Majkëll Brendën Doerti
Ka shumë arsye për t’i parë si dëshpëruese zgjedhjet e 2016-ës. Dy protagonistët kryesorë janë aq të papëlqyeshëm, sa që të duken si të vetmet figura që mund të gjenin partitë, të cilat mund të humbisnin përballë njëri-tjetrit. Njëra ka zgjedhur pozicionin e njeriut që bën mirë, duke u bërë e pasur, ndërsa drejtonte një bamirësi në këmbim të influencës. Tjetri është një egoist, që rrallëherë e çon deri në fund një fjali, nëse ajo është më e komplikuar se “Unë do t’i shemb!” Një ekip fushate na tregon se Kina dhe Lindja e Mesme janë duke qeshur me ne dhe duke na manipuluar. Tjetri na tregon se Rusia është duke futur hundët në demokracinë tonë.
Amerika ka qenë dikur e fiksuar pas të ardhmes. Por, në një fushatë të udhëhequr nga dy baby boomers (të lindur në të famshmin brezin e boom-it në Amerikë), kjo fushatë ka qenë vetëm për të kaluarën. Trumpi premton ta rikthejë Amerikën në statusin e pasluftës që ajo ka pasur, me fabrika produktive që prodhojnë mallrat më të mira në botë, dhe krijojnë klasën e mesme më të madhe e më të sigurtë. Eshtë një vizion ku njerëzit e klasës së mesme përballojnë familjen, dhe me pakëz kursime, blejnë edhe një shtëpi buzë liqenit për muajt e verës. Ne do të fitojmë luftëra, ashtu si bënim dikur. Ne do të pasurohemi, ashtu si bënim dikur…