Bota

FBI: Fajin për krizën e Katarit e kanë hakerat rusë

Një hetim nga FBI ka arritur në përfundimin se hakerat rusë ishin përgjegjës për dërgimin e mesazheve të rreme nga qeveria e Katarit, duke shkaktuar krizën më të madhe diplomatike të Gjirit në disa dekada.

Besohet se qeveria ruse nuk ishte e përfshirë në këtë veprimtari të hakerave. Mendohet se hakerat e pavarur janë paguar për të ndërmarrë këto veprime, në emër të ndonjë shteti apo individi tjetër. Disa vëzhgues kanë pohuar privatisht se Arabia Saudite ose Emiratet e Bashkuara Arabe mund të kenë qenë porositësit e hakerave.

Të hënën, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahreini nisën një fushatë të pashembullt për të izoluar Katarin, diplomatikisht dhe ekonomikisht, për lidhjet e tij me Vëllazërinë Myslimane, Hamasin dhe Iranin. Të katër vendet tërhoqën ambasadorët e tyre. Ata gjithashtu filluan një bllokadë ekonomike, duke përfshirë ndalimin e hapësirës ajrore, që shkaktoi një vërshim blerjesh prej panikut në kryeqytetin Doha.

Katari pohon se operacioni i piraterisë ishte projektuar për të diskredituar emirin e Katarit duke i atribuar atij deklarata në mbështetje të Iranit dhe kritika ndaj Donald Trump. Ai ka bërë të ditur se lajmet e rreme, të cilat ishin produkt i punës së hakerave, u kapën shpejt nga agjencitë e lajmeve të Arabisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ministri i jashtëm saudit, Adel al-Jubeir, tha se nuk kishte njohuri për rezultatet e hetimit të FBI. Qeveria ruse ka mohuar ndonjë përfshirje në hakerim.

Në një rritje të mëtejshme të presionit diplomatik sot, nënshtetasit e Katarit u ndaluan që të ulen në çdo aeroport në Emiratet e Bashkuara Arabe, madje edhe për t’u transferuar në një fluturim tjetër ndërkombëtar. Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu i kanë ndaluar qytetarët e vet që të përdorin mediat sociale për të shprehur pikëpamje, të cilat përmbajnë simpati për Katarin.

Mes rritjes së shqetësimit rajonal dhe ndërkombëtar, Jubeir, duke folur në Gjermani, tha se shtetet e Gjirit nuk kishin nevojë për ndonjë ndihmë nga jashtë, për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre. “Ne nuk kemi kërkuar ndërmjetësim, ne besojmë se kjo çështje mund të trajtohet mes shteteve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit”.

Mosmarrëveshja ka implikime të mëdha gjeopolitike. Katari është vendi ku ndodhet baza ushtarake më e madhe amerikane në Gjirin Persik dhe është eksportuesi më i madh në botë i gazit të lëngshëm. Një skenar i keq për Perëndimin do të ishte shpërbërja e koalicionit anti-islamik.

Hamasi dhe udhëheqësit e Vëllazërisë Myslimane jetojnë në Doha dhe Katari ka treguar gatishmëri për të mbajtur kontakte diplomatike me Iranin, pjesërisht për shkak të interesave të përbashkëta ekonomike, duke përfshirë një vendburim të madh nënujor gazi.

Në deklaratën e parë që nga shpërthimi i krizës, Vëllazëria Myslimane hodhi poshtë akuzat e Arabisë Saudite, duke thënë se Riadi nuk duhet të dëgjojë “princat e korruptuar të shtypjes” në Emiratet e Bashkuara Arabe. Hamasi tha se ishte i tronditur nga qëndrimi i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në të kundërt, presidenti amerikan postoi një seri shënimesh në Tuiter të martën, duke mbështetur Arabinë Saudite dhe duke pohuar se Katari po financon terrorizmin, një pretendim që ky i fundit e mohon me forcë. /bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close
Close