Arkitekti i operacioneve ruse në Siri shpjegon qendrën e komandimit në Bagdad dhe kundërshtitë me Amerikën në fushatën ajrore të Moskës në mbrojtje të Assad
Pothuajse 90 vite më parë, Boris Shaposhnikov, Marshall i Bashkimit Sovjetik, e quante Shtabin e Përgjithshëm “trurin e ushtrisë” dhe Drejtoria Kryesore Operative (GOU) e tij ka qenë dhe mbetet gjithmonë qendra e këtij “truri”. Gjithçka që ndodh sot në ushtrinë tonë bëhet nën kontrollin e Shtabit të Përgjithshëm. Kjo përfshin planifikimin dhe drejtimin e operacioneve strategjike, përfshi atë që trupat tona kryejnë në Siri. Si janë përgatitur? Sipas cilave plane? Pse është vendosur të përdoren vetëm avionë dhe helikopterë? Çfarë roli luajnë anijet tona ushtarake që veprojnë në pjesën lindore të Detit Mesdhe? Ia kam bërë këto pyetje dhe të tjera kreut të Drejtorisë Kryesore Operative, Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Kolonelit Andrei Kartapolov.
Kur është marrë vendimi për të nisur transferimin e pajisjeve tona ushtarake në Siri?
Pyetja tjetër.
Me çfarë ka nisur puna e Shtabit të Përgjithshëm lidhur me krizën siriane?
Nuk kemi reshtur asnjëherë së punuari lidhur me Sirinë as edhe për një cast të vetëm, e kontrollojmë vazhdimisht situatën. Pasi Siria është një partner i vjetër i yni, një aleat, dhe këshilltarët tanë kanë punuar atje gjatë gjithë kohës. Dhe nga fillimi i këtyre lëvizjeve kundër qeverisë, që janë zhvilluar në situatën që njohim, kemi kontrolluar papushim situatën në Siri. E dimë gjithmonë se çfarë po ndodh dhe si.
Po cili ka qenë “hapi i parë” i Shtabit të Përgjithshëm rus para fillimit të përdorimit të avionëve ushtarakë në Siri?
Kemi krijuar një komitet koordinimi që tani operon në Bagdad. Nga aty kemi nisur të zgjidhim problemet. Si gjë të parë kemi pasur nevojë ta bëjmë funksional komitetin.
Çfarë e ka provokuar vendimin për ta krijuar këtë komitet koordinimi? Cila është ideja këtu?
Kemi kuptuar se me punën e të ashtuquajturit koalicion ndërkombëtar të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, që kufizohet të bombardojë objektivat nga lart, është e pamundur të shkatërrohet Shteti Islamik. Kjo mund të bëhet vetëm me operacione tokësore dhe në terren nuk ka asnjë tjetër që lufton përveç ushtrisë së Republikës Arabe të Sirisë. Është nga këtu që kemi filluar dhe, për të koordinuar përpjekjet, duhej të bashkonim iniciativat e këtyre vendeve dhe ato të forcave që luftojnë Shtetin Islamik në terren.
I keni ftuar përfaqësuesit amerikanë në këtë komitet?
Qysh nga fillimi. Isha në Bagdad dhe praktikisht kam pritur për ditë të tëra që partnerët amerikanë të na kontaktonin. Por nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe jam larguar.
Pse kanë refuzuar ta bëjnë?
Kanë një numër arsyesh për të mos e bërë. E konsiderojnë poshtëruese ta pranojnë se pa Rusinë nuk mund ta zgjidhin situatën siç kanë deklaruar një vit më parë. Nuk duan që t’u thuash se në një farë kuptimi po bashkëpunojnë me Assad, të cilin e kanë demonizuar gjatë viteve të fundit. Veç kësaj, ata mezi kanë sasinë e nevojshme të informacioneve mbi objektivat e Shtetit Islamik dhe kjo është evidente nga rezultati i sulmeve.
Cila ka qenë detyra kryesore e Drejtorisë Kryesore Operative në vigjilje të operacioneve?
Duhej të përdornim të gjitha resurset në dispozicionin tonë për të transferuar pajime, armë dhe material tjetër në Siri në kohën më të shkurtër të mundshme.
Obama thotë se inteligjenca amerikane “ka parë gjithçka”.
Nëse do të kishin parë vërtet, vështirë se Obama do të kish qëndruar i heshtur.
Por pavarësisht kësaj: a keni pasur informacione se Amerika e dinte se po fillonit të lëviznit?
Natyrisht që e kishim këtë informacion. Por kemi parë se ata nuk e kuptonin thelbin e operacioneve tona dhe nuk imagjinonin se cila ishte strategjia jonë. Kështu që i kemi lënë të lirë të veprojnë.
Në çfarë mënyrash Shtabi i Përgjithshëm merr informacione lidhur me pozicionet e formacioneve të Shtetit Islamik?
Kemi zhvilluar një system të tërë me metoda rikonjicioni. Lidhur me këtë temë nuk ka secrete për ne.
Si i vlerësoni taktikat e grupeve të Shtetit Islamik dhe armët e tyre? Kanë terroristët sisteme raketash tokë – ajër (manpads)?
Kemi informacione mbi ekzistencën e manpads në Siri, por nuk i kemi parë ende në aksion. Kështu që shfaqja e këtyre armëve midis militantëve mund të sigurojë provën e qasjes së shkëshillueshme të dikujt ndaj zgjidhjes së problemit…
Po aludoni për mundësinë që manpads të markës Stinger të prodhimit amerikan u janë dorëzuar luftëtarëve?
Është e mundur. Dhe për sa u përket taktikave të milicëve, në Shtetin Islamik ka shumë oficerë që kanë shërbyer në ushtrinë irakene nën Saddam Hussein. E kanë lënë atë vetëm pse amerikanët, pasi kanë shkatërruar Irakun, e kanë pushtuar atë dhe ata, si patriotë (në një farë kuptimi është e mundur t’i quash kështu) kanë vendosur të luftojnë kundër pushtimit. Natyrisht që ka qenë gabim hyrja në grupet e Shtetit Islamik, por kjo është zgjedhja e tyre. Këta oficerë posedojnë kapacitete dhe dije shumë të avancuara; janë në gjendje të organizojnë dhe instruktojnë njerëzit. Janë individë të përgatitur mirë. Veç kësa, kanë plaçkitur një masë të madhe armësh nga depot dhe nga njësitë e ushtrisë siriane. Janë të njëjtat armë që partnerët tanë amerikanë i kanë dorëzuar me shumë energji Irakut. Janë tanke Abram M1, mjete të blinduara transportimi trupash, sisteme artilerie dhe shumë gjëra të tjera. Për këtë, kur flitet për Shtet Islamik, mos të mendojmë se janë banditë për pesë para, një turmë bashibozukësh të armatosur vetëm me automatikë e shpata, që nuk dinë gjë tjetër veç të presin koka. Dinë sesi të luftojnë. Kanë zhvilluar qëndrime taktike të ndryshme, që i kanë përdorur gjatë operacioneve kundër ushtrisë irakene dhe asaj siriane. Dhe nganjëherë këto taktika kanë pasur një sukses të konsiderueshëm.
Sa ushtarë ka tani Shteti Islamik?
Sipas vlerësimeve të ndryshme, nga 30 në 80 mijë. Si zakonisht, e vërteta është diku në mes, kështu që le të themi 40 – 45 mijë.
Koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara ka bombarduar pozicionet e Shtetit Islamik për më shumë se 1 vit. Por kemi parë që territori sirian i kontrolluar nga ky i fundit është zgjeruar me 75 përqind. Si e komentoni këtë fakt?
Koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kryen goditje ajrore kundër infrastrukturave të Shtetit Islamik. Kjo e bën jetën e njerëzve të patolerueshme, por nuk bën shumë për ta ndaluar aksionin e tij, ndërkoh që komplikon edhe aksionin e ushtrive qeveritare të Presidentit al Assad. Në këtë mënyrë e ka reduktuar potencialin luftarak e forcave të armatosura siriane. Për këtë arsye, ushtria ka braktisur gjithnjë e më shumë pozicione, pasi transportet qenë më të vështira, nuk kishte ujë, nuk kishte ngrohje, nuk kishte mallra të dorës së parë. Shteti Islamik nuk ka nevojë, ata blejnë ushqim nga vende të ndryshme fqinje (e dijmë nga kush, por le të mos flasim tani për këto organizata dhe për këto shtete). Ja rezultati.
Si e vlerësoni potencialin ushtarak dhe armët e të ashtuquajturës “opozitë e moderuar” dhe nga ku i merr armët?
Perëndimi flet për “opozitë të moderuar”, por ne nuk i shikojmë në Siri. Mund të quhet në shumë mënyra – opozitë e moderuar ose jo – por një person që merr armët kundër kundër një autoriteti legjitim sa mund të jetë i moderuar? Shumë vende u kanë armë shumë grupeve të Shtetit Islamik. Në fund të fundit, disa grupe janë mbështetur nga një vend, të tjerë nga vende të tjera e kështu me radhë. Kështu të gjithë japing para dhe armë atje. Anëtarët e “opozitës së moderuar” kënaqen me plaçkitje, grabitje, në ndarjen e sferave të tyre të influencës. Kur kanë nevojë për transhe të mëtejshme parashë, deklarojnë se janë luftëtarët më aktivë kundër regjimit të al Assad. U jepen paratë dhe nisin t’i përdorin sipas qejfit personal. Për këtë arsye ne kemi kërkuar – dhe e dini se kujt – që të na e tregojnë këtë “opozitë të moderuar”.
Pse Shtabi i Përgjithshëm ka arritur në konkluzionin se ishte e nevojshme të përdorej aviacioni?
Sepse kemi parë se gjithçka ka bërë koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara është një operacion pastërtisht estetik. Është imitimi i goditjeve ajrore.
Aviacionet e Sirisë, Irakut dhe Irani marrin pjesë në operacione fluturimi bashkë me ju?
Merren me detyrat sipas planeve të tyre.
I koordinojnë planet e tyre me ne?
Natyrisht që po.
Si e kontrolloni saktësinë e goditjeve tona ajrore ndaj Shtetit Islamik?
Nga momenti në të cilin zgjidhet objektivi, veprojmë në mënyrë të tillë që të kemi jo më pak se 3 konfirmime mbi detajet, rëndësinë dhe karakteristikat e objektivit.
I përdorni edhe dronët?
Sigurisht. Veç kësaj, përdorim edhe informacionet që marrim nga komiteti në Bagdad, nga partnerët tanë dhe nga shërbimet e inteligjencës së Irakut, Sirisë dhe Iranit.
Pse Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar që të na japin të dhënat lidhur me pozicionet e Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA) dhe të Shtetit Islamik? Kanë ndërmend të na i japin këto informacione apo jo?
Nuk na i japin. U jemi drejtuar drejtpërsëdrejti më shumë se një herë dhe kemi folur më shumë se një herë për këtë deri edhe në media. Arsyet e një pozicioni të tillë nuk i kemi akoma të qarta. Ose nuk i kanë këto të dhëna, ose po na i mbajnë fshehur – gjë që do të thotë se nuk duan që pozicionet reale të Shtetit Islamik të goditen.
Si po ndryshojnë taktikat e Shtetit Islamik pas sulmeve tona raketore dhe nëpërmjet ajrit?
Terroristët po i braktisin pozicionet e tyre, po tërhiqen brenda, kërkojnë të fshihen në rajone të thella e në shpella e formacione shkëmbore të ndryshme. Veç të tjerash, kemi shfaqur një video në television ku gjithçka bëhet evidente. Po kërkojnë edhe që të fshihen me popullsinë civile.
Ushtria siriane i ka nisur operacionet tokësore shumë shpejt? Është e gatshme? Ka rezultate?
Është vështirë për mua të gjykoj sesa është e gatshme ushtria siriane për operacione ofensive. Mund të nxjerr vetëm një konkluzion, që deri në kushtet aktuale të ushtrisë siriane, nëse ka arritur që ta avancojë ofensivën, do të thotë se sulmet tona e kanë reduktuar ndjeshëm potencialin e kundërshtarëve tanë. Në ditët e para të ofensivës janë çliruar me shumë se 10 vendbanime dhe një vendbanim i madh i quajtur Achan është rimarrë sot, pasi militantët e kishin pushtuar për një kohë të gjatë. Në ditët e para, rreth 90 kilometra katrore janë çliruar gjatë operacioneve sulmuese. Për pasojë, mendoj se kuadrot ushtarakë sirianë nuk kanë qenë naivë, por kanë vendosur me urtësi të vazhdojnë me ofensivën.
Çfarë ka çuar në nevojën për të kryer sulmin tonë nga Deti Kaspik? Ishte i koordinuar me Iranin dhe Irakun?
Po. Kam folur edhe në konferencën për shtyp. Kemi koordinuar fluturimin e raketave tona paraprakisht me partnerët tanë në komitetin e koordinimit, që përfshin jo vetëm Sirinë, por edhe Irakun e Iranin. Një nevojë e tillë ka lindur nga faktim që kemi individualizuar disa objektivë shumë të rëndësishëm me 5 dhe 6 tetor, që pastaj kanë qenë objekt sulmesh të lokalizuara. Mjetet tona qenë caktuar tashmë në objektiva që kishin qenë tashmë objekt rikonjicioni më parë. Për pasojë, është zgjedhur të sulmohet me raketa kruiz.
Pentagoni thotë se 4 raketa kanë shpërthyer ose, gjithsesi, nuk kanë shkuar në shenjë. Çfarë mendoni për këto informacione?
Pentagoni mund të pohojë gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje. U lëmë atyre kënaqësinë që të na tregojnë ndonjë gjë, por raketat tona i kanë goditur të gjitha objektivat e tyre.
Mund të flasim sot për krijimin e dy bazave ruse me nivel të lartë në Siri: një bazë tokësore në afërsi të Latakias dhe një detare në Tartous?
Mendoj se ka shumë mundësi që duhet të flitet për një bazë ushtarake ruse. Do të jetë një bazë unike, e përbërë nga komponente të ndryshme: det, tokë dhe ajër.
Opozita e armatosur siriane e “moderuar” po dërgon sinjale mbi gadishmërinë e saj për të marrë pjesë në luftën kundër Shtetit Islamik. Çfarë mendoni për këto sinjale të tilla?
Jemi të gatshëm për operacione të përbashkëta me ta. U lejojmë atyre që të vijnë në Bagdad dhe të marrin pjesë në komitetin e koordinimit.
Po sikur një ofertë e tillë të pranohej, do të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme taktikat e trupave të koalicionit? Do të ndryshojë natyra e luftës kundër Shtetit Islamik?
Po të pushonin së luftuari kundër trupave qeveritare dhe të fillonin së luftuari kundër Shtetit Islamik, gjërat mund të ndryshojnë. Por nëse pasi kanë deklaruar se janë në luftë kundër Shtetit Islamik do të vazhdonin luftën e tyre kundër trupave qeveritare, atëhere asgjë nuk do të ndryshojë.
Sapo keni thënë se grupet e Shtetit Islamik po ndryshojnë taktika, duke goditur spitale, xhami dhe vendbanime, për t’u shpërndarë më pas. Shtabi i Përgjithshëm dhe ushtria siriane e kanë kuptuar të dy se edhe ata mund të ndryshojnë taktikë, në mënyrë që të mund ta përzënë armikun me dinakëri më të madhe nga vende të tilla? Çfarë është e nevojshme që të mund të seleksionohen “instrumente” të reja?
Kemi një seri mjaft të gjerë metodash dhe mjetesh për të goditur Shtetin Islamik, që e marrin në konsideratë një taktikë të tillë, pa pasur impakt në asnjë mënyrë ndaj xhamive, spitaleve apo popullsisë paqësore.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka prognostikuar se një prej këtyre ditëve grupi rus do të pësojë humbje të mëdha. Çfarë do të thotë me këtë? Na kërcënon për atë që mund të bëjnë raketat Stinger? Si e lexoni këtë deklaratë, ju tingëllon si kërcënim?
E kemi lexuar këtë deklaratë si një manifestim të shkallës më të lartë të mungesës së profesionalizmit në hierarkinë amerikane. Një politikan serioz nuk mund t’i lejojë vetes kërcënime të kësaj natyre. Akoma më shumë pot ë kesh parasysh se po flet për aleatë që kanë dalë fitimtarë kundër Hitlerit në Luftën e Dytë Botërire (do të ishte rasti t’ia kujtoje). Gjithsesi, çfarëdo që të nënkuptojë një gjë e tillë, le ta lëmë të qëndrojë në koshiencën e tij. Le të kujtojmë se Lev Tolstoi i është përgjigjur Leonid Andreyev: “Kërkon të më frikësosh, por unë nuk kam frikë”.
Situate mund të zhvillohet në mënyrë të tillë sa që të detyrojë nevojën për të transferuar trupa luftarake tokësore me qëllim që të marrin pjesë në operacione ushtarake?
Kjo është jashtë çdo diskutimi. Njësitë luftarake tokësore tona nuk do të marrin pjesë në operacione në asnjë rast. E ka thënë edhe Presidenti ynë.
Sikur të mësonit se Shteti Islamik apo e ashtuquajtura Ushtri e Lirisë Siriane kanë manpads Stinger amerikanë, cili do të ishte reagimi juaj?
Mendoj se do të ishte e nevojshme t’i bëhej e njëjta pyetje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të shqyrtohet në këtë seli.
Aeroplanët tanë po i godasin formacionet e Shtetit Islamik në Irak?
Jo. Veprojmë në Siri, duke qenë se Presidenti sirian na është drejtuar duke na kërkuar që ta asistojmë në luftën kundër Shtetit Islamik në brendësi të territorit të vendit të tij. Nëse një kërkesë e tillë do të bëhej nga udhehqësit irakenë, do të prisnim vendimin lidhur me këtë nga ana e udhëheqësve të vendit tonë.
Duket se kërkesa nga ana e Irakut tashmë është bërë…
I jam përgjigjur tashmë kësaj pyetjeje…
Si funksionon ndërveprimi midis forcave tona ajrore, oficerëne tanë dhe ushtrisë siriane? Oficerët tanë janë në radhët e ushtrisë siriane apo jo?
Jo. Grupi ynë vepron në mënyrë të pavarur. Por ka një grup operativ të vogël të forcave të armatosura siriane me stafin tonë në Siri, që siguron koordinimin me fluturimet e aviacionit sirian dhe na jep të dhëna të sakte mbi pozicionet e vijës së frontit të ushtrisë qeveritare.
Cila është për momentin situate në frontin sirian? Çfarë po bëjmë ne dhe çfarë po bëjnë sirianët?
Ne vazhdojmë të ecim përpara me misionet tona. Qysh kur kanë nisur operacionet, kemi kompletuar më shumë se 600 misione.
Nga 30 shtatori?
Po, nga 30 shtatori. Kemi goditur më shumë se 380 objektiva të Shtetit Islamik. Sipas të dhënave të ndryshme, grupet rebele e Shtetit Islamik kanë pësuar humbje vërtet të konsiderueshme. Kemi vërejtur edhe raste paniku dhe braktisje të pozicioneve të kapura. Edhe kjo është domethënëse. Natyrisht, kjo frymëzon edhe trupat qeveritare, që e kanë rikonsideruar ofensivën. Siç ka thënë një prej gjeneralëve sirianë, operacionet e aviacionit rus u kanë kthyer buzëqeshjen fëmijëve sirianë.
Po kërkojnë amerikanët të vihen në kontakt më Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm rus?
Janë detyruar ta bëjnë. Kanë kërkuar një videokonferencë me ne.
Ata do të jenë në Uashington dhe ju në Moskë?
E kemi dhënë miratimin tonë. Jemi të gatshëm të punojmë ke ta kudo, në çdo nivel, në çdo cep të botës. Nëse për ta është më komode të punojnë nga Uashingtoni, ne do të punojmë nga Moska.
Sipas jush, cili është objektivi ynë final në Siri?
Pa kurrfarë dyshimi, mundja e Shtetit Islamik dhe transferimi i krizës siriane në sferën politike.
Pavarësisht gjithçkaje, po sikur të dilte nevoja për ta goditur Shtetin Islamik me bombardime në territorin iraken, Rusia do ta pranonte një kërkesë të tillë?
Ky është një vendim që i takon Komandantit të Përgjithshëm, por i kemi të gjitha resurset teknike për ta bërë.
Për momentin, amerikanët dhe francezët po godasin pozicionet e Shtetit Islamik?
Amerikanët po godasin objektiva të ndodhura në territorin e kontrolluar nga Shteti Islamik.
Keni ndjesinë se amerikanë po fillojnë të kuptojmë se keni nevojë ta godasim Shtetin Islamik në bashkëpunim? Dhe se për pasojë po nisin ta përballojnë problemin?
Amerikanët janë një popull shumë pragmatist, por është shumë e vështirë për ta që të pranojnë gabimet e tyre në llogaritje. Në fund, kur do të arrijnë në pikën që të pranojnë se kanë bërë llogaritje të gabuara, atëhere shpresoj se do të marrin një vendim të arsyeshëm.
Le të supozojmë që në fund të dakordojnë me ne lidhur me një koalicion unik. Çfarë është e nevojshme që të realizohet një gjë e tillë?
Boll që të dëshirojnë.
Pse Shtetet e Bashkuara kanë reguar me kaq dyshim ndaj lëshimit të Caliber tona nga Deti Kaspik?
Sepse e kanë humbur krejtësisht shkarkimin e raketave kruiz nga deti.
E pse?
Sepse të gjitha kapacitetet e tyre, për të cilat flasin sikur të ishin të pakufizuara, janë në realitet një përrallëz për kalamaj.
Ka shumë ikona pas jush. Pse?
Jam besimtar. Disa janë dhurata, të tjerat i kam blerë në vende të ndryshme dhe besoj edhe në moralitetin e asaj që po bëjmë…
(nga Komsomolskaja Pravda)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA / Bota.al