Bota

FRANCE / François Hollande në kërkim të rikthimit të autoritetit. Por e majta po “copëtohet”

Screen Shot 2016-09-07 at 09.48.54François Hollande po përpiqet që të rivendosë autoritetin e tij në një të majtë franceze që duket e copëtuar, në një kohë kur sfidues të rinj nga brenda radhëve të Partisë Socialiste, po i bëjnë thirrje udhëheqësit të tyre tashmë me shumë pak popullaritet, që të tërhiqet nga gara presidenciale, shkruan në një artikull e përditshmja Financial Times. Në një fjalim që do të mbajë nesër, Hollande pritet të flasë për temat e terrorizmit islamik dhe ekstremit të djathtë, me shpresën që të kapërcejë kritikat brenda partisë së tij.

Shumë rivalë në të majtë kanë shprehur së fundmi qëllimet e tyre që të garojnë për president. Midis tyre janë katër ish-ministra të Hollande, duke përfshirë ish-beniaminin e tij, Emmanuel Macron dhe Arnaud Montebourgun, një majtist i thekur dhe paraardhës i zotit Macron në ministrinë e Ekonomisë. Të dy shpresojnë se presidenti do të tërhiqet, përballë shifrave të dobëta të mbështetjes për të.

“Hollande do të përpiqet që të rivendosë udhëheqjen e tij dhe të shfaqet si mbrojtës i kombit”, thotë për FT Laurent Bouvet, një specialist i politikës në universitetin e Versajës. “Këto janë të vetmet tema, mbi të cilat e majta mund të gjejë një gjuhë të përbashkët. Por kredibiliteti i tij ka rënë shumë, edhe pas sulmeve të treta dhe të katërta të mëdha terroriste”.

Hollande, 62 vjeç, u ngrit në krye të Partisë Socialiste dhe mori presidencën, duke mbajtur të bashkuar, një të majtë që ishte copëtuar nga mosmarrëveshjet midis atyre në favor të qasje centriste e të orientuar nga tregu, dhe atyre që ende kapeshin pas ideve marksiste. Por, pas katër vitesh në pushtet kjo arritje është në rrezik, duke rritur gjasat e një humbje poshtëruese në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

“Copëzimi është vetëvrasje,” tha Philippe Marlière në University College të Londrës. “Ata e dinë këtë, por është çështje egoje dhe ambiciesh personale, si dhe mosmarrëveshjesh të papajtueshme”. Shumëkush e bën Hollande përgjegjës, sipas Prof Marlière. Në veçanti, ai e fajëson për dështimin për të realizuar premtimet e fushatës, si luftimi i industrisë financiare dhe përballja me Angela Merkelin, kancelare gjermane, në lidhje me masat shtrënguese. Shumë anëtarë të partisë janë zemëruar me veprimin e tij për të dhënë më shumë se 40 miliardë Euro, si lehtësim nga taksat për kompanitë si dhe shtimin e fleksibilitetit në tregun e punës.

Presidenti ka tronditur elektoratin duke kërkuar – pa sukses – që të ndryshojë kushtetutën për t’u hequr terroristëve shtetësinë franceze, një masë e kërkuar prej kohësh nga Fronti Nacional. Edhe një rimëkëmbje modeste e ekonomisë dhe një rënie e shumëpritur e papunësisë mund të mos  mjaftojnë për të fituar shumë votues socialistë. “Për herë të parë, një pjesë e elektoratit të majtë është e tunduar që të abstenojë”, thotë për FT Prof Marlière. “Zhgënjimi nga elita dhe institucionet është shumë i fortë”. /www.bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close