Nga Hans Ajshel, Jurgen Habermas, Roland Koh, Friedrih Merc, Bert Ryrup dhe Brizhit Zipri
Pas 55 milionë vdekjeve të shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore, dhe pasi shekujt e luftrave nacionaliste dhe imperialiste e katandisën Evropën në rrënoja, popujt dhe qeveritë kombëtare në të gjithë kontinentin, e kuptuan më në fund se uniteti evropian, ishte e vetmja mënyrë për ta ndaluar këtë çmenduri.
Emanuel Kanti e kishte këtë vizion që 150 vjet më parë, në traktatin e tij filozofik “Për Paqen e Përjetshme”. Kështu më në fund, udhëheqësit e Evropës vendosën ta bënin atë realitet. Gjatë dekadave të ardhshme, u shfaqën Tregu i Përbashkët, Komuniteti Europian dhe Bashkimi Europian, i pasuar nga një monedhë e përbashkët. Diktaturat u shembën, dhe demokracia mbizotëronte në të gjithë kontinentin.
Një Evropë pa kufij të brendshëm u bë realitet:Çdo qytetar i BE-së, mund të kërkojë punë në çdo vend të BE. Sipërmarrësit janë të lirë të hapin biznese, kudo që u pëlqen. Ne mund të blejmë dhe shesim mallra pa ndonjë tarifë nëpër vendet e unionit. Shërbimet mund të ofrohen kudo. Të rinjtë evropianë, mund të arsimohen në çdo universitet në Evropë.
Dhe, si të gjithë ne, edhe ata mund të përjetojnë diversitetin kulturor të Evropës, dhe vlerat dhe traditat e përbashkëta që e mbështesin atë. Dhe le të jemi të qartë:kontinenti ynë nuk kishte përjetuar kurrë 73 vjet paqe, gjatë gjithë historisë së tij të gjatë. Këto janë arritje të mëdha të Bashkimit Evropian.
Ai është shumë më tepër, sesa thjesht një projekt ekonomik:Është një projekt kulturor, një hap civilizues, për të cilin e gjithë bota na zili. Por e gjitha kjo është në rrezik. Nacionalizmi, po ngre sërish kokën e tij të shëmtuar në mbarë Evropën. Solidariteti po i lë vendin egoizmit, sikur të kemi harruar atë që gjenerata e mëparshme mësoi nga historia.
Nga jashtë, Donald Trump, Rusia dhe Kina po testojnë unitetin e Evropës, gatishmërinë tonë për të qëndruar të bashkuar për vlerat tona, dhe për të mbrojtur mënyrën tonë të jetesës. Ndaj këtij presioni, mund të ketë vetëm një përgjigje:solidariteti. Kjo do të thotë të kundërshtohet nacionalizmi dhe egoizmi në shtëpinë tonë, ndërsa ndaj botës të tregojmë unitet dhe ndajmë sovranitetin.
Dhe kjo është përgjigja që qytetarët e Evropës, secili prej nesh, duhet të japin tani. Si gjermanë, francezë, italianë dhe polakë jemi shumë të dobët. Vetëm së bashku mund të rikonfirmojnë veten tonë në shekullin XXI-të. Ne duam që BE të mbrojë mënyrën tonë të jetesës, dhe të krijojë prosperitet për të gjithë.
Ne duam që Evropa të mbështesë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe solidaritetin global në luftën për ruajtjen e burimeve natyrore. Tani duhet të ndërmarrim hapa të mëdhenj. Zhytja nga kriza në krizë, siç kemi bërë kohët e fundit, rrezikon çdo gjë që kemi arritur.
Për të shmangur këtë, ne besojmë se Evropa duhet të thellojë integrimin e politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë. Ajo duhet të punojë drejt ngritjes së një ushtrie të përbashkët evropiane.
Dhe kjo nuk do të thotë se do të na duhen më shumë para për këtë:anëtarët evropianë të NATO-s, e kalojnë aktualisht Rusinë në raportin 3 me 1, sa i përket shpenzimeve mbi mbrojtjen.
Ajo që na duhet është kapërcimi i politikave të mbrojtjes, në shkallën e vogël të shteteve kombe. Kështu, ne do të projektojmë shumë më tepër fuqi ushtarake, pa asnjë kosto shtesë. Gjithashtu, meqë nuk jemi më të prirur për të zhvilluar luftëra kundër njëri-tjetrit brenda Evropës, s’kemi më nevojë për ushtritë kombëtare. Dhe meqenëse forcat e armatosura të Evropës, nuk janë të drejtuara kundër askujt, krijimi i një ushtrie evropiane duhet të kombinohet me nismat e kontrollit të armëve dhe ç’armatimit.
Gjermania dhe Franca, duhet të ftojnë vendet themeluese të BE-së, por edhe Poloninë dhe shtetet balltike që t’i bashkohen kësaj ushtrie që nga fillimi. Kështu do t’i tregojmë botës se jemi të bashkuar, dhe se nuk do të lejojmë të dobësohemi dhe përçahemi. Evropa mund të jetë e besueshme jashtë vendit, vetëm nëse është e bashkuar brenda unionit.
Eurozona, thelbi dhe zona më e përparuar e projektit të unitetit evropian, është e brishtë. Gjithkush e di këtë. Një monedhë e përbashkët, sjell përfitime për të gjithë:Promovon shkëmbimin në të gjithë kufijtë e brendshëm, dhe në të gjitha fushat. Ajo na mbron nga sulmet spekulative, brenda një zone të madhe dhe të fortë ekonomike.
Por një monedhë e përbashkët, kërkon që të gjithë të mendojnë përsa i përket pagave dhe çmimeve jo më në një nivel kombëtar, por në një kontekst evropian. Pra një monedhë e përbashkët, mund të nënkuptojë në parim një politikë monetare të përbashkët. Por kjo mund të dobësojë vendet më të dobëta, dhe të forcojë ato më të forta.
Pra, politika monetare kërkon stabilizues, për të zbutur dhe kompensuar këto rezultate. Dhe kjo kërkon përpjekje nga të gjithë. Ne i bëjmë thirrje qeverisë gjermane të ndërmarrë hapa të guximshëm, së bashku me presidentin francez Emanuel Makron, për të forcuar bashkimin ekonomik dhe monetar.
Ne kemi nevojë për një politikë buxhetore për zonën e euros, e cila t’i shërbejë kohezionit dhe qëndrueshmërisë në të gjithë zonës. Ne gjithashtu kemi nevojë për një politikë të përbashkët të tregut të punës, ndoshta duke përfshirë sigurimin e papunësisë në mbarë BE-në. Vetëm atëherë, do ta bëjmë të besueshëm bashkimin evropian.
Dhe për t’i realizuar këto, duhet të jemi gati për kompromise të mëdha- duke përfshirë gatishmërinë e Gjermanisë, për të dhënë kontribute më të mëdha financiare. Etërit themelues të Evropës, duke përfshirë ish-kancelarin Konrad Adenauer, e dinin se uniteti evropian mund të kishte sukses, vetëm nëse dallimet e pasurisë midis vendeve, nuk do të ishin shumë të mëdha.
Ata e dinin se uniteti evropian është gjithashtu një premtim i prosperitetit për të gjithë qytetarët, i financuar nga dividenti i paqes.
Edhe Helmut Kol e dinte këtë, dhe veproi në përputhje me rrethanat. Dhe kjo gjithashtu i ka shërbyer për mirë edhe Gjermanisë. Europa do të jetë ajo që evropianët bien dakord, përndryshe nuk do të ekzistojë. Ajo që e bën Evropën të fortë, forcon të gjithë evropianët; ajo që dobëson Evropën, i dobëson të gjithë evropianët.
Shënim: Hans Ajshel, ish-ministër gjerman i Financave; Jurgen Habermas filozof dhe sociolog gjerman; Roland Koh ish-kryeministër i landit gjerman të Hesenit, Friedrih Merz avokat dhe politikan i CDU, Bert Ryrup, ekonomisti kryesor i grupit “Handelsblatt”; Brigit Zipris, ish- ministre e Drejtësisë dhe ministre aktuale e Ekonomisë në Gjermani.
Burimi: Handelsblatt – Në shqip nga bota.al