez) ka ndërruar emrin prej eksploruesi, Lourenço Marques, me atë të një lumi, Maputon e sotëm. Për ditën e lindjes ekzistojnë pak siguri. Një prej tyre ka të bëjë me kushtet e këqija të Mozambikut, në mos të keqësuara me ngjitjen në pushtet të António de Oliveira Salazar, Presidente do Concelho de Ministros de Portugal nga 1932 më 1968.

Infrastrukturat e pakta mbeteshin të rezervuara ndaj të bardhëve e “asimilados”-ve afrikanë dhe midis prioriteteve të një regjimi totalitar, sigurisht që nuk qëndronte zyra e gjendjes civile. Kjo shpjegon të paktën pjesërisht versionet mospërputhëse të çështjes: më 25 sipas biografëve të konsideruar më të besueshëm dhe dikujt midis 8 vëllezërve e motrave të tij, më 5 po t’i përmbahesh vetë të interesuarit, më 21 për burimet të tjera. Fëmija i katërt i Elisa Anissabeni, e mbetur vejushë kur Eusébio është vetëm 5 vjeç, trashëgon nga i ati, edhe ai qendërsulmues, pasionin dhe talentin për futbollin. Luan, në hapësira të mëdha dhe shpesh zbathur, «nga mëngjezi deri në darkë, por deri në moshën 12 vjeçare nuk i ka parë asnjëherë shtyllat e një porte».

Kampion junior i 400, 200 e 100 metrave, formon me djemtë e tjerë të Mafalalas një skuadër, “Os Brasileiros”, kështu quhet në respekt të admirimit të tyre për Seleção-n. Për t’u çuditur, pikërisht atëherë shokët fillojnë ta quajnë “Ninguém”, Askushi. Një nofkë që do të zhduket me zhurma golash. Futbollin e organizuar e njeh në moshën 15 vjeçare, tek Sporting Clube Lourenço Marques, në të cilin debuton sipas mënyrës së tij, duke shënuar 3 gola. Afrohet vetëm pse është skartuar dy herë nga Desportivo, skuadra ku luan idhulli i tij Mário Esteves Coluna, regjizor i madh, edhe ai prodhim i Lourenço Marques, por 7 vjet më i madh, që do të jetë shoku i tij tek Benfica dhe kombëtarja luzitane.

«Jogar no Desportivo, vestir a sua camisola era o meu sonho», do të rrëfejë vite më pas, si kampion i afirmuar,  Eusébio. Një ëndërr e mbetur e parealizuar dhe që mbi gjysëm shekulli më vonë i lë shije të hidhur në gojë, më shumë se për refuzimin e dyfishtë, nga mënyra sesi e kishin trajtuar drejtuesit: «Nuk më dhanë as pajimet për t’u stërvitur. U ndjeva i fyer dhe kështu vendosa të shkoj tek Sporting. Në fund të fundit, për mua vlente vetëm të luaja». Në pranverën e 1960, për motive misterioze, është në turne në ato zona “Il Ferroviario”, klub modest i zonës pauliste i drejtuar nga José Carlos Bauer, ish mesfushor i qendrës i Brazilit në botërorët e 1950 e 1954. Për një prej atyre rastësive që e bëjnë aq magjepsës futbollin dhe jetën, Bauer, njeri me kulturë të thellë futbollistike, vëren mbi një fushë të rrjepur një djalosh me lëkurë të zezë, fizik të hajthëm dhe lëvizje prej grabitqari që synon tek rrjeta me shpejtësi supersonike. Bauer kërkon të dhëna dhe mban shënime. Syri i tij prej eksperti e kap menjëherë që kësaj force të natyrës askush nuk i ka mësuar fjalën “taktikë”, le më pastak kuptimin, por edhe se është një diamant i pastër me klas të lindur.

Në kthim, Bauer ndalon në Lisbonë për të takuar mësuesin e vjetër Béla Guttman, hungarezin bredharak që stërvit Benfica-n dhe që ka qenë trajneri i tij tek São Paulo në sezonin 1957 – 1958. Pasi ka drejtuar, midis viteve 1949 dhe 1956, ekipet Padova, Triestina, Milan e Lanerossi Vicenza, Guttman ka lënë Italinë pse akuzohej për vrasje me dashje në një incident automobilistik, ku kishin humbur jetën dy fëmijë. I terrorizuar nga procesi dhe nga frika e burgut. Kish marrë avionin e parë për Brazil ku, brenda pak javësh, ishte punësuar nga klubi paulist. Duke u kthyer tek Bauer, ky i fundit i thotë kolegut për atë 18 vjeçar premtues mozambikas dhe i flet me terma entuziaste: «Kam parë një zezak (sot do të dukej “politically incorrect” por atëhere flitej kështu, shënimi im.) të mrekullueshëm që i bën 100 metrat në 11 sekonda dhe që me topin di të bëjë gjithçka».

Trajner i kulturuar dhe pragmatist, Guttman fillimisht dërgon në terren një emisar të klubit (ndoshta vëzhguesin Serafin Batista), më pas e verifikon personalisht. Lëvizja i paraprin interesimit të Juventus, e paralajmëruar nga Ugo Amoretti, ish portier bardhezi (1936 – 1940) që ndodhej në Mozambik me punë, por sidomos shpërthen lufta midis dy brigjeve të lumit Tago. Sporting e konsideron Eusébion të teseruarin e tij dhe apelon në Federatë, në një grindje që pas më shumë se 7 muajsh e shikon si humbës. Në krahun e kundërt ndjehen në një gjendje ankthi. «Nëqoftëse Bauer mendon se djaloshi vlen 20 mijë dollarë (shifra e kërkuar nga Lourenço, shënimi im.), atëhere ky djalosh duhet të jetë i zoti», i thotë Guttman presidentit të tij. Pesë javë më vonë, Eusébio nënshkruan marrëveshjen dhe fluturon drejt Lisbonës sëbashku me hungarezin. Ky është një version, i përcjellë në një libër, “International Football Book No. 9”, i botuar më 1967 nga shtëpia botuese londineze “Souvenir Press”. Një tjetër, më pak i besueshëm, dhe deridiku komplementar, bazohet mbi teoremën që do Sporting Clube të themeluar nga tifozët e Sporting Lisbona dhe kështu një lloj dege të saj.

Praktikisht, të dy shoqëritë bashkëpunonin prej vitesh dhe probleme nuk kish pasur kurrë, edhe pse nuk kish pasur asnjëherë fenomene (domethënë “llokma” për t’u ndarë) si Eusébio. Në futboll, dje ashtu si sot, ishte në modë të kaloheshin në sitë (jo akoma ish) kolonitë në kërkim të talenteve më të mirë. Në atë sezon, 1960 – 1961, vetë Benfica, e cila do të fitonte Kupën e parë të Kampioneve, rreshtonte 4: qendërsulmuesin e kapitenin José Águas, portierin Costa Pereira dhe mesfushorët Joaquim Santana e Coluna. Sipas legjendës, kur Sporting thërret Eusébion në Lisbonë për një provim, të parët që paraqiten në aeroport janë njerëzit e Benficas. Akoma i lirë nga detyrime kontraktore, lojtari, sëbashku me dy komponentë të stafit teknik të klubit, fshihet në hotelin e një fshati peshkatarësh në Algarve, në Portogalinë e jugut, ku i kalon ditët duke u stërvitur në plazh. Nga aty tek teserimi në formacionin e rezervave, hapi është i shkurtër. Në debutimimin me skuadrën e parë, në miqësore, mozambikasi nuk prek top me këmbë. I rritur në një futboll primitiv, në kontaktin me atë europian ndjehet i shpërfytyruar. Pas një kritike të ashpër, Guttman i jep një shans të dytë: kundër skuadrës First Vienna.

Eusébio duket i transformuar. Lëvizjeve të zakonshme prej gazele me të cilën u imponon ritmin mesfushorëve të vet, i shton një repertor prej qendërsulmuesi të kompletuar, i aftë të luajë sulmues i parë apo në mbështetje të tyre dhe të gjuajë në rrjetë me “shute” të tmerrshme, me të djathtën e me të majtën (më mirë me këtë të dytën). Për më shumë, shënon një dygolësh. Guttman, që megjithëse ka parë shumë, shqyen sytë nga habia. As edhe një muaj pas suksesit kontinental, Benfica ftohet nga Racing Club për Turneun e përvitshëm të Parisit. Në Parkun e Princave ndeshet me Santos e Pelésë, autor i një trigolëshi qysh në pjesën e parë. 30 minuta përpara mbarimit, me brazilianët në avantazh 5 me 0, Guttman e fut në fushë në vend të gjysëmsulmuesit Santana. Në prani të Perlës së Zezë, Eusébio e humbet ndeshjen 3 me 6, por i realizon kampionit të botës Gilmar të gjitha golat e skuadrës së tij, nga e cila, natyrisht, nuk del më.

Më 8 tetor 1961 debuton (me gol) në kombëtare, 4 me 2 në Luksemburg në një ndeshje kualifikimi për Botërorin kilian. Pak muaj më vonë, falë edhe magjive të “puntero”-s së saj, Benfica kthehet në finalen e Kupës së Kampioneve.

Më 2 maj, në Olympisch Stadion të Amsterdamit, megjithëse duke qenë kampione në fuqi, ndeshet si jofavorite me Real Madridin e Di Stéfanos, Puskásit e Gentos. Pas 23 minutash, merengueset udhëheqin 2 me 0 (Puskás). Benfica barazon me Águas e Cavém, por në minutën e 38-të Koloneli bën tris. Në pjesën e dytë, pas barazimit të Colunas (minuta e 51-të), shpërthen “A Pantera Negra”. Fillimisht fiton dhe transformon penalltinë e 4 me 3 dhe më pas me një gjuajtje bombë nga një goditje dënimi nënshkruan rezultatin 5 me 3, që në moshën 20 vjeç e gjysëm e vë në fronin e Europës. Ndërsa në atdhe fiton gjithçka (në 15 sezone, 11 kampionate dhe 5 kupa kombëtare, plus 7 tituj si golashënuesi më i mirë), në Kupën e Kampioneve arrin tri finale të tjera, por i humbet të gjitha.

Në Wembley 1963, 1 me 2 me AC Milan (të cilit i shënon golin iluziv të avantazhit). Në San Siro, dy vjet më vonë, 0 me 1 me Inter. Sërish në Wembley, më 1968, 1 me 4 pas kohës shtesë kundër Manchester United. Humbje jo të privuara nga ankesat. «Pa i hequr asgjë Milanit, – kujton ai, – u penalizuam nga dëmtimi i Colunas (Pivatelli i theu një këmbë me një ndërhyrjeje shumë të ashpër, shënimi im.), sepse në atë kohë nuk lejoheshin zëvendësimet». Më 1965, vit në të cilin fiton Topin e Artë pikërisht përpara interistëve Facchetti, një prej kundërshtarëve që ka admiruar më shumë, e Suárez, futet edhe shiu: «Tradhetuar nga topi i lagët, Costa Pereira lejon t’i kalojë mes këmbëve një gjuajtje e Jair. Një gafë historike».

Kundër “Djajve të Kuq”, pak minuta përpara minutës së 90-të, një pritje e mrekullueshme e Alex Stepneyt i mohon golin që sipas të gjitha gjasave do nënkuptonte kupën. Në vend që të hidhërohet apo të mallkojë fatin cinik e të pamëshirshëm, Eusébio vrapon të përshëndetet me kundërshtarin, gjest i shpërblyer nga spektatorët me një ovacion të pambarimtë. Nga ana tjetër, publiku anglez e njihte mirë pasi e kish admiruar në Botërorin e dy viteve më parë, i mbyllur si golashënuesi më i mirë me 9 gola (16, përfshi dhe ato në grup) dhe vendin e tretë, rezultati më i mirë në historinë e Portugalisë. I paharrueshëm, në stadiumin “Goodison Park” të Liverpoolt, dygolëshi i tij në praninë e të dëmtuarit Pelé (që me Santos e kish mundur në Ndërkontinentalen e 1962) dhe katërgolëshi (me 2 penallti) në çerekfinale kundër Koresë së Veriut, duke kaluar nga 3 me 0 i minutës së 24-ët në 3 me 5 përfundimtarë. Natyrisht këmba e tij është edhe në golin e pestë, në formën e një asisti për José Augusto. Edhe njëherë akoma, Wembley nuk i është me fat. Nën dy gola në gjysëmfinale me të zotët e shtëpisë, rihap garën duke shënuar nga pika e bardhë, por Anglia reziston dhe shkon në finale. Pas fishkëllimës së trifishtë të arbitrit Schwinte, lotët e mozambikasit bëjnë xhiron e botës.

As edhe koha për t’u tharë dhe shënon ndaj Bashkimit Sovjetik në 2 me 1 që vlen vendin e tretë. Magjitë botërore të Eusébios bindin padronin interist Angelo Moratti që të bëjë të pamundurën për të mos përsëritur më aferën Pelé, që, siç thuhet, nuk përfundoi për një qime. Në pranverën e 1966, sëbashku me të shoqen, portugezi kalon dy javë pushime në Liqenin e Comos. Të paktën, kjo është ajo që u tregon gazetarëve. Në të vërtetë, është atje për të nënshkruar një kontratë 3 vjeçare dhe të gjejë shtëpi. Një operacion prej 500 milion liretash, gjysma Benfica, gjysma lojtarit. Shtëpia gjehet me ngut, por në verë Koreja e Veriut shkatërron gjithçka: katastrofa kaltëroshe e Middlesbrough e detyron Federatën në mbylljen e kufijve dhe kështu që lamtumirë Eusébio, i cili nuk e priti shumë mirë: «I mallkova koreanoveriorët, grisa kontratën dhe mbeta tek Benfica». Më 1974, pas vitesh dhimbjeje në gjurin e majte dhe 6 incidenteve të cilëve u kishin pasuar po kaq ndërhyrje kirurgjikale, Pantera e Zezë duhet t’u dorëzohet lëndinave më pak lodhëse, megjithëse janë sintetike, të NASL-së, la North American Soccer League. Eusébio debuton më 1975 me skuadrën Boston Minutemen, më pas nënshkruan për Toronto Metros, të cilën e drejton drejt titullit 1976, pas një sezoni prej 40 pikësh dhe një goli në “Soccer Bowl”, të fituar 3 me 0 ndaj Minnesota Kicks. E riprovon në Meksikë, duke fituar kampionatin në Monterrey. Një vit më vonë është tek Las Vegas Qucksilver, më pas vërshojnë titujt, në kuptimin letrar, sepse për jetën e tij xhirojnë një film, të titulluar “Sua Majestade o Rei”. Eusébio kthehet në Lisbonë, si komentator dhe monument në mish e kocka i futbollit portugez. Ai prej bronzi, i zbuluar për 50 vjetorin e tij, është jashtë Estadio da Luz, në kujtim të paharruar që «qe një afrikan nga Mozambiku, lojtari më i mirë i të gjithë historisë së Portugalisë: Eusébio, këmbë të gjata, duar të gjata, shikim i trishtuar». Gjejeni se kush i ka shkruar.

 

Skeda Eusébio da Silva Ferreira

Data dhe vendlindja: 25 janar 1942, Lourenço Marques (sot Maputo), Mozambik

Shtetësia: portogeze

Roli: qendërsulmues

Gjatësia dhe pesha: 177 cm për 75 kg

Klubet si lojtar: Os Brasileiros, Sporting Clube Lourenço Marques (1957 – 1961), Benfica (1961 – 1975), Rhode Island Oceaners (SHBA; Regional 1976), Boston Minutemen (SHBA; NASL 1975); Monterrey (Meksikë, 1975 – 1976), Toronto Metros-Croatia (NASL, 1976); Beira Mar (1976 – 1977); Las Vegas Quicksilver (SHBA; NASL 1977); União de Tomar (Kategoria e Dytë, 1978 – 1979), Neë Jerseys Americans (SHBA, Regional 1979)

Ndeshje (dhe gola) me Benfica: 365 (383)

Ndeshje (dhe gola) në Kategorinë e Parë portogeze: 313 (320); 301 (317) me Benfica; 12 (3) me Beira Mar

Ndeshje (dhe gola) në gara zyrtare: 715 (727)

Ndeshje (dhe gola) në kupat europiane: 76 (57)

Ndeshje (dhe gola) me kombëtaren: 64 (41)

Debutimi në kombëtare: 8 tetor 1961, Luksemburg – Portogali, rezultati 2 me 4 (1 gol)

Trofè: 11 kampionate portogeze (1961, 1963, 1964, 1965, 1967, 1968, 1969, 1971, 1972, 1973, 1975); 5 Kupa të Portogalisë (1962, 1964, 1969, 1970, 1972); 1 Kupë Kampionesh (1962); një herë Top i Artë  (1965): 2 herë Këpucë e Artë (42 gola më 1968, 40 më 1973), 1 kampionat meksikan (1976); 1 kampionat NASL (1976); 7 herë golashënues më i mirë i kampionatit portogez (28 gola më 1964 e 1965, 25 më 1966 (sëbashku me Ernesto Figueiredon e Sporting Lisbona), 31 më 1967, 42 më 1968, 20 më 1970, 40 më 1973)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button