Bota

Futbolli është mënyre jetese për xhihadistët në Europë. Por është dhe shënjestër

Sulmi me bombë kundër klubit gjerman të futbollit, Borusia Dortmund, është një kujtesë se futbolli është shndërruar në një shënjestër mes terroristëve islamikë. Duke sulmuar sportin më popullor të Europës, grupet e terrorit e dinë se mund të shkaktojnë frikën më të madhe, dke garantuar vëmendje mediatike maksimale.

Në 50 vitet e fundit, futbolli është bërë një pjesë qendrore e identitetit kombëtar të Gjermanisë dhe pasuria e ekipeve, është e lidhur ngushtë me miliona tifozët që i ndjekin. Eshtë një fakt që nuk i ka shpëtuar vëmendjes së mijëra luftëtarëve të huaj, të cilët u dyndën në Siri për t’u bashkuar me ISIS, shumë prej të cilëve, ishin edhe vetë tifozë futbolli në Evropë. Tani, planifikuesit e terrorit të ISIS, e kanë futur edhe këtë element në operacionet e tyre terroriste.

I pari i tre shpërthimeve të bombave që filloi sulmet terroriste në Paris në nëntor 2015, që përfunduan me një numër prej 130 të vdekurish, u aktivizua jashtë stadiumit “Stade de France”, ku Franca po luante Gjermaninë, një miqësore ndërkombëtare. Ishin vetëm masat e shtrënguara të sigurisë në stadium, që penguan kamikazin të shkaktonte edhe më shumë viktima.

Por Isis e sheh futbollin si haram (kundër Islamit) dhe ka kryer një sërë sulmesh të përgjakshme vetëvrasëse ndaj objekteve të futbollit dhe bareve ku shiheshin ndeshje, jashtë Evropës. Një nga më të rëndët ndodhi në mars të vitit të kaluar, kur një kamikaz hodhi veten në erë në një stadium futbolli në Iskanderiyah, Irak, duke vrarë 29 vetë dhe plagosur 60.

Dy muaj më vonë një grup terroristësh të ISIS, të armatosur me AK-47 sulmuan selinë e një klubi tifozësh të Realit të Madridit. Tre persona të armatosur hapën zjarr rreth mesnatës në kafenenë Al Furat në Balad, 50 milje në veri të kryeqytetit irakian, Bagdad. Të paktën 16 vetë – kryesisht tifozë të Real Madridit, por edhe të stafit të kafenesë, si dhe klientë të tjerë – u vranë dhe më shumë se 20 persona mbetën të plagosur.

Sigurisht, sporti nuk është i huaj për terrorizmin. Vrasja e shtatë atletëve izraelitë nga grupi militant palestinez Shtatori i Zi në Lojërat Olimpike të Mynihut në vitin 1972 dhe sulmi me bombë në Olimpiadën e 1996 në Atlanta, tregojnë se aktivitetet ndërkombëtare sportive janë vënë në fokus të terroristëve.

Sot, ISIS e ka bërë futbollin shënjestrën e preferuar. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button