Sport

Gangsterët e FSHF-së dhe hakmarrja që e pret Flamurtarin

Nga Fatjon Shehu

Vlora është qyteti simbol i Pavarësisë dhe me këtë status njihet për rrahagjoksin në kauzat e saj.

Prej kohësh, vlonjatët kanë qenë pre e një sistemi të pamoralshëm futbolli, tek i cili nuk kanë pranuar të bëhen pjesë.

Prej kohësh, vlonjatët kanë ngritur zërin për padrejtësitë dhe në çdo rast janë ndëshkuar.

Prej kohësh, vlonjatët kanë qenë me pak shokë në sistemin e kalbur të futbollit, kur kanë parë veten të dënuar, syrgjynosur dhe demoralizuar.

Me një metodologji binomi, arbitra-zyrë, FSHF kanë arritur të vërë në zbatim një plan të pistë.

Arbitrat masakrojnë në fushë, ndërsa në zyrat e Federatës vulosen dënimet kolektive dhe masive për Flamurtarin.

Të mësuar që mund të bëjnë çfarë të duan në fushë dhe askush të mos i ndëshkojë, arbitrat shpesh herë janë konsideruar si “gangsterët” e futbollit. Por, duket se kjo ironi për situatën e tyre arriti deri sa arbitra si Sino dhe Tartari ta besojnë realisht se janë të tillë.

Në Vlorë, në qytetin që ka rrëzuar edhe qeveri politike, arbitrat “gangsterë” rrahën gjoksin si vlonjat dhe tentuan të tejkalojnë edhe limitet, për të cilat i mbron edhe FSHF.

Jo vetëm penallti fantazëm, por shanë, ofenduan e cënuan edhe nderin e vlonjatëve.

Një “bandë” e veshur me të zeza që pasi kanë javë të tëra që shfryjnë me bilbil, tani po shfryjnë edhe me fjalë.

Flamurtari nuk është viktima e vetme, por duket se do jetë viktima më e madhe.

Në zyrat e FSHF, gjithçka ka qenë e planifikuar. Ishte pjesë e planit që do finalizohet me një hakmarrje tjetër.

Prej ditësh, në kafenetë afër FSHF-së, zyrtarë me ose pa kollare, mburren me krenari që Flamurtarin nuk do e licencojnë që të shkojë në Europë.

Flasin me fytyrë të qeshur, për një plan që vret gjithnjë e më shumë futbollin.

Flasin për një plan, që përfshinte edhe incidentet me arbitrat.

Gjithçka për të pasur futboll të telekomanduar.

Por, kanë gabuar në një detaj.

Flamurtari mund të falë si klub, por Vlora jo…

Leave a Reply

Back to top button