Covid19

Franca regjistron fatalitetin e parë tek fëmijët nga sëmundja e rrallë e lidhur me Covid-19

Një djalë nëntë vjeç ka vdekur në Francë nga një sëmundje e rrallë që besohet të jetë e lidhur me koronavirusin, kjo është vdekja e parë e tillë në vend, fatalitete të ngjashme tek fëmijët, po hetohen në New York dhe Londër.

Fëmija vdiq pas një “dëmtimi neurologjik të lidhur me një atak kardiak”, tha Fabrice Michel, kreu i njësisë së kujdesit intensiv pediatrik në spitalin La Timone në qytetin e Marsejës. Djali, i cili u testua pozitiv me koronavirus, mori trajtim në spital për shtatë ditë dhe vdiq të shtunën, tha mjeku.
Në tre javët e fundit, disa vende kanë raportuar raste të fëmijëve të prekur nga një sëmundje inflamatore me simptoma të ngjashme me ato të një gjendje të rrallë e quajtur sëmundja e Kawasaki. Shkencëtarët besojnë se ajo është e lidhur me Covid-19.

Në një spital për fëmijët në Londër u deklarua të mërkurën se një djalë 14-vjeçar pa probleme të tjera shëndetësore kishte vdekur nga sëmundja dhe ishte testuar positiv me koronavirusin. Në New York, guvernatori Andrew Cuomo tha të martën se tre fëmijë kishin vdekur dhe më shumë se 100 raste janë duke u hetuar. Mjekët që po trajtojnë fëmijët me këtë sëmundje kanë raportuar simptoma si ethe, skuqje, dhimbje barku, dhe një gjuhë të kuqe ose të fryrë. Sipas agjencisë së shëndetit publik ka pasur 125 raste të raportuara në Francë midis 1 marsit dhe 12 majit. Mosha e pacientëve shkonte nga një deri në 14 vjeç. Të enjten agjensia e shëndetit publik në Francë tha se inflamacioni i enëve të gjakut dhe dëmtimet kardiake janë “shumë më të theksuara” në rastet që dyshohet se lidhen me Covid-19 në krahasim me sëmundjen klasike Kawasaki.

Michel, mjeku pediatrik në Marsejë, theksoi se sëmundja është e rrallë. Fëmijët duhet të kontaktojnë me një mjek nëse kanë ethe për më shumë se dy ditë dhe simptoma të ngjashme.  France 24 / bota.al

Leave a Reply

Back to top button