
Para-Sokratikët jetuan në Greqinë e lashtë dhe kolonitë e saj gjatë shekujve VI dhe V p.e.s., dhe ishin filozofët e parë në traditën perëndimore. Siç e tregon edhe emri i tyre, pothuajse të gjithë para-Sokratikët u morën me filozofi para Sokratit (rreth 470–399 p.e.s.) dhe asnjëri prej tyre nuk u ndikua prej tij. Asnjë nga shkrimet e tyre origjinale nuk ka mbijetuar. Ne i njohim vetëm përmes pak citimeve të ruajtura dhe përshkrimeve të ideve të tyre në veprat e filozofëve që shkruan pas Sokratit.
Në grupin e para-Sokratikëve përfshihen shkollat e Mileasit, Eleatëve, Pitagorianëve, Atomistëve, Sofistëve, si edhe figura të tilla si Ksenofani, Herakliti, Empedokliu dhe Anaksagora.
Pse u quajtën “para-Sokratikë”?
Ata u quajtën “para-Sokratikë” sepse jetuan dhe shkruan para Sokratit dhe nuk patën asnjë ndikim prej tij, por edhe sepse tradicionalisht janë parë si paraardhës të Sokratit dhe nxënësve të tij, Platonit dhe Aristotelit. Filozofia perëndimore u ndërtua kryesisht mbi Platonin dhe Aristotelin, ndërsa te para-Sokratikët mbërriti vetëm në mënyrë të tërthortë.
Si nisi filozofia para-Sokratike?
Filozofi i parë i njohur në traditën perëndimore ishte Thalesi (rreth 624–547 p.e.s.), banor i qytetit Milet, një port i rëndësishëm tregtar në bregun jugperëndimor të Azisë së Vogël (Turqia e sotme). Pozicioni gjeografik i Miletit, në kryqëzim kulturash dhe tregtish të Mesdheut Lindor, i ekspozonte banorët ndaj ideve, tregimeve dhe zakoneve të ndryshme. Kjo ndikoi që disa individë të jashtëzakonshëm të fillonin të vinin në dyshim besimet e tyre dhe të kërkonin atë që ishte e vërtetë jo vetëm për një popull, por për të gjithë.
A u ndikuan para-Sokratikët nga traditat e mëhershme?
Po. Megjithëse sollën risi të rëndësishme, para-Sokratikët u ndikuan nga idetë shkencore dhe fetare të Mesdheut Lindor, Egjiptit të lashtë dhe Indisë.
Çfarë është filozofia para-Sokratike?
Edhe pse kishte shumë individë dhe shkolla të ndryshme, ajo që i bashkon është kërkimi për arche-n e të gjitha gjërave. Arche (ἀρχή) është një fjalë e lashtë greke që do të thotë “burim”, “origjinë”, “fillim”, dhe në shkrimet e filozofëve të parë nënkupton “elementin” ose “parimin e parë”.
Ajo është rrënja e fjalës “arki-tip”. Arche ishte parimi i vetëm që shpjegon shumësinë e gjërave që shfaqen në botë. Koncepti i arche-s presupozon një kundërvënie themelore mes njëshit dhe të shumtës, mes qenies dhe dukjes.
Prandaj, filozofia para-Sokratike karakterizohet nga: kërkimi për një realitet të vetëm dhe të vërtetë përtej dukjeve; përpjekja për të kuptuar si lindin dukjet nga burimi i tyre i vetëm, arche-ja. / bota.al