Pastaj, përnjëherësh, gjithçka ndodhi shumë shpejt. Mishrat e fytyrës filluan t’i treten. Kockat i kishte tani të holla si krahë fëmije, brinjët i dalloheshin nën lëkurë dhe ethet e zhuritnin pa nderprerje atë trupth të ligur. Infermierja solli bombola me oksigjen dhe mjeku i vinte çdo orë.
Një pasdreke, temperatura i zbriti çuditërisht shpejt. Pati u zgjua dhe më soditi për një kohë të gjatë.
– Ma jep pak pasqyrën? – përshpëriti pastaj.
– Ç’e do pasqyrën? – e pyeta unë. – Qetësohu pakëz! Më duket se e hodhe tani, Pat. S’ke më ethe.
-Jo, – murmuriti ajo me atë zë të thërrmuar e të drobitur – ma jep pasqyrën!
Une i rashë qark krevatit, mora pasqyrën dhe e lëshova nga dora. Ajo u thye.
– Më fal! -i thashe. – Sa tera, që jam! Edhe një copë pasqyre më vete e më shpëton nga dora e më bëhet copë e cikë!
– Në çanten time kam edhe një tjetër, Robi.
Ishte nje pasqyrë e vogël prej nikeli të kromuar. E fshiva me pëllëmbën e dorës, që të ndotej pak dhe ia dhashë. Ajo e pastroi me zor dhe u pa në të me vëmendje.
– Ti duhet të nisesh, i dashur! – pëshpëriti pastaj.
-Po pse? S’më dashke më?
-Ti s’duhet të më shohësh më. Kjo këtu s’jam unë.
Ia hoqa pasqyrën nga dora.
– Këto sende metalike nuk vlejnë asnjë grosh, Pat. Pa shiko, si më nxjerr mua! Të zbehtë e të hequr. Pse, kështu qenkam unë? Unë jam i zeshkët dhe i fuqishëm. Tërë bridhe-bridhe është kjo dreq pasqyre!
– Dua që të të mbetem ndryshe në kujtesë, – murmuriti ajo. – Nisu, i dashur! Më lër të mbaroj punë vetë!
Une e qetësova. Ajo ma kerkoi përsëri pasqyrën bashkë me çantën e saj. Pastaj zuri t’i vinte pudër fytyrës së mjerë e të drobitur, buzëve të plasura, gropëzave të nxira poshtë syvë.
– Vetëm pak, i dashur,—tha ajo dhe u mundua të vinte buzen në gaz. – Ti s’duhet të më shohësh të shëmtuar.
-Ti mund të bësh ç’të duash, – i thashë, – por kurrë s’do të jesh e shëmtuar! Për mua je gruaja më e bukur që kam parë gjatë gjithë jetës sime!
Ia mora pasqyrën dhe kutinë e pudrës dhe ia vura duart me kujdes rreth kokes. Pas pak ajo filloi të shqetësohej.
– Çfare ke, Pat? – e pyeta.- Troket aq fort, – pëshpëriti ajo.
– Kush? Ora?
Ajo tundi kokën paksa në shenjë pohimi:
-Bubullon…
Une e hoqa orën nga dora. Ajo vështroi gjithë ankth akrepin e sekondave.
-Hiqma nga sytë!
Unë e mora orën dhe e përlasa fort pas murit.
-Ja, tani nuk troket më! Tani koha është ndalur në vend. E kemi shqyer në mes.Vetëm ne të dy kemi mbetur këtu, vetëm ne të dy,ti dhe unë dhe askush tjetër.
Ajo m’i hoqi sytë që i qenë zmadhuar tejmase.
-I dashur… – pëshpëriti me zë të shuar.
Unë s’munda ta duroja më atë shikim. Vinte që nga larg, kalonte përmes meje dhe tretej diku.
-Trimëresha ime, – murmurita une. – Trimëresha ime e shtrenjtë, e dashur…
Ajo vdiq në orën e fundit të natës, përpara se të agonte. Hoqi shumë dhe vdiq me mundime të mëdha dhe askush s’mundi ta ndihmonte. E mbante dorën time të shtrënguar, por nuk e dinte më që i ndodhesha pranë. Dikur foli dikush:
– Vdiq…
– JO! – bërtita unë. – Ajo s’ka vdekur ende! Ende po ma mban dorën të shtrënguar…
Dritë. Dritë verbuese, e padurueshme. Njerëz. Mjeku. Unë hapa ngadalë dorën time. Dora e Patit u lëshua përtokë. Tipare të shfytyruara nga makthi. Sy të ngrirë e të munduar. Flokë gështenjë e të mëndafshtë.
– Pat, – thashë unë. – Pat!
Dhe për herë të parë, ajo nuk më dha përgjigje…