Personazh – Një nga shkrimtarët më të mirë të realizmit magjik, “Gabo” Markez nuk e kishte pritur kurrë të bëhej shkrimtar. Imagjinata e tij kishte mbetur te muzika. Ai ishte një fëmijë gjeni, një adoleshent i trazuar dhe pas përpjekjeve të pareshtura, u bë dhe një shkrimtar i madh
Gabriel Garsia Markez është një nga autorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Historia e jetës së tij është një antidot trimërie ndaj mitit tiranik se djepi fëmijëror është thelbësor për të krijuar gjeni dhe kundër idesë se vetëm ata që kthejnë ëndrrat e fëmijërisë në realitet, janë të destinuar të bëjnë ndryshim kulturor. Ideja e gabuar se nëse nuk ke një vegim të qartë të qëllimit tënd në jetë që në fëmijëri, atëherë jeta jote do të zhytet në mediokritet, nuk funksionoi për Markezin.
Ai nuk pati një qartësi të tillë të qëllimeve të tij. As Van Gogu nuk e kishte të qartë se çdo të bënte në jetë. Në vend të kësaj, jeta e autorit shumë të njohur është një dëshmi e gjallë se qëllimi i jetës nuk është diçka me të cilën bind, por diçka që e gjen dhe që e kultivon, diçka që zbulohet vetë teksa jeta rrjedh, edhe nëse nuk e kupton që në fillim se çfarë do të ndodhë.
Markez ( origj: Gabriel Garcia Marquez ) u rrit me dëshirën për t’u bërë muzikant.
“Kam ëndërruar për jetën e mirë, duke shkuar nga një panair në tjetrin duke kënduar me fizarmonikë, gjë që dukej mënyra më e vjetër dhe më e lumtur për të rrëfyer një histori”, shkruan ai në librin e kujtimeve të tij “Të jetosh për të rrëfyer përrallën”, përpara se të merrte parasysh mundësinë e karrierës si një shkrimtar.
“Unë nuk kisha kurajën dhe ndjesinë e pavarësisë si vëllai im, Luis Enrike, i cili bëri vetëm atë që dëshironte në jetë. Dhe i cili pa dyshim do të arrinte një lumturi që nuk ishte diçka që dikush do ta dëshironte për fëmijën e tij, por diçka që i lejon t’u mbijetojë dashurive të papërmbajtura, frikës dhe pritshmërive të prindërve të tyre.
Pritshmëritë e prindërve të tij ishin shumë të larta. Si djalosh, Gabo kishte qenë gjithnjë një nxënës i shkëlqyer, një fëmijë gjeni dhe jo problematik – aq shumë saqë gjyshja e tij, që ishte e rëndësishme në rritjen e tij, shpesh e përgëzonte si ‘fëmijën e përkryer’.
Por më pas ai po përpiqej në shkallën e dytë të edukimit, i pakënaqur në një shkollë që kishte një reputacion të keq si një laborator i shtrembërimit politik. I brengosur, ai filloi të shoqërohej me shokë të dyshimtë, të abuzonte me alkoolin dhe të qëndronte jashtë gjithë natën – ai kishte ndryshuar drejtim, siç e thoshte edhe vetë, kishte marrë rrugën e gabuar.
Prindërit e tij ishin shumë të çuditur nga ndryshimi i papritur. Markez tregon për një bisedë shumë të rëndësishme që pati me nënën e tij në moshën 18-vjeçare.
“Epo, unë nuk e di se çfarë do të bëjmë”, i tha ajo pas një heshtjeje vdekjeprurëse, “sepse nëse ia themi të gjithë këtë babait tënd, ai do të pësonte një vdekje të menjëhershme. Nuk e kupton se je krenaria e familjes?”
Për ata ishte e thjeshtë: meqenëse nuk kishte mundësi që unë të bëhesha një fizikan i njohur, gjë të cilën babai im nuk ia doli të ishte, sepse ai nuk kishte para, ata ëndërronin që të paktën të bëhesha një profesionist në diçka tjetër.
“Unë nuk do të bëhem asgjë fare”, përfundova unë. “Refuzoj t’ju lë të më detyroni të bëhem diçka që nuk dua të jem apo ç’ka do të donit ju të bëhesha unë, aq më pak se çfarë do qeveria që të bëhem”.
Këto biseda të tensionuara, u përsëritën gjatë javës në vazhdim derisa një ditë nëna e tij i tha, ‘si të ishte rastësisht’ diçka që atë e befasoi pamasë:
“Thonë se nëse i përkushtohesh me gjithë shpirt, mund të bëhesh një shkrimtar i mirë”.
Nuk kisha dëgjuar kurrë diçka të tillë në familje. Qëkur isha fëmijë prirjet e mia më kishin lejuar të supozoja se do të isha një muzikant, të këndoja në kishë, ose të isha një poet i së dielës. Kisha zbuluar te vetja një tendencë, e njohur për këdo, drejt shkrimit që ishte i ndërlikuar dhe i brishtë, por kësaj here, reagimi im ishte befasues.
Pavarësisht se përgjigjja e tij ishte një skepticizëm përbuzës, meqenëse cinizmi është shpresë e thjeshtë e maskuar me frikë, në të gjendej një aspiratë që do të përcaktonte jetën e tij:
“Nëse do të bëhesh një shkrimtar, atëherë duhet të jesh një shkrimtar i mrekullueshëm, sepse nuk ka më të tillë”, i tha e ëma. “Mbi të gjitha, ka mënyra të tjera për të vdekur për bukë”.
Por sapo veli i cinizmit rinor u shua, Markez pa se nuk kishte shpresë tjetër, por të bëhej një nga më të mirët. Katër dekada më vonë, ai mori çmimin Nobel në Letërsi për romanet dhe novelat e tij, në të cilat fantastikja dhe realiteti kombinohen në një botë të pasur imagjinare, një reflektim i jetës dhe konflikteve të kontinentit./BrainPickings / Shqip