HistoriLetersi

Fantazma e “Lojës së Madhe”

“The great game”, loja e madhe, siç e pagëzoi Rudyard Kipling, ishte një grup paranojash bazuar në supozime të rreme dhe të ushqyera nga shtypi popullor anglez. Pas Luftës së Krimesë – ngjarja e parë ushtarake e mbuluar direkt nga reporterë – kish mbetur i famshëm artikulli i John Russell, botuar nga “Times”, mbi betejën e Balaklavas. Anglia ishte bërë një fuqi perandorake që luftonte në gjerësi dhe largësi të largëta. Në Afrikë kundër zuluve, në Zelandën e Re kundër fiseve maori, në Indi kundër sikh-ëve. Por asnjë nga këto histori luftarake nuk kishte magjepsjen dhe nuk ishte e ndjekur, ashtu si një luftë e pashpallur midis rusëve dhe britanikëve, që kishte si skenë luginat e Himalajeve, ku jetonin popullsi të çuditshme me sy blu dhe flokë të bardha, në sfondin e një peizazhi dramatik.

Në fillimet e Tetëqindës, kufijtë e perandorisë ruse ishin më shumë se tre mijë kilometra nga ato të Indisë, “copa” më e vyer e një “puzzle” të quajtur Perandoria Britanike. Por me kalimin e kohës, distanca mes dy kufijve ishte shkurtuar, duke u reduktuar në disa qindra kilometra. Tashmë gjatë sundimit të Pjetrit, politika e madhe ruse ishte bërë ekspansioniste. Duke shfrytëzuar si pretekst vakuumin e fuqive në Azinë Qendrore, ku nuk kishte kombe, por vetëm grupime fisnore të quajtura Khanates, rusët kishin aneksuar çdo vit një territor të barabartë me madhësinë e Belgjikës. Në pritje të avancimit të mëtejshëm, Cari kishte dërguar në drejtim të lindjes një personazh të jashtëzakonshëm, exploratorin e madh Nicolaji Przheval’skij, një rus me emër të pazakontë, vullnet të hekurt dhe zakone anormale seksuale. Nuk lejonte që ushtarët e tij të braktisnin uniformën dhe gjatë marshimeve rraskapitës përmes Tien Chan, malet qiellore të Azisë Qendrore, ku banonin tirghisët, i bënte të marshonin sikur të ishin në një paradë të regjimentit Preobrazhensky.

Si gjithmonë në vendet koloniale, pasi eksploratorëve vinin trupat. Në Afrikën Lindore pas Livingstone erdhën xhaketat e kuqe. Në Azinë qendrore, pas Przhevalskit, erdhën kozakët. Në 1865, qyteti i madh i mbrojtur nga një mur gjigand, Tashkenti, kishte rënë nën komandën e ushtrisë ruse dhe tre vjet më vonë ishte radha e Samarkandës dhe Buharas. Sa herë që Rusia përfshinte territore të reja, udhëheqësit e saj nxitonin për t’i treguar Ministrisë së Jashtme Britanike, se zgjerimi po shkonte drejt lindjes, drejt Paqësorit, dhe jo në jug. Dhe se Cari nuk kishte pretendime për Indinë, pasi nuk kishte plane për të zotëruar të gjithë Azinë Qendrore. Por kur rusët, tre vjet pas Samarkandës, morën Khivan, në Londër, ashtu si në Kalkutë, indinjata u rrit shumë. Të gjithë tani mendonin se ishte vetëm një çështje kohe, para se të vinin kozakët mbi kuaj, thundrat e kuajve të të cilëve do të jehonin në fushat e Indisë. Edhe marshalli, Lord Robert i Kandaharit, komandant i ushtrisë indiane nga viti ’83deri në ’93, ishte gjithashtu antirus dhe betohej që do të ndodhte pushtimi.

Eshtë e pabesueshme se si një burrë që konsiderohej ushtari më i mirë që ka pasur Anglia pas Uellingtonit, nuk ishte i informuar se nga tetë shtigjet që të shpien nga Turkestani kinez në Indi, vetëm dy ishin të kalueshme, Minthaka dhe Khunjerab, të cilët gjendeshin në lartësi mbi tetë mijë metra, kaloheshin vetëm gjatë verës dhe vetëm nga dy-tre burra njëherësh.

Por britanikët duhej ta dinin më mirë se të tjerët, që hyrja në Afganistan me forca ishte një veprim shumë i rrezikshëm. Në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, guvernatori britanik me rojet e tij personale ishin masakruar nga një turmë që kishte djegur selinë dhe disa vjet më vonë, një karvan afganësh miq të britanikëve, që shoqëronte trupat britanike, ishin vrarë para se të mbërrinin në kufi me Indinë. Në pritje të kozakëve që nuk erdhën kurrë, sundimi britanik në Indi kishte filluar përgatitjen e një rrjeti spiunësh që shkuan në male. Papritmas rrugët që ngjiteshin në Himalaje dhe kalonin në një vend dramatik si Pamiri – përcaktuar nga eksploratorët një “shkreti e neveritshme”, ku karvanët gjatë dimrit ngrinin nga era e akullt që i çonte temperaturat në minus gjashtëdhjetë gradë – nisën të përshkoheshin nga individë të çuditshëm, që shtireshin si gjuetarë ose gjeografët dhe për të shitur më mirë identitetin e tyre mbanin me vete çifte, si dhe të gjithë instrumentet e gjeografëve, si teodoliti.

Herë pas here, këta gjeografë anglezë takonin sozitë e tyre ruse në majë, pranë liqenit Karakal apo në rrëzë të malit të Mustagatas. Takimi mes spiunëve të maskuar zhvillohej sipas etiketës viktoriane dhe anglezët, të maskuar si gjuetarë, kërkonin informacione për ovis povis apo markhor, dy kafshë me brirë shumë të mëdhenj. Para se të ndaheshin, dy grupet kryenin ceremoninë e çajit: anglezët nxirrnin Darjeeling, ndërsa rusët pinin sipas traditës, një çaj shumë të fortë, të errët dhe aromatik, i quajtur karvani rus.

Rrëfimi më i mirë se si zhvillohej “Loja e Madhe” gjendet tek “Kim” e Rudyard Kipling. Protagonisti i librit ka lindur në Indi ashtu si dhe autori, por ka jetuar gjithmonë në rrugë, duke mbijetuar me grabitje të vogla frutash dhe gjërash të tjera në treg. Pamja është ajo e një djaloshi 11 vjeç, por mendësia është ajo e një të rrituri që di të vlerësojë me ftohtësi të madhe, situatat dhe njerëzit. Shkolla e rrugës i kishte mprehur aftësitë zbuluese dhe për aftësitë e tij, u pagua nga një tregtar afgan dhe kështu, u fut në “Lojën e Madhe” si spiun. E paharrueshme skena në të cilën Kim është i detyruar të memorizojë të gjithë gurët që ndodhen në një tabaka, duke shtuar ngjyrën dhe dimensionin e tyre, pasi i kish parë për pak sekonda. Rrëfimi që bën Kipling për aventurat e tij përgjatë boshtit hekurudhor të Indisë dhe përgjatë maleve të Himalajeve, është një prej përshkrimeve më të mira që janë bërë nga një perëndimor.

Në Angli pati një sukses të menjëhershëm: eksploratori Uilfred Thesiger, një prej të parëve që përshkoi shkretëtirën Rub al Khali, më e rrezikshmja në botë, mbante gjithmonë me vete një kopje të “Kim”. Ashtu si Bruce Chatuin, mbante gjithmonë me vete “The Road of Oxiana”, i Robert Bajronit.

“Loja e Madhe” iku ashtu si kish ardhur, anuluar prej strategjive të fuqive të mëdha. Tashmë, Anglinë nuk e shqetësonte më Rusia, por Gjermania dhe mes Londrës e Shën Petërsburgut pati marrëveshje reciproke që përcaktonin kufijtë në Azi, me krijimin që kishte nxitur shumë emocion, kishte prodhuar shumë letërsi dhe kishte bër ëtë shiteshin gazeta. Por asnjë luftë nuk kish marrë fund. / “History of War” – Përgatiti: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button