Nga Merkel tek luftërat amerikane, mbi ndërgjegjen e Perëndimit rëndojnë në mënyrë të veçantë disa fotografi. “Në utopinë tonë humanitare askush nuk duhet të vuajë më”
4 shtator 2015. 40000 refugjatë sirianë janë duke përshkuar Ballkanin drejt Austrisë e më pas Gjermanisë. “Jemi në një avion pa karburant dhe nuk dijmë se çfarë të bëjmë”, thotë një punonjës me gradë të lartë i sigurisë së Angela Merkel. Kancelarja është e zënë në telefon me Ministrin e Brendshëm Thomas de Maiziere, që kishte pranuar një seri rekomandimesh të autoriteteve lidhur me mënyrën sesi të mbronte kufijtë. Mijëra policë u dislokuan fshehurazi me autobusë dhe helikopterë në kufi. De Maiziere i kërkon këshilla Dieter Romann, shefi i përgjithshëm i policisë “Mund të jetojmë më imazhet që do të dalin?”, e pyet ministri. “Çfarë do të ndodhë nëse 500 refugjatë me fëmijë në krha marshojnë drejt rojeve të kufirit?”. Romann nuk flet publikisht nga fundi i vitit 2015. Kreu i Policisë ka një Doktoraturë në të Drejtë Administrative dhe ka qenë funksionar i Ministrisë së Brendshme si Shef i Njësisë për Terrorizmin dhe Ekstremizmin. Edhe nga kjo përvojë lind qëndrimi i tij i esëllt dhe jo emotiv ndaj “kulturës së mirëseardhjes”. Romann i përgjigjet De Maiziere se përdorimi i duhur i masave për t’u përdorur do të vendoset nga policia për momentin. Kur Maiziere ja përcjell përgjigjen e tij Kancelares, Merkel ja hedh poshtë impenjimin fillestar. Kufijtë hapen për 180 ditë. “Për arsye historike, Kancelarja kishte frikë nga pamjet e policëve të armatosur që ndeshen me civilë në kufi”, zbulon Robin Alexander, gazetar kryesor i “Die Welt” që sapo ka treguar gjithçka në një libër prej javësh në krye të klasifikimeve të shitjeve, me titull “Die Getriebenen: Merkel und die Flüchtlingspolitik: Report aus dem Innern der Macht“.
Alexander tregon arsyet e vërteta që e kanë shtyrë Merkel t’u hapë dyert 1 milion emigrantëve në pak javë. Libri futet në sekretin e e diskutimeve të atyre ditëve midis kreut të CSU-së Horst Seehofer, atij të atëhershëm të SPD-së Sigmar Gabriel, Ministrit të Financave Wofgang Schauble dhe shefit të Kancelarisë Peter Altmaier. “Në fund, Merkel ka refuzuar që të marrë përgjegjësinë, duke qeverisur me sondazhet”. Lindi kështu motoja e famshme merkeliane “Ëir schaffen das”: Mund t’ia dalim. Merkel dhe partia e saj qenë të bindur se emigrantët mund të ndaleshin vetëm me ndihmën e dhunës jovdekjeprurëse, si zjarrfikëset me ujë dhe spreit trullosës. Do të kishte qenë kaotike dhe pamjet, ndoshta, të tmerrshme. Merkel ishte jashtëzakonisht e preokupuar nga pamje të tilla, nga impakti politik i tyre dhe u bind se Gjermania nuk do t’ia toleronte. Në fakt, Kancelarja do të thotë se vendi i saj nuk do të ishte në gjendje të duronte pamjet nga kushtet e kampit të refugjatëve të Calais “për më shumë se tri ditë”. Libri i Alexander ka arritur majën e klasifikimeve pse ka nxjerrë nervin e zbuluar në diskutimet politike lidhur me emigracionin. Libri përshkruan një pjesë të historisë bashkëkohore dhe lexohet tamam si një thriller.
Politika e refugjatëve e Merkel nuk tregohet si një kryevepër e politikës së zemrës, por si një zgjedhje e diktuar nga frika e pamjeve nëpër televizionet e të gjithë botës. Është fotografia ajo që peshon tashmë në diktimin e sjelljes perëndimore në shumë momente kyçe, pamja që na çnderon dhe na tmerron, spektakli i madh i një riti tregues. Nuk ekzistojnë kufizime në tenderin e tmerreve të të Perëndimit. Me 30 prill të 1975 bindte Sajgoni. Qe lufta, e bërë dhe e humbur nga Shtetet e Bashkuara në televizion më parë akoma se në pyjet dhe orizoret vietnameze. Përfundon me një arrati të ngutshme të helikopterëve nga çatitë e ambasadës amerikane. Pamjet e pashlyeshme e atij konflikti mbetën në mendjet e të gjithëve: fëmijë lakuriq, të djegur nga bombat me napalm; kafazë tigrash me vietkongë brenda; pyje të shpyllëzuar nga agjenti kimik portokalli. Gjatë luftës, një fotografi e vetme, ajo e një vajze të vogël vietnameze që vrapon lakuriq nën një bombardim, e llahtarisur nga dhimbja (Huyng Cong-ut, 1972) ka shkaktuar më shumë dëme në opinionin publik amerikan se të gjithë reportazhet e mëparshëm e rrjeteve televizive. Bob Simon u ndesh një ditë në periferinë e Sajgonit, në autostradën Nr.13. Një minë jugvietnameze kishte hedhur në erë një kamion të mbushur plot me civilë të përzënë. CBS-i filmoi fëmijët e vdekur dhe nënat që i qanin. Bob Simon e paraqiti reportazhin e tij me pak fjalë: “Këto pamjet. Nuk ka mbetur asgjë për t’u shtuar. Fatkeqësisht, asgjë tjetër”.
Në 1958 kolonelët francezë në Algjeri u kishin kushtuar studime të veçanta luftës psikologjike. Një prej komandantëve më të njohur tha këto fjalë: “Njeriu i sotëm nuk mendon më përveçse për imazhe. Edhe idetë e tij janë imazhe të organizuara. Pasoja është se në epokën tonë veshët dhe sidomos shikimi zëvendësojnë qasjen ndaj mendimit”.
Kalojnë 30 vjet dhe luftërat moderne e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit përfundojnë për t’u vendosur nga fotografia që peshon. Viktimat dhe pamjet e një ushtari amerikan të vdekur të tërhequr zvarrë nëpër rrugët e Mogadishos pas bombardimit të Black Haëk Daën do ta shtyjnë Bill Clinton që të urdhërojë një tërheqje të turpshme nga Somalia. E detyruan administratën e tij që të rimendojë dhe, eventualisht, të çmontojë planet për përdorimin e trupave amerikane nëpër operacione paqeje të Kombeve të Bashkuara në Bosnje, Haiti dhe pika të tjera strategjike. Gjenerali David Petraeus do të përshkruante atë në Afganistan si “luftën e perceptuar dhe të kryer nëpërmjet lajmeve”.
“Në të kaluarën, imazhet e forta shkaktonin zemërim tek njerëzit”, thotë Profesori i Studimeve Klasike të California University Bruce Thornton. “Fotografitë e Luftës Civile të Mattheë Brady i shtynë civilët e Veriut e të Jugut që të luftonin edhe më fort. Kurse sot kemi krijuar një kulturë terapeutike në të cilën vuatja na shqetëson, edhe vuajtja e armiqve tanë më brutalë, kështu që jemi më të prirur ndaj politikash appeasement dhe tërheqjes për të mos e përballuar këtë papëlqyeshmëri. Jemi të pasur dhe pjesa tjetër e botës nuk është. Kështu që ngushëllohemi me një “faj” me kosto të ulët, duke qenë se njerëzit më pas nuk bëjnë shumë për t’i përmirësuar këto jetë dhe, kur e bën, zakonisht përfundon duke e bërë më keq. Është historia e ndihmës humanitare në Afrikë, trilionat e dollarëve që përfundojnë nëpër bankat zvicerane e diktatorëve dhe satrapëve. Në rastin e gjermanëve, më shumë se faji, ka funksionuar shpalosja e tepruar e një virtyti. Krimet e tyre historike i kanë bërë të dëshpëruar në demonstrimin se nuk janë nazistë, por paqësorë e të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Natyrisht që mund ta bëjnë pasi nuk u duhet të mendojnë për sigurinë e tyre kombëtare. Për atë mendojnë Shtetet e Bashkuara”.
Imazhe si superpolitikë. “Po, koha reale e mizorisë së përjetshme futen në dhomat e ndenjes të njerëzve gjatë ngrënies së darkës”, vazhdon Thornton. “Por ato pamje janë të privuara nga konteksti që u jep atyre një domethënie. Për shembull, pamjet e vietkongëve në ambasadën amerikane të Sajgonit gjatë Ofensivës Tet të vitit 1968 na bënë të besonim se po humbisnim luftën. Tet qe një katastrofë për Veriun, ku pati 40000 të vdekur. Ama në Shtetet e Bashkuara qe shumë vonë: të gjithë nisën të pyesin sesi t’ia bënim që të tërhiqeshim dhe kjo çoi në humbjen e Shteteve të Bashkuara”. Shtetet e Bashkuara kanë nisur ta humbasin luftën në Irak me fotografitë e Abu Ghraib dhe të arkivoleve të sjella në atdhe, mbi të cilat administrata Bush vuri veton, më pas e hequr nga Obama. “Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e pamjeve të luftës nga fronti, në mënyrë pavlloviane, janë përdorur nga reporterët tanë perëndimorë për të avancuar temën e paracaktuar e fajit perëndimor në vend të sakrificës dhe kurajës së investuar në një kauzë fisnike”, thotë historiani i njohur Victor Davis Hanson, edhe ai Docent në California University dhe autor i të shumëshiturit “Masakra dhe kulturë”.
“Në 1991 “autostrada e vdekjes” e famshme, me pamjet e vrasësve të Saddam Hussein që kishin plaçkitur e shkatërruar Kuvajtin, e shokuan publikun perëndimor, duke çuar në një armëpushim të menjëhershëm. Rezultati qe që aviacioni i Saddam mbeti i paprekur dhe gjatë “paqes” u përdor për të masakruar civilët shiitë dhe kurdë. Pezullimi i ndihmave amerikane për qeverinë jugvietnameze, pas marrëveshjes së Parisit të 1973, bazohej mbi një opinion publik amerikan të cfilitur pas një dekade vrasjesh live në television, të ulërimës “duhet ta shkatërrojmë këtë fshat për ta shpëtuar”.
Ndjenja e fajit, siç e ka shpjeguar Pascal Bruckner? “Elitat perëndimore shprehin humanitarizmin e ndjenjës së fajit, por edhe një lloj pendimi psikologjik që nuk duan të impenjohen drejtpërsëdrejti me “tjetrin”. Pak gjermanë duan t’i mirëpresin sirianët në shtëpitë dhe shkollat e tyre. Kështu që është një virtyt abstrakt, një paradoks i mirënjohur për Merkel. Problemet ekzistenciale të botës joperëndimore e tmerrojnë opinionin publik, nga përdorimi i forcës ushtarake në Afganistan e Libi, tek ndihmat humanitare. E kuptojnë se rrallë përpjekjet e tyre kanë sukses ndaj kushteve kulturore paraekzistuese që kanë çuar tek varfëria dhe tek kaosi. Në këtë boshllëk, elitat teorizojnë paskolonializmin, imperializmin dhe shfrytëzimin e resurseve për të bindur perëndimorët që janë përgjegjës për varfërinë endemike, dhunën dhe kaosin në Azi, Afrikë e Lindje të Mesme. Tmerri jashtë vendit dhe paaftësia për të bërë diçka çon në reagimin skicofrenik e europianëve e hapjes së kufijve për milionat e refugjatëve të pakontrolluar, megjithëse duke e ditur se europianëve u mungojnë kapacitetet dhe ndoshta edhe dëshira për t’i integruar dhe asimiluar myslimanët e Lindjes së Mesme në kulturat e tyre. Rezultati i tyre janë lumenjtë e emigrantëve, aparteidi në qytetet dhe furia private e votuesve europianë që liberizmi publik përplas me frikërat private të tyre”.
E padurueshme pamja e Aylan al Kurdi në një plazh të Turqisë. E padurueshme pamja e njerëzve të “ngecur” në aeroportet amerikane pas të ashtuquajturit “Muslim Ban” të Donald Trump. Të padurueshme uniformat portokalli e të burgosurve të Guantanamo (“Gulagu i kohës tonë”, sipas Sekretares së Amnesty International). Drejtori i Tëitter, Dick Costolo, ka pezulluar llogaritë që tregonin foto e John Foley, që ju pre koka nga islamistët. Asnjeri nuk ka dashur të shikojë foton e Khaleed al Asaad, arkeologut me kokë të prerë dhe të varur për këmbësh në Palmira nga ana e Shtetit Islamik. Sepse humanitarizmi kërkon gjithmonë viktimën e pësosur, rrënjëshkulurin pa identitet që u ikën “luftërave”. Kjo vlen edhe për Izraelin. Një funeral fëmijësh izraelianë nuk është kurrë i denjë për çmime dhe publikime, ndërsa ai në Gaza siguron faqet e para të gazetave. Barriera e sigurisë e Izraelit është më e fotografuar se çdo yll Hollyëood, por vetëm në seksione në beton me grafitet, nën të cilat është lutur edhe Papa Françesku.
“Censurimi i pamjeve krudo është gabim: njerëzit duhet t’i shikojnë tmerret që kryejnë xhihadistët”, thotë Bruce Thornton. “Ndoshta atëhere do të maturoheshin zemërimi dhe dëshira për hakmarrje në vend të nënshtrimit dhe akomodimit”. Përvoja e Amerikës është sanksionuar në kulturë nga filmi “Apocalypse Noë”, i realizuar sipas romanit “The Heart of Darkness” të Joseph Conrad. Paul Kurtz, funksionari belg i kompanisë tregtare, që vdes me këto fjalë: “Tmerri! Tmerri!”. Nuk jemi më të aftë ta durojmë.
“Jemi aq të pasur sa kemi krijuar një botë në të cilën vuajtja, mizoria, sëmundja, uria dhe dhuna që e kanë shënuar gjithmonë njerëzimin penetrojnë vetëm sporadikisht në botën tonë”, konkludon Thornton intervistën. “Kështu që mendojmë se paqja dhe mirëqenia jonë janë norma, kur në realitet ka anomaly historike, pa garanci se mund të zgjasin përjetësisht. Jemi teknofilë dhe utopistë: në kundërshtim me traditën perëndimore të një natyre njerëzore jo të përkryer, besojmë në botën e re të progresit në të cilën askush nuk do të duhet të vuajë dhe të gjithë do të jenë të lumtur. Është një ëndërr e kushtueshme që për momentin mund t’ia lejojmë vetes. Ama nuk do ta zgjasë shumë”.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA / Në shqip nga bota.al