Te pyesësh veten se cili ishte grupi i parë Metal – shkruante rreth njëzet vjet më parë njëfarë Luca Signorelli – është si të mundohesh të gjesh adresën e Feniksit arab. Metali lindi, para së gjithash si një ekzagjerim, ose më saktë si një fortësim, ose më mirë, rritje e volumit të zërit – të një përzierje të muzikës pop, rock‘n’roll, psikedeli, blues dhe prog. Kjo përzjerje nuk mund të përmbahet në një rrëke të vetme, por në disa. Prandaj, baballarë themelues mund të gjenden disa: Led Zeppelin (blues e folk), Black Sabbath (rock e psikedeli, por edhe jazz), Deep Purple (pop e psikedeli), Grand Funk (rock e blues), Blue Oyster Cult (rock’n’roll i fillimeve, psikedeli, jazz) e të tjerë.
Të gjithë këta grupe s’kanë një parardhës: Ozzy Osbourne i qëndron mendimit se Beatles e Kinks ishin origjina e muzikës së Black Sabbath, por nuk janë të paktë ata që shohin tek “Some velvet mornig”, të grupit Vanilla Fudge, ‘’të qarën’’ e parë të metalit. Por në fakt, nuk ka sens ky kërkim duke shkuar mbrapsht në kohë. Cream, Pink Floyd, Hendrix, Jerry Lee Lewis janë origjinë e metalit, po aq sa edhe grupet e cituara më sipër.
Origjina e metalit është ajo e vetë rock/pop-it. Në SHBA, hard rock kthehet në metal në vitet ’70. Elementi katalizues është teprica pamore, dhe ajo në përmbajtje: Seksualiteti dhe fuqia e Led Zeppelin, maskat e barokut të Kiss, horroret dhe paqartësia e Blue Oyster Cult, eksesi melodik i Deep Purple, fortësia e Black Sabbath, glamour-i pervers i Alice Cooper, janë një vorbull që jo vetëm e mbërthen publikun dhe fantazitë e tij më të thella, por janë edhe zanafillë e atij procesi të prishjes së simpative të kritikës (por edhe të gjithë të tjerëve), që krijoi hendekun, i cili do të zgjerohej gjithnjë e më shumë në vitet që do të vinin. Por pak rëndësi ka kjo. Të gjithë keto grupe, lënë një shenjë që zor se do të fshihej nga fantazia e atyre që e pëlqenin. E duhet kujtuar se fansat e atëhershëm, do të bëhen më pas muzikantët (metal por edhe më shumë jo metal) e dhjetëvjeçarëve të mëvonshëm.
Faza e dytë: New Wave –i
Ndryshe nga përralla e treguar nga disa gazeta të atyre viteve, nuk ekziston asnjë rivalitet mes headbanger-ave (kështu quanin metalarët, për shkak të tundjes se kokës sa para-mbrapa) dhe lëvizjes së sapolindur, punk. E kundërta është e vërtetë. Mes dy rrymave muzikore, shumë më të afërta nga sa mendohej, do të lindnin një sërë shkëmbimesh që do të kulmonin me lindjen e të ashtuquajturës ‘’New Wave of British Heavy Metal’’, një shkollë grupesh (thuajse të gjitha me prejardhje nga zonat industriale të Anglisë), që bashkon mësimet e grupeve të fazës së parë me çmendurinë e muzikës punk, jo vetëm atë anglez që përbënte lajm, por edhe, e mbi të gjitha, atë amerikan, nga New York Dolls, deri tek Ramones.
Motorhead, Iron Maiden, Deff Lepard, Saxon, Samson, Angelwitch, Raven, (por edhe AC/DC e Judas Priest) janë disa nga këta emra. Tepër metal për t’i pëlqyer të sapoardhurve të New Wave, që e meritonte tamam këtë enmër, tepër “të çuditshëm”, për t’u pëlqyer rocker-ëve të vjetër (me përjashtim të Motorhead), gjejnë një vend të zgjedhur në zemrat e klasës punëtore angleze. Paradoksi ishte pikërisht ky: Punk-u dhe New Wave-i me gjithë pretendimet e tyre, qoftë edhe politike, janë muzikë thelbësisht prej borgjezisë së vogël, ndërsa metali të paktën në Angli, ishte sinqerisht një muzikë që çau e depërtoi lagjet e popullit: Iron Maiden ishin një lloj flamuri i East End, gjithë futboll e pub-e, Def Leppard një triumf i Sheffeld nën thembrën e Thatcher-it, AC/DC nuk fshihnin simpatinë e tyre për të majtën dhe kishin një mori fansash në jug të lumit Tamiz. Por përveçse zbritën metalin nga Olimpi i Megastar-ëve, merita e tyre ishte zgjerimi i kufijve tematikë dhe zanorë, jo vetëm me birrë, femra, makina të shpejta apo referenca okulte misterioze, por edhe me tema nga e përditshmja, të gjitha të filtruara nga një ndjeshmëri e veçantë e këtij lloji muzikor. / Bota.al