BotaMAIN

Fantastike si shfaqje televizive, katastrofë si diplomaci

Presidenti Trump tha se do të ishte “televizion i shkëlqyer”. E sigurt që nuk ishte diplomaci e shkëlqyer. Përkundrazi!

Hendeku mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës u shpalos hapur përpara kamerave, në mbarë botën.

Formalitetet në Zyrën Ovale morën fund në mënyrë të papritur kur Trump deklaroi se nuk ishte i rreshtuar as me Ukrainën dhe as me Rusinë. Volodymyr Zelenskyy ngriti pyetjen se si mund të funksiononte diplomacia kur Putin “shkel armëpushimet”.

Zëvendëspresidenti JD Vance e akuzoi atë për “mungesë respekti”, duke thënë se “po përpiqej të zgjidhte çështjen përpara mediave amerikane”.

Keq e më keq

Situata u përkeqësua edhe më shumë kur Zelenskyy u përgjigj: “Ju keni një oqean të bukur dhe nuk e ndjeni tani, por do ta ndjeni në të ardhmen.”

“Mos na thuaj se çfarë do të ndjejmë… ti nuk je në pozicion për ta diktuar këtë,” ia ktheu Trump.

“Nuk i ke kartat në dorë tani… po luan bixhoz me jetët e miliona njerëzve… po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore… dhe ajo që po bën është shumë jorespektuese ndaj këtij vendi,” shtoi ai.

Atmosfera në West Wing u tensionua shumë, ndërsa përplasja verbale vazhdoi për disa minuta.

Kjo përplasje shënon një përfundim katastrofik të aktivitetit të ethshëm diplomatik në Uashington këtë javë.

Presidenti francez u përpoq të fitonte simpatinë e Trump me fjalë të bukura, ndërsa kryeministri britanik intensifikoi ofensivën e tij duke i dorëzuar një ftesë nga Mbreti.

Por Zelenskyy, i cili dukej si një njeri me peshën e botës mbi supe, zgjodhi të mos injoronte elefantin në dhomë. Në vend të kësaj, ai vazhdoi të kërkonte garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara si pjesë e çdo armëpushimi.

Fjalët e ashpra e arritën kulmin me një moment të paprecedentë në kujtesën e gjallë – Presidenti i Ukrainës u largua nga Shtëpia e Bardhë, duke u paralajmëruar që të mos kthehej derisa të ishte i gatshëm të bënte paqe. / bota.al

 

Back to top button