Bota

Evropa, një ishull sigurie përballë pjesës tjetër të botës

Tashmë e kanë kuptuar të gjithë. Bota e sotme është ‘përmbytur’ nga pikëpyetjet dhe të panjohurat, shkruan Bernard Guetta në “France Inter”. Me një bilanc eksportesh në tepri në një mënyrë të pashembullt, Gjermania konsiderohej si një ishull i stabilitetit politik. Por qëkur socialdemokratët kanë gjetur një kandidat të ri në personin e Martin Shulcit, ish-presidentit të Parlamentit Evropian, rizgjedhja e Angela Merkeli në zgjedhjet e shtatorit nuk është më e garantuar. Në teori, Merkel duhet të rizgjidhet pasi kristiandemokratët janë shumë më përpara në sondazhe, por në aspektin e popullaritetit personal Shulc gjendet në të njëjtin nivel me kancelaren.

Çdo gjë është e mundur, sepse në Gjermani, ashtu si në vende të tjera votuesit duan të rebelohen kundër pabarazisë sociale, duke dërguar në shtëpi politikanët në krye të qeverive. Si kancelar, Shulc do të ndryshonte erën në Evropë, duke e kaluar Gjermaninë në fushën e mbështetësve të politikës së ngritjes ekonomike nëpërmjet investimeve.  Në BE situata mund të ndryshojë për mirë, po të mos që për faktin se askush nuk e di se nga do të anojë Franca, me një të majtë në kërkim të vetvetes, një të djathte që ka humbur dhe të djathtës ekstreme që është duke pritur tek dera.  Pasiguria është edhe më e madhe në Londër, ku kryeministrja Mej është e detyruar të distancohet nga Donald Trampi, njeriu mbi të cilin ajo synonte të mbështetej për të realizuar me sukses procesin e Brexit, duke zëvendësuar Evropën me Shtetet e Bashkuara. Tre fuqi evropiane, tre pikëpyetje. E megjithatë, krahasuar me pjesën tjetër të botës, unioni është një ishull sigurie. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button