FilozofiMAIN

FILOZOFI / Drita joshëse e progresit

A është problematik premtimi për një progres të pastër?

Helena Moradi

Në nëntor 1784, Berlinischer Monatsschrift botoi një artikull me titull “Një përgjigje ndaj pyetjes: Çfarë është iluminizmi?” Autori i artikullit ishte Immanuel Kant. Përgjigja e tij e famshme ishte: “Iluminizmi është dalja e njeriut nga papjekuria e vetëshkaktuar (Unmündigkeit).”  

Kjo pyetje e kahershme është një element historik që vazhdon të preokupojë të tashmen. Dyqind vjet më vonë, filozofi post-modern francez Michel Foucault ende pyet “Çfarë është Iluminizmi?” (1984). Në këtë ese, Foucault pohon se moderniteti e gjen veten me një dëshirë të vazhdueshme për të ditur se ku jemi tani. Pra ku jemi? A ka dalë njerëzimi nga papjekuria e vet, domethënë a ka përparuar vërtet?

Libri i shkrimtarit amerikan J.B. Bury, “Ideja e progresit”, botuar në vitin 1920, përmban një interpretim të vështirë të ‘progresit’. Sipas përkufizimit të tij, ideja e progresit është besimi se ‘qytetërimi ka lëvizur, po lëviz dhe do të ecë në një drejtim të dëshirueshëm’. Por çfarë është ‘e dëshirueshme’ këtu? Kur filozofi romantik Jean-Jacques Rousseau doli për një shëtitje në një kullotë që e admironte për bukurinë e saj, zbuloi një fabrikë në mes të idilit dhe u tmerrua e u neverit. Megjithatë, nëse kundërshtari i tij i vjetër, Denis Diderot, do të kishte bërë të njëjtin zbulim, ai do të bëhej kurioz dhe do interesohej me kënaqësi, ndoshta edhe do të bënte një vizitë studimore. Për Diderot, por jo për Rousseau, fabrika në barkun e natyrës ishte një shenjë e përparimit ‘në një drejtim të dëshirueshëm’. Pra, është e qartë se perceptimet subjektive nuk mund të përdoren për të përcaktuar progresin. Lëvizja shoqërore është gjithmonë në një drejtim dhe ne kurrë nuk do të kemi marrëveshje universale, se cili drejtim është i mirë.

Themeli i fortë i idesë së progresit është ideja që qeniet njerëzore, nëpërmjet veprimeve të qëllimshme, mund të ndryshojnë mjedisin rrethues dhe rrethanat e ekzistencës së tyre. Njeriu ka njëfarë kontrolli mbi të ardhmen e tij. Mbrojtësi i progresit beson më tej se ndryshime të tilla mund të realizojnë ëndrrat dhe dëshirat e veta. Kundërshtarët e ‘progresit’ nuk e mohojnë fuqinë e veprimit për të ndryshuar situatat. Përkundrazi, ata janë të bindur se sjellja masive ‘progresive’ thjesht prish në mënyrë destruktive rendin natyror, ose thjesht konfirmon kapjen e njeriut pas një ekzistence të pashpresë në thelb.

Një optimizëm largpamës për drejtimin afatgjatë të shoqërisë shpesh gjurmohet në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Megjithatë, nëse një mendimtar do të kurorëzohet si babai ose nëna themeluese e idesë, ai duhet të jetë filozofi dhe politikani anglez Francis Bacon (1561-1626). Nganjëherë i quajtur edhe ‘babai i empirizmit’ dhe ‘njeriu që vdiq nga një ftohje, prej përpjekjes për të ngrirë një pulë’, ishte Bacon ai që i pari bëri një pretendim serioz se njerëzit mund të përmirësonin gjendjen e tyre me ndihmën e njohurive të reja, teknologjive të reja dhe formave të reja bashkëpunimi.

Për një kohë të gjatë, ky ideal progresi kishte pak ndjekës. Megjithatë, përmes Iluminizmit në shekullin e tetëmbëdhjetë, ideja fitoi popullaritet, edhe pse vetëm një shtresë e hollë njerëzish të arsimuar ndanë perceptimin e progresit. Kur një nga balonat e para me ajër të ngrohtë – të cilën Kanti e shihte si kulmin e përparimit teknologjik – u rrëzua përtokë jashtë Parisit, ajo u sulmua nga fshatarë të armatosur me sfurqe, për shkak se besonin që hëna kishte rënë nga qielli! Në shumicën e vendeve, një zhvendosje e përhapur drejt një besimi në progresin, nuk ndodhi deri në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Optimizmi nuk është kurrë i thjeshtë. Është i rrethuar nga cilësimet, ‘nëse’ dhe ‘por’. Në shikim të parë, filozofi anglez i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Herbert Spencer, duket i palëkundur në besimin e tij tek zhvillimet pozitive, duke i bazuar teoritë e tij në ligjet evolucionare kozmike dhe biologjike.

Përparimi i njeriut dhe i shoqërisë i dukej atij si rezultat i ligjit të madh universal të evolucionit. Por kur shoqëria E laissez-faire që ai përkrahte u përball me sfida të papritura, në formën jo vetëm të tarifave tregtare dhe kufizimeve të tjera të konkurrencës, por edhe masave që e vështirësuan jetën e të varfërve dhe të shtypurve, Spencer shkroi “Njeriu kundër shtetit” (1884), duke deklaruar se nëse autoritetet nuk do ta kuptonin se lufta e lirë për mbijetesë ishte një bekim, progresi do të ndalej papritur. Kështu, zhvillimi i racës njerëzore varej nga respektimi i ndërgjegjshëm i ligjeve të përzgjedhjes së lirë natyrore.

PROGRESI PERBALLE KALBEZIMIT

Ka pak vizione për një të ardhme më të mirë për njerëzimin pa rezerva. Mendimi progresiv nuk kufizohet kurrë në shpalljen ose përcaktimin e një procesi specifik për progresin, ai gjithashtu identifikon veprimet që lejojnë zhvillimin e vazhdueshëm pozitiv dhe paralajmëron për rreziqet dhe fatkeqësitë, që mund të shmangen vetëm duke ndjekur një rrugë specifike, ndoshta edhe të vështirë. Kështu, koncepti i progresit nuk është kurrë pa një hije të errët kalbjeje, degjenerimi dhe aksidentesh kërcënuese. Kjo është pjesërisht për shkak të faktit se koncepti i progresit thotë: bëjeni këtë dhe gjërat do të përmirësohen. Në të njëjtën frymë, megjithatë, kërcënon: nëse nuk ndiqni këshillën time, do të pësoni fatkeqësi.

Vetëm pesimistët si Arthur Schopenhauer mohojnë mundësinë e veprimit vërtet progresiv. Sipas Schopenhauer-it, kërkimi i jetës është rob i forcës së vullnetit të verbër, dhe e vetmja liri nga vullneti është liria nga të gjitha dëshirat. Mënyra më e mirë për të arritur një paqe të tillë është përmes soditjes së artit, idealisht muzikës.

Një nga intelektualët pasardhës të Schopenhauer-it, Eduard von Hartmann, kombinoi optimizmin dhe pesimizmin në një mënyrë të pazakontë. Njerëzimi ka përparuar vërtet, tha ai. Njohuritë janë zgjeruar. Të gjithë do të fitojnë një ditë një kuptim të plotë të thelbit të ekzistencës. Atëherë, ata do të kuptojnë zbrazëtinë e saj dhe do të kryejnë vetëvrasje masive kolektive.

Që nga Bury e këtej, janë shkruar shumë libra për konceptin e progresit, por ata shpesh vuajnë nga mosdallimi i aspekteve pozitive të ideve të së ardhmes nga ato negative; premtimeve nga rreziqet. Literatura mbi konceptet e degjenerimit dhe kalbjes është më e kufizuar, megjithatë një monografi moderne e fuqishme mbi këtë temë, “Ideja e rënies në historinë perëndimore” (1997) e Arthur Herman ia vlen të lexohet.

Herman është një tregimtar i shkëlqyer që ka grumbulluar një sasi të madhe materialesh. Raporti i rrjedhshëm i ideve të ndryshme të kalbjes është tipari më i mirë i librit. Nga ana tjetër, për mendimin tim, analizat nuk shqyrtojnë me saktësi atë që këto ide kërkojnë të kuptojnë. Herman thekson me të drejtë marrëdhënien e ngushtë midis progresit dhe konceptit të pjekurisë intelektuale dhe morale. Ato janë dy anët e së njëjtës monedhë. Ai gjithashtu vëren se ata që parashikojnë katastrofë, zakonisht tregojnë një rrugë që në të kundërt të çon në një shtet të begatë. Herman gjithashtu e lidh pa mëdyshje atë që ai e sheh si një doktrinë iluministe të progresit, me individualizmin. Ai mendon se çdo ideologji joindividualiste ka qenë e lidhur me një skenar të fundit të botës (një ide që më duket absurde).

Herman prodhon një listë të gjatë të zuzarëve për epikën e tij të rënies historike. Disa janë më të vetëkuptueshëm, si Joseph Arthur de Gobineau, i cili me racizmin e tij aristokratik ishte një paraardhës i nazizmit; ose Francis Galton, kushëriri i Darvinit, i cili me idenë e ‘darvinizmit social’ paralajmëroi për rënien e afërt të njerëzimit, nëse nuk ndërmerren veprime vendimtare për të parandaluar riprodhimin e ‘ekzemplarëve më të këqij’ në shoqëri.

OPTIMIZMI PËRBALLË PESIMIZMIt

Shkrimtarë të tjerë janë më frymëzues për të zbuluar. Henry Adams (1838-1918), i përket këtyre. Ai është një historian dhe autor i njohur më së miri për autobiografinë e tij dhe përfaqësuesi i shkëlqyer i një familjeje të New England, nga e cila dolën dy presidentë të SHBA. Idealet e progresit të Adams pa dyshim u formësuan nga njerëz që ai i mendonte si mentorë, dy të mëdhenj në këtë listë ishin Auguste Comte, babai i pozitivizmit dhe Karl Marksi. Megjithatë, Adams nxori përfundime pesimiste nga të dyja teoritë e tyre. Nga shkrimet e Comte-s ai dalloi shpërbërjen e kohërave, ndërsa Marksi i mësoi se shoqëria industriale mishëronte padrejtësi të pakapërcyeshme. Adams i pa Shtetet e Bashkuara të tij, si një shoqëri në kalbje për shkak të fluksit të madh të emigrantëve dhe modernizimit të trazuar. Rrethi i tij i brendshëm, i cili ndante të njëjtin besim, ëndërronte për një ekzistencë arkadiane ku idealet e Kushtetutës ishin të gjalla dhe të mira, ndërsa në realitet SHBA-të përqafuan materializmin, i cili po sillte prishjen morale.

Një tjetër amerikan, William Edward Burghardt Du Bois (1868-1963), vinte nga një sfond më pak i privilegjuar se Adams. Megjithatë, ajo që arriti Du Bois ishte e jashtëzakonshme, në kuptimin që ai ishte në gjendje të studionte në Harvard edhe pse një burrë me ngjyrë. Gjatë gjithë shkrimeve të tij, ai iu përkushtua të ardhmes së amerikanëve dhe afrikanëve me ngjyrë. Një nga zakonet e këqija të Darvinizmit vulgar (social) ishte të parashikonte vdekjen përfundimtare të racave me lëkurë të errët. Du Bois e ktheu skenarin, duke deklaruar se ishin të bardhët ata që ishin të dënuar të shembeshin. Teksa përhapi lidhjet shoqërore dhe kulturën, industrializimi tashmë po sillte shenja të një shpërbërjeje të tillë. Por për zezakët kishte ende shpresë.

Diskutimet e Adams dhe Du Bois për kalbjen janë të kufizuara. Të dy e shohin industrializimin si një simptomë të kalbjes dhe kërkojnë shpëtim në një shoqëri ku zhvillimi merr rrugë të ndryshme, jo industriale. Megjithatë, të dy janë të orientuara drejt veprimit: ata flasin për atë që duhet bërë për të shmangur fatkeqësitë e afërta.

Për të kuptuar drejt, si teoritë e përparimit ashtu edhe të degjenerimit, të dyja palët duhet të kombinohen. Historia e Iluminizmit njerëzor nuk është një përrallë e thjeshtë heroike e dritës kundër errësirës, ​​por edhe një histori e fuqisë dhe kontrollit, e bestytnive dhe e dëshirës për të fituar. Nuk është historia e një mendimi të unifikuar që përhap mirë njohurinë dhe fuqizon veprimin, por e shumë pengesave të ndryshme që shfaqen, në të cilat përparimi shkencor dhe teknologjik mund të kombinohet lehtësisht me rënien morale dhe politike.

Epoka moderne përshkruhet shpesh si një periudhë e ‘çmagjepsjes’, për të përkthyer termin Entzauberung të Max Weberit. Gjithçka që dikur ishte e shenjtë po sakrifikohet për rritjen e efikasitetit dhe racionalitetit shkencor. Por ne duhet të shohim edhe Magjepsjen e modernitetit. Edhe koha e sotme, me pohimin e vet të progresit dhe magjepsjes me teknologjinë e re dhe mënyrat e organizimit shoqëror, demonstron Magjepsje. Ne mund të fillojmë të shohim qartë se ku jemi, vetëm kur mund ta shohim projektin e Iluminizmit përmes këtij vështrimi të dyfishtë.

Helena Moradi është një studiuese postdoktorale në Shkollën Juridike të Universitetit Cornell.

Back to top button