Timothy Garton Ash
A duhet të jemi të gjithë gaullistë tani?
Në gjuhën e partnerit më të rëndësishëm evropian të Francës, përgjigja është “Jein!” (një fjalë gjermane që kombinon ja për “po” dhe nein për “jo”). Po, Emmanuel Macron ka pasur të drejtë kur na ka paralajmëruar që nga koha kur u bë president i Francës në vitin 2017, se, duke dalluar një prirje afatgjatë të tërheqjes së SHBA-së, Evropa duhet të jetë e gatshme të mbrojë veten.
Tani, përballë Donald Trump-it, një president të pabindur amerikan që vë në pikëpyetje një angazhim 80-vjeçar për mbrojtjen e Evropës nga Rusia, euro-atlantistë të përjetshëm si unë duhet të pranojnë se nuk na nevojitet vetëm një Evropë me më shumë fuqi – diçka për të cilën gjithmonë kam argumentuar – por gjithashtu edhe mundësia reale e një “autonomie strategjike” evropiane. Oui, Monsieur le Président, kishit të drejtë.
E megjithatë, en même temps (në të njëjtën kohë), për të përdorur shprehjen e preferuar të Macron-it, duhet të përgjigjemi “Non”. De Gaulle, një njeri i madh i kohës së tij, besonte se mbrojtja duhet të ishte ekskluzivisht në duart e shtetit kombëtar; se Bashkësia Evropiane që po formohej duhej të ishte një Evropë e shteteve (një version jo i unifikuar i Bashkimit Evropian, te i cili partitë e sotme populiste të së djathtës ekstreme ëndërrojnë të rikthehen); se Britania duhej të përjashtohej nga projekti evropian (prej nga vjen edhe “Non!” i tij i famshëm ndaj anëtarësimit britanik në atë komunitet në zhvillim); dhe se Evropa duhej të ndërtohej si një kundërpeshë ndaj SHBA-së, duke mbajtur marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
Mbi të gjitha, çdo plan realist për të mbrojtur veten nga Rusia e Vladimir Putinit duhet të fillojë me të vetmen organizatë serioze ushtarake në Evropë sot, që është NATO. Këtu gjenden forcat e dedikuara, të stërvitura dhe të ndërlidhura të të gjitha vendeve evropiane anëtare të NATO-s, komanda dhe kontrolli, operacionet ajrore të koordinuara në mënyrë komplekse, planet e detajuara për një forcë reagimi aleate që të niset për të mbrojtur kufirin lindor dhe një shkallë të besueshme të parandalimit bërthamor (kryesisht amerikan).
BE-ja nuk ka asgjë të ngjashme me këtë. Historia mund të kishte qenë ndryshe nëse ideja fillestare për të ndërtuar një Evropë më të integruar rreth mbrojtjes nuk do të ishte rrëzuar nga votat e gaullistëve (dhe komunistëve) në Asamblenë Kombëtare Franceze në vitin 1954. Sepse, siç na kujton biografi i De Gaulle-it, Julian Jackson, ai “nuk sulmoi kurrë më egërsisht një organizatë mbikombëtare, sesa Komunitetin Evropian të Mbrojtjes që dështoi të ngrihet”.
Pra, pavarësisht nga preferenca fillestare ideologjike, qoftë gaulliste apo atlantiste, nëse jeni serioz për mbrojtjen e Evropës, duhet të filloni me NATO-n – dhe pastaj të shihni se si mund ta evropianizojmë atë sa më shpejt të jetë e mundur. Por, në të njëjtën kohë, përballë pasigurisë radikale që sjell Trump-i, duhet të mendojmë sërish për zgjerimin e mbulimit të frenimit bërthamor francez dhe britanik.
BE-ja po bëhet tashmë një aktor i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes, veçanërisht në mbështetjen e Ukrainës. Dhe për shkak se si BE-ja ashtu edhe NATO-ja kanë brenda tyre bllokues pro-Putin si Viktor Orbán i Hungarisë, disa nga angazhimet më të avancuara të mbrojtjes do të kërkojnë “koalicione të vullnetarëve”, si ai për Ukrainën, mbi të cilin kryeministri britanik, Keir Starmer, ka punuar ngushtë me presidentin francez.
Ish-ministri francez për Evropën, Clément Beaune, postoi në Twitter një foto nga takimi i improvizuar i liderëve evropianë, turq dhe kanadezë që Starmer organizoi në Londër, duke e shoqëruar me tre fjalët “Les États unis” (shtetet e bashkuara). Por ka një ndryshim të madh mes të qenit “shtete të bashkuara” dhe të qenit “Shtetet e Bashkuara”, les États-Unis – një shtet i vetëm, i aftë të përdorë një fuqi ushtarake të jashtëzakonshme me një vendim ekzekutiv të vetëm.
Sfida për Evropën është të realizojë një tranzicion të shpejtë, koherent dhe të besueshëm nga siguria që kemi shijuar për gati 80 vjet, brenda një aleance të dominuar nga SHBA-ja, drejt një Evrope pa një hegjemoni të vetme, por që megjithatë është e aftë të mbrohet kundër një fuqie të madhe dhe agresive.
Ky është një mision tepër i vështirë. Të jesh një fuqi e madhe jo-hegjemonike në rregullimin e produkteve apo në politikën tregtare është një gjë; ta bësh këtë në një fushë si ajo e mbrojtjes, e cila kërkon nga të rinjtë dhe të rejat të sakrifikojnë jetën e tyre – është diçka krejt tjetër.
Ka tre pengesa kryesore për arritjen e këtij objektivi ambicioz, por tashmë ekzistencial. E para është kuptimi historik krejtësisht i ndryshëm që vendet evropiane kanë për sigurinë kombëtare. Në një krizë ndërkombëtare, çdo kryeministër britanik mendon se duhet të jetë Winston Churchill dhe çdo president francez, De Gaulle. Modelet kombëtare të liderëve të tjerë evropianë janë më pak të qarta – kancelari i pasluftës Konrad Adenauer për Gjermaninë? Marshalli i periudhës ndërmjet dy luftërave Józef Piłsudski për Poloninë? Ministri i Jashtëm i “orës së Evropës” në vitet 1990, Jacques Poos, për Luksemburgun? Por instinktet dhe kulturat e tyre strategjike janë po aq të larmishme.
Prandaj, qasja që i duhet Evropës është një Churchillo-Gaullizëm, një kombinim i më të mirës nga dy traditat më me ndikim të kontinentit tonë kur bëhet fjalë për një botë në luftë. Kjo është një formulë me të cilën nuk pajtohen vetëm Macron dhe Starmer, por ndoshta edhe shumica e liderëve evropianë.
E dyta, politikat që na duhen janë evropiane, por politika jonë demokratike mbetet ende kombëtare. Pas titullit të javës së kaluar se BE-ja do t’i kushtojë 800 miliardë euro mbrojtjes, në të vërtetë fshihen vetëm 150 miliardë euro financime komplekse evropiane. Pjesa tjetër, 650 miliardë euro, është thjesht një leje për shtetet anëtare që t’i shpenzojnë ato shuma individualisht. Çdo lider kombëtar që njofton rritjen e buxhetit të mbrojtjes e shpjegon si një mënyrë për të krijuar vende pune në vendin e tij. Por, përveç prodhimit më të madh të armëve, ajo që i nevojitet urgjentisht Evropës është racionalizimi dhe konsolidimi.
Aktualisht, Evropa ka rreth 170 sisteme kryesore armësh, krahasuar me vetëm 30 që ka SHBA-ja. Konsolidimi do të thoshte të arrihej një marrëveshje që, për shembull, një lloj avioni luftarak duhet të prodhohet në Itali dhe Suedi, duke mbyllur një fabrikë në Francë, ndërsa një sistem i caktuar mbrojtjeje ajrore duhet të prodhohet në Francë dhe Britani, duke mbyllur një fabrikë në Gjermani. Imagjinoni sa e lehtë do të jetë kjo.
E gjithë kjo po ndodh ndërkohë që shumica e vendeve evropiane janë të zhytura në borxhe dhe popullsia e tyre, që po plaket gjithnjë e më shumë, kërkon rritje të shpenzimeve për shëndetësi, kujdes social, pensione e të tjera. Kjo na çon te pengesa e fundit, e cila përmblidhet në mënyrë të përsosur në diçka që Churchill i tha De Gaulle-it kur ky i fundit i dha Kryqin e Çlirimit në vitin 1958. Duke krahasuar sfidat e ndërlikuara të viteve 1950 me qëllimin e qartë të partneritetit të tyre gjatë luftës, Churchill vërejti: “Është më e vështirë të kërkosh, madje edhe mes miqve dhe aleatëve, atë unitet jetik të qëllimit, përballë një situate botërore që nuk është as paqe, as luftë.”
Dhe pikërisht aty ndodhemi tani: diku mes paqes dhe luftës.
Siç kemi parë këto ditë, sapo shfaqet mundësia e një armëpushimi në Ukrainë, opinionet publike janë të dëshpëruara të besojnë se mund të kthehemi shpejt në mënyrën e jetesës që kishim pas vitit 1989. Tani është detyrë e liderëve evropianë jo vetëm të ringjallin shpirtin luftarak të Churchill-it dhe De Gaulle-it, por edhe t’u shpjegojnë me ndershmëri qytetarëve se po përballemi me një luftë tjetër të gjatë – dhe nëse duam vërtet paqen, duhet të përgatitemi për luftë.
Prandaj unë them: Vive l’Europe! Vive le Churchillo-Gaullisme! / The Guardian – Bota.al