Analiza

“Foreign Policy” për Kosovën: Digje “Kalin e Trojës”

Screen Shot 2015-02-05 at 08.48.49

Revista amerikane “Foreign Policy” i ka kushtuar një artikull të gjatë ngjarjeve që ndodhën javën e kaluar në Prishtinë. Me titullin “Digje Kalin e Trojës”, ajo e nis me një pamje tepër të zymtë situatën në Kosovë. “Ky është dimri i pakënaqësive për Kosovën. Euforia e vazhdueshme pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008 ia ka lënë vendin një zhgënjimi që është përzierë për shkak të bllokimit ekonomik dhe ngërçit politik. Papunësia është 45% që përkthehët në të paktën 500 mijë persona në një popullsi prej 1.8 milion banorësh. Shumica e tyre janë shqiptarë dhe jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Më 24 dhe 27 janar të paktën 15 mijë persona dolën në rrugë të protestojnë kundër korrupsionit dhe varfërisë, por ata këmbëngulnin se kishte ardhur koha për t’i thënë sërish “stop” ndikimit të Serbisë edhe 15 vjet pas përfundimit të luftës” – shkruan Foreign Policy.
“Skenat e dhunës sollën në vëmendje protestat masive të viteve 1980 dhe 1990 kundër regjimit të Slobodan Milosevic. Protesta e fundit ishte më e ashpra dhe më e dhunshmja që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj 7 vite më parë. Kosova është eksperimenti më i madh i Europës pas Luftës së Dytë Botërorë në shtet-ndërtim. Pas luftës u administrua nga Kombet e Bashkuara deri në shpalljen e pavarësisë në 2008-ën. Më pas u vendos misioni EULEX. Njihet nga të paktën 110 vende, por tensionet me Serbinë janë sërish të larta”.
Artikulli ndalet pastaj në historinë e minierës së Trepçës si dhë për vendimin e Kuvendit të Kosovës që përmes një ligji kërkon ta shpëtojë nga falimentimi. Theks të veçantë i jepet edhe hyrjes në koalicionin qeverisës të Listës Serbe, parti kjo e cila është formuar vitin e kaluar dhe që refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës.
“E mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe e udhëhequr nga Aleksandër Jabllanoviç, kjo parti ka fituar disa komuna në Kosovë dhe ka 10 vende në Kuvendin e Kosovës. Shumë shqiptarë të Kosovës janë të zemëruar sepse kjo parti tashmë ka disa ministra në Qeverinë e Kosovës. Ata besojnë se Qeveria e Kosovës është duke iu nënshtruar Serbisë në bisedimet e Brukselit” – shkruan tutje Foreign Policy.
Më 3 shkurt, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa shkarkoi nga posti i ministrit Aleksandar Jabllanoviçin. Për këtë shkak Lëvizja Vetëvendosje anuloi protestën e lajmëruar për në 4 shkurt, por zyrtarë të kësaj partie kanë deklaruar se protestat për kërkesën tjetër, atë të kthimit të Trepçës në pronësi të shtetit, do të vazhdojnë në ditët në vijim” – shkruan Foreign Policy./Lapsi/

Leave a Reply

Back to top button