Kishte rënë muzgu. Disku i zjarrtë i diellit po zhytej dalëngadalë në horizont. Për besimtarët muslimanë kishte ardhur koha për lutjen e katërt të ditës. E ulur në ballkonin e dhomës së gjumit, shihja tim shoq e tim bir tek largoheshin nga oborri i madh i pallatit tonë në drejtim të xhamisë. Me ta u bashkua edhe një grumbull tjetër burrash që u përshëndetën me njëri – tjetrin shumë përzemërsisht.
Nuk ia shqita sytë djalit tim që e doja si sytë e ballit, derisa pashë të futej në xhami bashkë me të atin, por pa mua. E të mendosh që ai ishte mish i mishit tim, gjaku i gjakut tim! Atë çast u ndjeva krijesa më e vetmuar e rruzullit tokësor.
Lindjet e meshkujve janë të dokumentuara në regjistrat familjarë apo në ato të fiseve, por nuk gjen as edhe një të tillë për femrat. Emocioni i zakonshëm që shprehet në rastet kur lind një femër është keqardhje ose turpi.
Shpesh e kam pyetur veten: Përderisa ardhja dhe largimi ynë nga kjo botë nuk regjistrohet askund, mos ndoshta kjo do të thotë se ne gratë e shkretëtirës nuk ekzistojmë? Më shumë se padrejtësitë e jetës, ishte pikërisht pyetja e mësipërme ajo që më shtyu të ndërmarr këtë hap të rrezikshëm për t’ju treguar historinë time.