AnalizaCovid19

Evropa pret vaksinat e para anti-Covid, sfidë mbetet furnizimi dhe shpërndarja

“The Economist”

Berlin- Në një vit të zakonshëm “Velodrom”, një arenë e mbyllur në Berlin që mund të mbajë rreth 12.000 njerëz, pret ngjarje sportive, shfaqje tregtare dhe koncerte. Këtë vit, “koncerti” më i madh për të cilin po përgatitet ai është një vaksinim masiv.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, në fillim të janarit njerëzit do të fillojnë të mbajnë radhën për 75 kabinat që janë ngritur aty për të marrë dozën e parë të vaksinës anti-Covid. Dy nga aeroportet e papërdorura të Berlinit, por dhe vendetë tjera po shndërrohen gjithashtu në qendra vaksinimi.

Plani është të jemi gati të vaksinojmë 20.000 berlinezë në ditë për 6 javë. Kjo do të përbënte 10 për qind të banorëve të qytetit, kryesisht të moshuarit. Gjermania po nxiton të krijojë më shumë se 430 pika masive të vaksinimit. Po ashtu, ajo po organizon ekipe vaksinimi të lëvizshme për në azilet e të moshuarve.

Në pranverë, vaksinat do të bëhen të disponueshme për zyrat e mjekëve. Ekipet e lëvizshme do t’i vizitojnë të sëmurët në shtëpi. Vendet e tjera evropiane po përgatiten gjithashtu për këtë fushatë, edhe pse shumica janë shumë prapa Gjermanisë.

Italia ka në plan të krijojë 300 pika vaksinimi kundër Covid-19, duke nisur me ato në spitale, së bashku me njësitë lëvizëse. Ndërkohë ka shumë vonesa në Evropën Lindore, ku disa vende nuk kanë bërë shumë, duke ngritur vetëm Task-Forcat për këtë fushatë.

Autorizimi fillestar për vaksinimin në Bashkimin Evropian do të jepet më 29 dhjetor, kur Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), pritet të vendosë mbi një vaksinë anti-Covid të krijuar nga Pfizer dhe BioNTech, e cila tashmë ka marrë miratimin në Britaninë e Madhe.

Më 12 janar EMA do të autorizojë përdorimin e një vaksinë të dytë, të zhvilluar nga kompania amerikane Moderna. Vaksinat e tjera anti-Covid që janë ende në prova klinike do të vijojnë. Nga ajo që pritet, në një moment gjatë vitit 2021, shumica e vendeve evropiane mund të përdorin 2 ose më shumë vaksina anti-Covid njëkohësisht.

Pra do të nevojitet një përzierje e vaksinave. Kjo pasi furnizimi global me secilën prej tyre do të jetë problem për muaj të tërë. Gara e fortë për vaksinat gjatë pandemisë së virusit H1N1 (Gripi i Derrit) i vitit 2009, bëri që disa vende evropiane të ishin paafta të siguronin ndonjë sasi.

Të shqetësuar për këtë skenar, Komisioni Evropian, dega ekzekutive e BE, nënshkroi në fillim të këtij viti disa marrëveshje të përbashkëta të para-blerjes së vaksinave në emër të 27 vendeve anëtare me zhvilluesit e disa vaksinave të mundshme anti-Covid.

Këto kompani morën qindra miliona euro për të ngritur strukturat e prodhimit në masë. Madje,para se të aprovoheshin vaksinat e tyre. Në këmbim, ata po rezervojnë sasi të mëdha të vaksinës së tyre për BE-në me një çmim të caktuar paraprakisht.

Kur sasitë e para të jenë gati, vaksinat e aprovuara do të shpërndahen nga prodhuesit në çdo vend të BE-së, në proporcion me popullsinë e tij. Për momentin, unionit i janë premtuar deri në 300 milion doza të vaksinës së Pfizer dhe 160 milion doza të Moderna-s.

Që të dyja kërkojnë nga 2 doza për person, ndaj kjo sasi duhet të jetë e mjaftueshme për të mbuluar 60 për qind të të rriturve në BE. Problemi është se jo shumë doza do të jetë gati para pranverës, madje edhe nëse do të ketë një rritje të ndjeshme të prodhimit, gjë që nuk është e garantuar, duke pasur parasysh faktin që vaksinat janë të reja, dhe zinxhirët e prodhimit përfshijnë disa vende.

Në fillim të vitit 2021 Italia, një vend me 60 milion banorë, pret që të marrë doza nga dy vaksinat për vetëm 4.7 milion njerëz. Sipas disa vlerësimeve, nëse Gjermania mbështetet vetëm tek pjesa që i takon në fillim nga vaksina Pfizer, do t’i duhen 2 vjet për të vaksinuar rreth 60 për qind të popullsisë së saj, që është pragu i vlerësuar për arritjen e “imunitetit të tufës”, niveli që ndalon përhapjen e sëmundjes.

Prandaj ka që tani një padurim të disa vendeve, të cilat kërkojnë të plotësojnë vaksinat e munguara. Hungaria po importon një vaksinë ruse jo të verifikuar nga EMA. Gjermania po nënshkruan marrëveshje të reja me Pfizer dhe prodhuesit e tjerë të vaksinave, duke u bashkuar në një radhë që tashmë përfshin Amerikën, Britaninë, Japoninë dhe një konsorcium global që po ble vaksinat anti-Covid për vendet e varfra. E gjithë kjo bën që qeveritë evropiane t’i varin shpresat tek suksesi i disa vaksinave të tjera,që janë në fazat e fundit të testimit.

Meqë kërkesa do t`a tejkalojë ofertën për disa kohë, qeveritë po ndërhyjnë për të vendosur se kush do të ketë përparësi. Dhe përgjigja ndryshon sipas vendeve. Për shembull, Bullgaria,planifikon të fillojë me vaksinimin e punonjësve në spitale, pasi ka shumë raste të infektuarish me Covid-19 midis mjekëve dhe infermierëve.

Ndërkohë, Gjermania, Suedia dhe Holanda kanë vendosur që të fillojnë me të moshuarit. Ekspertët gjermanë kanë analizuar 3 skenarë:vaksinimin e atyre me sëmundje kronike, ata mbi 60-vjeç dhe njerëzit mbi 80-vjeç. Modelet e tyre statistikore sugjerojnë se edhe nëse vaksinohen vetëm 500.000 njerëz në javë për një periudhë 12-javore, do të vërehet ulja më e madhe e vdekjeve dhe shtrimeve në spitale, nëse vaksinohen që të gjitha ata mbi 80-vjeç.

Deri në prill ose maj, problemet e vaksinimit në Evropë mund të ndryshojnë në një kah tjetër: dozat e vaksinës mund të jenë më të shumta, por marrësit mund të jenë shumë të paktë. Një sondazh i IPSOS,zbuloi se në disa vende evropiane pjesa e njerëzve që thonë se do të vaksinohen ra midis muajve gusht dhe tetor.

Shumë prej të anketuarve shmangin vaksinimin vjetor për gripin, dhe kanë dyshime në lidhje me sigurinë e vaksinave të para anti-Covid. Edhe vetë mjekët janë po aq të prirur për të besuar tek keq-informimi në lidhje me vaksinat, si kushdo tjetër.

Por Jacques de Haller, një ish-president i Komitetit të Përhershëm të Mjekëve Evropianë,  thotë se disa mjekë shmangin vaksinën e gripit për shkak të arrogancës vetjake, dhe besimit se janë të paprekshëm nga sëmundja.

Bazuar në të gjitha këto, disa ekspertë kanë frikë se pa fushata të forta publike, vaksinimi në Evropë, madje edhe në vendet me arritjet me të mira, mund të jetë maksimumi vetëm 40 për qind e popullatës. Dhe fushatat masive të komunikimit publik, janë tashmë duke u planifikuar.

Ndërsa ngarkesat e para me vaksina do të fillojnë të mbërrijnë në qytetet evropiane, një pyetje e madhe mbetet pa përgjigje: A do t`a shohin njerëzit vaksinën si duhet, si mënyrën më të mirë për të mbrojtur gjyshen dhe gjyshin, për të frenuar pandeminë, dhe për t’iu rikthyer jetës normale?

Apo do ta shohin atë si një ilaç të rrezikshëm që tregtohet nga qeveri dhe korporata të pasigurta,duke vendosur të mos vaksinohen? Nëse shumë njerëz do të bëjnë zgjedhjen e gabuar ose egoiste, 2021 do të jetë një tjetër vit i tmerrshëm. / The Economist

Back to top button