Letersi

Fragment nga kryevepra e dhimbshme e Remarkut, “Harku i Triumfit”…

Ai ekzistonte e jeta e kishte pushtuar sërish, po e shkundte e, ai nuk ishte më spektator, nuk qëndronte më jashte saj; shkëlqimi i fortë i ndjenjës së pakontrollueshme vërshonte përsëri nëpër damarët e tij, si zjarri nëpër oxhakë furnaltash; dhe, nuk kishte pothuaj pikë rëndësie në ishte i lumtur apo fatkeq; ai jetonte dhe e ndjente fort që po jetonte – dhe kjo ishte mjaft!

Vazhdonte të rrinte nën shiun që vërshonte mbi të porsi një bresheri qiellore mitralozësh. Rrinte atje, e ishte shi e shtërngatë e ujë, e tokë njëherësh; rrufetë e horizonteve kryqëzoheshin brenda tij; ai ishte edhe krijesë edhe element i natyrës; asgjë s’kishte më emër dhe kështu të gjitha dukeshin si të vetmuara e si të braktisura, të gjitha ishin njëlloj – edhe dashuria , edhe uji që derdhej tatëpjetë, edhe ato ndriçimet e zbehta mbi çatitë, edhe toka që dukej sikur po gufohej; s’ekzistonin më kufij dhe ai vetë ishte pjesë e të gjitha këtyre. Lumturia dhe fatkeqësia mbeteshin gëzhoja boshe të flakura tutje nga ndjenja e gjithëpushtetshme se po jetonte dhe se po e ndjente se po jetonte.

…..”o ti atje lart!” foli ai duke iu drejtuar dritares së ndriçuar, dhe qeshi, dhe nuk e kuptoi që po qeshte.
“ti dritëz e vogël, ti vegim i një zane, ti fytyrë që ushtron një pushtet të çuditshëm mbi mua, këtu mbi këtë planet, ku ka me qindra e mijëra fytyra të tjera, më të mira, më të bukura, më të mençura, më të çiltra, më besnike e më të afrueshme – o ti rastësi që mu ngatërrove një natë nëpër këmbë atje në rrugë e që hyre në jetën time, ti ndjenje e përplasur brigjeve, pa mendim, por robëruese dhe që rrëshqite nën lëkuren time në nate gjumi, ti, që s’di për mua pothuajse asgjë tjetër përveç asaj që të rezistova, dhe që prandaj mu hodhe ndër krahë, deri sa nuk të rezistova më, ti, që deshe të vazhdoje pastaj rrugën tënde e të mërgoheshe prej meje – të përshëndes, të përshëndes! Ja tek po qendroj këtu dhe s’ma merr mendja se do të qëndroj edhe një herë tjetër kështu. Shiu më depërton nën këmishë dhe është më i ngrohtë e më i ftohtë e më i butë se duart e tua dhe lëkura jote. Po qëndroj këtu i mjerë dhe me kthetrat e xhelozisë në bark, duke të të kërkuar, duke të të përbuzur, admiruar e adhuruar, sepse ke hedhur rrufenë që ndezi, rrufene që dremit në çdo gji, shkëndijën e jetës, zjarrin e zi.
Po qëndroj këtu, jo më si një i vdekur me leje, me pak cinizëm, sarkazëm e me nje çikëz guxim, jo më i ftohtë; jam përsëri i gjallë, qoftë edhe duke vuajtur, por sërish i prekshëm nga stuhitë e jetës, i rilindur e i rikthyer në pushtetin e saj të thjeshtë! Qofsh bekuar ti Mado, me atë zemrën tënde shtegtare, ti Nike me atë aksentin tënd latin! Endërr dhe mashtrim, pasqyrë e thyer e nje perëndie të ngrysur, o ti që s’di asgjë- të falenderoj! Kurrë s’kam për të ta thënë, se ti do të nxirje përfitimet e tua nga kjo-por ti ma ke rikthyer atë që s’do të ma jepte as Platoni, as krizantemat, as e gjithë poezia dhe as e gjithë mëshira, as dëshpërimi dhe as më e forta dhe, as më e durueshmia shpresë: Jetën e thjeshtë, të fuqishme, të mirëfilltë, që më dukej si një krim në këto kohra midis njërës katastrofë dhe tjetrës! Të falenderoj! Duhej të të humbisja që ta merrja vesh këtë!

Leave a Reply

Back to top button