Analiza

Gabimi i padetyrueshëm i Papës

Ulja në pozitë që i ka bërë Kardinalit Burke, një kritik besnik por elokuent, mund të rezultojë gabimi i tij më i madh

Benedict Kiely

BurkePolitika e Vatikanit është e famshme për paqëndrueshmërinë e saj, dhe lajmet në media se kush hyn dhe kush del, zakonisht varen prej paragjykimit të gazetarit. Megjithatë, për muaj të tërë, lajmet në të majtën dhe në të djathtën eklesiastike kishin dakordësi sa i përket uljes në detyrë të kardinalit kryesor amerikan në Vatikan: kryegjykatësit të Kishës, apo për t’i dhënë titullin e duhur, prefektit të Signatura-s Apostolike, autoriteti më i lartë gjyqësor i Kishës, pas Papës – Kardinalit Raymond Leo Burke. Këtë herë, thashethemet që konsumohen mbrëmjeve me nga një limonçelo në dorë, dolën të saktë. Burke është “graduar” me ulje në një pozicion që normalisht është një lloj qosheje e ngrohtë për një kardinal të moshuar. Si kardinali i ri mbrojtës i Urdhërit Sovran të Maltës, Burke, në moshën 66 vjeç, tashmë do të mbikëqyrë Kalorësit e Maltës, një prej urdhërave më të vjetër ekzistues ushtarakë në Kishën Katolike. Ata njihen sot kryesisht për veprat e tyre të bamirësisë.
Burke është parë nga shumëkush si një zëdhënës i “opozitës besnike” ndaj udhëheqjes disi frenetike të të preferuarit të mediave, Papa Franceskut. Pas sinodit (këshillit) më të fundit mbi familjen, kur përpjekjet prapa kuintave për të imponuar ndryshime dramatikë në mësimet dhe praktikën e Kishës, me sa duket duke patur edhe miratimin e heshtur të Papës, hasën në rezistencën pikërisht të Burke dhe “të fortit” australian Kardinalit George Pell, ndjesia se ditët e Burkes ishin të numëruara thjeshtë u konfirmua. Komentet e tij pak javë më vonë, se Kisha nën drejtimin e Franceskut duket si një “anije pa timon” ishin qartësisht gozhda e fundit në arkivolin e kardinalit.
Pavarësisht imazhit të Franceskut si një njeri dialogu dhe kompromisi, ai shihet në Romë si Papa më autoritar i dekadave të fundit. Eshtë gjithashtu një njeri i njohur për larje hesapesh. Menjëherë pas zgjedhjes si Papë, ai lëvizi menjëherë një peshkop në Argjentinë, i cili kishte qenë kundërshtari i tij kryesor kur ishte kryepeshkop i Buenos Airesit – një tjetër “gradim” me ulje – duke e transferuar në një pozicion të paqartë në burokracinë e Vatikanit. Brenda pak më shumë se dy vitesh, Papa Bergoglio ka hequr, ose transferuar, shumë prejnjerëzve kyçë që ishin vendosur nga paraardhësi i tij, Benedikti XVI.
Megjithatë, Burke qëndroi si “gjykatësi i Papës”, qoftë edhe për faktin sepse shihej nga shumëkush si njeriu i duhur për këtë punë. Ndërkohë, vëzhguesit e Vatikanit vërenin se ai ishte figura më e lartë që e kishte mbajtur pozicionin, por që nuk ishte konfirmuar nëtë prej Papa Franceskut. Edhe armiqtë e Kardinalit Burke – dhe ai ka shumë, dhe ata janë të gjithë ideologjikë – e pranojnë që është i jashtëzakonshëm në kuptimin që nuk ka shfaqur asnjëherë ambicie për poste më të lartë. Por Francesku nuk duron dot kundërshti, kështu që Burkes iu desh të largohet.
Krimet e tij? Burke mbështet mësimet tradicionalë Biblikë për martesën dhe nxit lutjen në Meshën tradicionale Latine. Ai shihet rregullisht në vende të ndryshëm duke kremtuar një liturgji që Francesku e konsideron si relike të të shkuarës, ndonëse Kishat ku kremtohen zakonisht këto mesha janë të mbushura me familje të reja, dhe ato prodhojnë shumë vokacione për priftërimin dhe jetën fetare. (Buenos Aires nuk kishte pothuajse vokacione në seminarët gjatë kohës kur kryepeshkop ishte Papa Bergoglio). Por ndoshta shkelja më e rëndë e Kardinalit Burke ishte se ai deklaroi që politikanëve Katolikë që mbështesin abortin, duhej t’u refuzohej kungimi.
Emërimi i Burkes në një urdhër të lashtë e të parëndësishëm kalorësiak shihet si një përpjekje për ta mënjanuar atë, por mund të rezultojë gabimi më i rëndë i papës argjentinas. Burke, ndryshe nga shumë të tjerë, është një njeri i vërtetë i Kishës, dhe ai është besnik i palëkundur ndaj pasardhësit të Shën Pjetrit. Në fakt, në kuptimin politik, nuk ka “opozitë” ndaj Papa Franceskut; ai është papa i zgjedhur dhe sa kohë që nuk e udhëheq Kishën Katolike në rrugë të gabuar, duhet respektuar dhe i duhet bindur. Megjithatë, në një traditë që shkon pas në kohë deri tek Shën Pali dhe më vonë Shën Katerina e Sienës, si edhe shumë të tjerë, nuk është mungesë besnikërie të korrigjosh në mënyrë vëllazërore apo të vësh në dyshim disa veprime apo deklarata të Papës. Për të perifrazuar Chestertonin, ky është dallimi mes një oborrtari dhe një patrioti. Një “patriot”, thoshte Chestertoni, “ishte një njeri i pakënaqur. Ishte e kundërta e ‘oborrtarit’, që dëshironte të ruhej gjendja aktuale”.
Në Vatikanin e sotëm, oborrtarët kanë avantazhin. Pikërisht si patriot, si një njeri i pakënaqur por që gjithësesi e do Kishën, në pozicionin e tij të ri Burke do të gëzojë një liri që deri sot nuk e ka patur. Ai do të jetë në gjendje të udhëtojë dhe kremtojë meshën e lashtë në të gjithë botën. Ai mund të predikojë dhe shkruajë. Dhe Kalorësit e Maltës nuk janë, siç mendojnë të përkushtuarit majtistë të teologjisë së emancipimit, relike të një romani të Dan Braunit. Jo vetëm që radhët e tyre janë të mbushura me pjesëtarë të aristokracisë së çdo shteti mbi tokë, por ç’është më e rëndësishmja, pjesëtarët më të rinj janë shpesh herë figura të pasura dhe me ndikim në industri, politikë dhe media. Kalorësit – dhe Damat – e Maltës kanë spitale dhe organizata bamirësie në të gjithë botën. Pelegrinazhi i tyre i përvitshëm me të sëmurët dhe njerëzit me të meta në Lourdes është një prej më popullorëve. Burrat dhe Gratë që janë anëtarësuar në Urdhërin Sovran të Maltës, një shtet që lëshon pasaporta, janë katolikë të devotshëm, të cilët e duan fenë e tyre dhe veprojnë me bujari dhe përkushtim. Dhe Kardinali Burke është “ulur në pozitë” pikërisht për të udhëhequr këtë krah me shumë ndikim të Kishës.
Po përse ka rëndësi për botën kjo çështje e brendshme e Kishës? Së pari, tregon se i vetmi institucion i madh global që përfaqëson atë që mund të quhet këndvështrimi tradicional për familjen, është i ndarë dhe se kjo ndarje është qartësisht e keqe për ata që merakosen për të ardhmen e familjes dhe shoqërisë civile. Parë më pozitivisht: Kjo mund të shënojë ngacmimin e fundit të një mentaliteti të caktuar të viteve Gjashtëdhjetë, i cili është në rënie të shpejtë. Nëse nuk ka erëtregues që vihen në lëvizje prej erës së ambicies, priftërinjtë dhe peshkopët e vendosur që nga koha e Shën Gjon Palit II dhe Papa Benediktit nuk kanë asgjë të përbashkët me teologjinë që, të paktën prej një sezoni, është ringjallur në Romë.
Në fund, ka ndoshta një ironi. Disa kanë spekuluar se Papa Francesku, që do të mbushë 78 vjeç muajin tjetër, do të ndjekë shembullin e paraardhësit të tij dhe do të tërhiqet nga detyra, ndoshta në moshën 80 vjeç. Në çdo rast, Raymond Burke do të jetë një figurë e rëndësishme në konklavën për zgjedhjen e pasardhësit të tij, dhe që tani, disa vëzhgues po parashikojnë se armiku i oborrtarëve do të jetë mbreti i ardhshëm. /National Review/
Atë Benedict Kiely është pastor i Blessed Sacrament Parish në Stowe, Vermont dhe Drejtor i Edukimit në Vazhdim të Klerit në Dioqezën e Burlingtonit. Ai është themelues i nasarean.org, që mbështet të krishterët e persekutuar në Irak, Siri dhe përreth botës.

Leave a Reply

Back to top button