Pjesë të një Kurani të para 1370 vjetëve janë gjetur në bibliotekën e Universitetit në Birmingamit në Britani.
Rrjeti BBC ka raportuar sot se fragmentet ishin pjesë e koleksionit të sjellë në Britani nga Iraku në vitet 1920. Analizat me radiokarbon tregojnë se bëhet fjalë për një dokument mbi 1370-vjeçar.
Teksti është i shkruar në lëkurën e një deleje ose dhie. Metoda e përcaktimit të kohës së shkrimit me radiokarbon siguron një saktësi më të lartë se 95 përqind. Kjo do të thotë që dorëshkrimi i përket një periudhe nga mes viteve 568-645.
Susan Worral, pjesë e bordit drejtues të bibliotekës, thotë se studiuesve nuk u shkonte ndërmend se bëhej fjalë për një tekst kaq të lashtë.
Profesori i krishterimit dhe islamit, David Thomas, është shprehur se dorëshkrimi na çon pas në kohë, në vitet e lindjes së Islamit. Sipas traditës myslimane, Profeti Muhamed mori shpalljet dhe ngriti Kuranin mes vitit 610 dhe 632, viti i vdekjes së tij.
Thomas thotë se të dhënat sugjerojnë që personi që ka shkruar këto dorëshkrime me gjasa ka qenë gjallë në kohën e Profetit Muhamed.
Drejtuesit e Universitetit të Birminghamit thonë se do të vendosin për ekspozim publik fragmentet në fjalë./Botimeshqip.com