Bota

Evropa e re, ose ribërja e estetikës politike

Screen Shot 2016-01-02 at 10.30.43

Nga Ulrike Guerot

Në vitin 1543 Andres Laguna, një mjek i shquar, mbajti një fjalim në Universitetin e Këlnit, në të cilin ai iu referua një gruaje që i kishte shkuar për t’i kërkuar ndihmë:”Një grua erdhi tek unë dhe dukej se qe në një gjendje shumë të keqe:ajo po qante me dënesë, e trishtuar, e zbehtë, me krahët dhe këmbët e lënduara për shkak të rrahjes, sytë e saj ishin bosh, ajo ishte e tmerruar”. Gruaja quhej Evropa, dhe ajo i tregoi Lagunas për vuajtjet e saj.

Dikur ajo kishte qenë shumë e bukur, por qe keqtrajtuar vazhdimisht dhe për pasojë ishte rrënuar pasi ishte sfilitur edhe nga një numër sëmundjesh. Në alegorinë e Lagunas, forma e  paprekur dhe e bukur e femrës, përfaqësonte Evropën e shëndetshme e të bashkuar të shekullit të XVI-të – para zhvillimit të hershëm modern të shteteve. Në vitin 1532 Makiaveli shkroi ”Princin”.

Ka qenë një rrugë e gjatë, nga Evropa dikur e bukur, drejt një BE-je që lëkundet mes krizash në shekullit XXI-të, një rrugë në të cilën ideja evropiane u devijua fillimisht si pasojë e qerthullit të shtetit-komb, dhe pastaj u ngatërrua në dinamikën e saj kryesisht luftarake.

Projekti i Shteteve të Bashkuara të Europës, një ide e promovuar nga shkrimtari i famshëm francez Viktor Hygo në shekullin XIX-të dhe Aristid Brian apo Rikard Kalerzhi në shekullin XX-të, dhe e miratuar më pas nga etërit themelues të Komunitetit Europian, thjesht po falimenton para syve tanë.

Si projekti ashtu edhe plani konkret ishin keqkonceptuar; mësimet historike të shekullit të kaluar nuk u përvetësuan si duhet. Është thjesht e pamundur për shtetet-kombe që të përbëjnë Evropën; uniteti evropian s’mund të krijohet nga shtetet-kombe. Leviatani mashkull, shteti-komb, është në të njëjtën kohë antiteza e një Evrope pa kufij, trupi përfshirës femëror në të cilën të gjithë popujt dhe kombet e Evropës kanë vendin e tyre organik; të gjithë ata kanë nevojë ta mbajnë Evropën në shëndet të mirë. Por ata nuk mund të jetë sovranë, si një shtet-komb.

Në vitin 1963 Valter Hallshtajn shkroi:”Evropa që ne kemi në mendje, nuk është një federatë e shteteve-kombe, as vetëm hapësira e tyre e përbashkët ekonomike. Politikë evropiane do të thotë zhvillimi i politikës rajonale, duke përfunduar me një Evropë të përbërë nga një rrjet rajonesh të lira, që do të thotë:tejkalim i pabarazisë ndërmjet kombeve të mëdha dhe të fuqishme, dhe popujve të vegjël e të pafuqishëm politikisht”.

Por kapërcimi i shtetit-komb, ka dështuar sërish. Dhe Gjermania, “kombi i vonë” për të cilën u konceptua procesi e integrimit evropian në vitin 1950, që prej 1989-ës rizbuloi nacionalizmin, duke kërkuar një ‘normalitet kombëtar’ me energji të përtërira, që nga përralla e zanave në verën e 2006 me organizimin e Kampionatit Botëror të Futbollit.

Megjithatë mungesa e ndenjës kombëtare ishte për Gjermanisë kusht për normalitetin evropian deri në vitin 1989. Çdo përpjekje për të menduar për ribashkimin e Gjermanisë dhe të Evropës së bashku, ngërthente një kontradiktë; ideja evropiane do të dështonte. Ishte një shteg i shkurtër  nga ‘normaliteti’ gjerman drejt supremacisë gjermane (krizës së Grexit) dhe pafuqisë gjermane (krizës së refugjatëve).

Kushdo që refuzon i pari solidaritetin, s’mund ta pretendojë atë më vonë. Evropa po vuan edhe një herë nga mosfunksionimi i shumë organeve. E gjitha kjo mund të etiketohet në një mënyrë më të drejpërdrejtë. Studimi njohës i Projektit Evropian LEAP, ka zbuluar se sistemet komplekse kanë shumë më pak kapacitete parandaluese, edhe nëse individët të ndryshëm mund të japin paralajmërime për shkak të krizave të mundshme; ato funksionojnë përherë në mënyrë reaktive; kanë vështirësi në përshtatjen e kushteve në ndryshim të shpejtë; dhe pasi kriza ka ardhur, sistemet komplekse s’mund të bëjnë asgjë në lidhje me të.

Koncepti i ‘krizës’ vjen nga greqishtja dhe do të thotë ‘vendim’. BE-ja do të jetë sërish në mesin e një krize, për të vendosour njëherë e mirë mbi atë që do të dojë të jetë dhe çfarë duhet të jetë:një unitet politik. Por e përfshirë në krizë, ajo nuk mund ta bëjë këtë.  BE nuk është më e aftë për të bërë punën e nevojshme për problemet e brendshme politike: populizmi, kriza në eurozonë, ajo e refugjatëve dhe tanimë terrorizmi, që të gjitha trajtohen si çështje të veçanta, secila sipas politikave kombëtare.

Franca mund të përjashtohen nga shkurtimet financiare evropiane, për të patur mundësi të bëjë luftë, por s’ka mundësi t’i bëjë periferitë e Parisit vende më të mira për të jetuar, për një rini të pakënaqur dhe pjesërisht të radikalizuar. Greqia mund të shpenzojnë para për refugjatët, por nga ana tjetër duhet t’u marrë shtëpitë qytetarëve, të cilët s’mund të paguajnë hipotekat e tyre.

Nuk ka asnjë gjurmë të një qeverie dhe një buxheti, asnjë gjurmë të veprimit dhe unitetit efektiv. Qeverisja e errët dhe një numër grupimesh të BE-së, kanë shkaktuar një paligjshmëri sistematike, dështimi politik, humbjen e besimit dhe populizëm. Boshllëku i krijuar nga dhoma motorike e evropiane, është mbushur me një sharmin dinak të tundimit kombëtar, që nuk ofron asnjë zgjidhje, por siguron flamujt, simbolet dhe arratinë drejt një estetike patriotike.

Komunikimi politik është gjithmonë edhe estetik. Mbretëria estetike, siguron formën në të cilën çdo gjë që duhet të kuptohet sapo duhet të shfaqet politika. Nëse s’ka estetikë, nuk ka politikë. Dhe mbi të gjitha, Evropa e BE-së si një formë politike, ka hequr dorë nga dimensioni i saj estetik; dhe rezultati është natyra groteske e krizës aktuale.

Në retrospective, ndoshta do të kuptohet se BE-ja po e vuan mungesën e estetikës politike; sikurse psikoanalisti francez Fransua Dolto tha dikur:”çdo gjë është gjuhë”. Brukseli ndërtoi një treg të brendshëm me të cilin, siç e pranoi edhe Zhak Delor, nuk mund të bihet dot në dashuri. Ishte një sistem në vetvete i veçantë, që nuk mund të shpjegohej; një narrativë që s’mund të gjendet apo bartet nga marrëdhëniet me publikun; qe një qeverisje shumë-nivelëshe pa kompetenca të qarta, në lidhje me integrimin e tregjeve, pa një themel demokratik për unitetin evropian, dhe pa barazi qytetare.

Qindra libra janë shkruar për të shpjeguar natyrën e ‘kafshës’ politike evropiane. Ajo nuk mund të ketë sukses, sepse thelbi i saj ekzistencial ishte e paqartë:në rrënjë, Evropa e BE-së ka shpërfillur dhe vazhdon të shpërfillë të gjitha idetë themelore demokratike, që historia politike e Europës ka prodhuar ndonjëherë.

Në 1792, Imanuel Kant shkroi se “Kushtetuta civile e çdo shteti duhet të jetë republikane”. Që nga koha e Aristotelit dhe Ciceronit, ideja e republikës ka qenë pjesë e kapitalit kulturor të Evropës, sa herë që kjo ishte një çështje e qytetarëve, duke krijuar një formë të unifikuar politike. Është koha për të ringjallur atë lloj Evrope.

Res publica është një e mirë dhe e përbashkët publike. Asgjë nuk mungon më shumë në Evropë sot. Kjo nuk është një çështje e integrimit të shteteve, por e bashkimit të qytetarëve. Trashëgimia post-revolucionare republikan është edhe parimi i përgjithshëm i barazisë politike. Në 1789 Revolucioni Francez, vendosi themelet e barazisë politike si diçka përtej klasës.

Projekti evropian i shekullit të XXI-të, duhet të bazohet në barazinë e të gjithë qytetarëve evropianë përtej kombit. Evropa duhet të ri-konceptohet nga parimi i barazisë së të gjithë qytetarëve evropianë, si përsa i përket barazisë zgjedhore ashtu edhe fiskale. Në qoftë se mund të fitojë joshje, atëherë ai është në rrugën e ndërtimit të një sistemi politik funksional për një Evropë të bashkuar, në të cilën të gjallojnë rajonet evropiane më shumë sesa kombet mbështetja kushtetuese për një republike evropiane. Pasi Evropa të përfundojë fazën e saj aktuale distopiane, është kjo do të duhet të mbahet mend.

“Eutopia Magazine” – Në shqip nga “Bota.al”

Leave a Reply

Back to top button