Nga Stephen Fidler
“The Wall Street Journal”
Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë po hyn në vitin e saj të dytë, muajt e ardhshëm do të na japin të dhëna shumë të rëndësishme nëse forcat e Moskës do të jenë në gjendje të ndalin apo edhe të ndryshojnë vrullin e fituar nga trupat ukrainase në fushën e betejës. Teksa fundi i luftimeve ende duket shumë i largët, ja cilët janë 6 faktorët e mëdhenj që do të ndikojnë në trajektoren e luftës në muajt e parë të vitit 2023.
Moti
Tanket e ushtrisë ukrainase, ashtu si ato të rusëve, janë përballur kohët e fundit me një terren plot baltë. Por ngricat mund ta ngurtësojë tokën. Për momentin në Ukrainë është ende “stina e baltës”. Temperaturat kanë rënë nën zero, por nuk janë ende të ulëta sa ta ngurtësojnë terrenin. Edhe automjetet e blinduara e kanë të vështirë të lëvizin kudo përveç rrugëve të asfaltuara. Në pjesën më të madhe të vijës së frontit që ndan forcat ruse dhe ukrainase, ritmi i konfliktit është ngadalësuar. Forcimi i terrenit ka të ngjarë të rritë intensitetin e konfliktit. Në këtë rast me e favorizuar mund të jetë Ukraina, pala që e ka treguar veten më të aftë për manovra të shpejta ushtarake.
Edhe pse do të ishte më sfiduese për forcat që përparojnë që të gërmojnë llogoret dhe të mbrojnë pozicionet e reja të fituara. Të ndihmuara nga pajisjet moderne dimërore të ofruara nga Kanadaja dhe vendet e tjera, forcat ukrainase duken më të përgatitura për këtë stinë sesa rusët. Linjat e furnizimit të Ukrainës janë më të shkurtra. Trupat ukrainase po lëvizin sa brenda dhe jashtë vijave të frontit, duke i lejuar që të pushojnë dhe të rikuperohen. Po ashtu duken më të motivuara se sa forcat ruse.
Bakhmut
Përpjekja e Rusisë për të pushtuar qytetin Bakhmut në rajonin e Donetsk, ka marrë një rëndësi psikologjike përtej rëndësisë së saj strategjike. Humbja do të sillte tërheqjen e forcave ukrainase dhe do t’i jepte Moskës një fitore propagandistike. Qyteti mbetet një nga zonat e pakta ku forcat ruse po përpiqen të avancojnë, por goditjet e pamëshirshme ndaj pozicioneve ukrainase muajt e fundit kanë sjellë vetëm përparime minimale, dhe kjo me një numër të madh viktimash.
Bakhmut është politikisht i rëndësishëm për tre aktorë kryesorë në Moskë. Për presidentin Vladimir Putin, pushtimi i qytetit do t’i jepte mundësi të pretendonte se Rusia po ecën mirë në fushatën e sj ushtarake në Donbass. Për Yevgeny Prigozhin dhe mercenarët e Grupit Vagner, kjo do të ndihmonte pretendimet e tij se ai drejton forcën më të mirë luftarake në Rusi. Ndërsa për gjeneralin Sergey Surovikin, komandantin e ri ushtarak rus në Ukrainë, kjo do të justifikonte tërheqjen e tij muajin e kaluar nga qyteti jugor Kherson.
Ofensiva ukrainase
Shumica e analistëve ushtarakë besojnë se Ukraina po ruan pjesën më të madhe të iniciativës strategjike, që kur ajo çliroi gjatë vjeshtës pjesë të mëdha të territorit të pushtuar nga Rusia.
Ata besojnë se Ukraina do të përpiqet të qëndrojë në sulm gjatë dimrit, dhe nëse është e mundur t’i shtyjë akoma më tej forcat ruse.
Ata mendojnë se kjo ofensivë do të mbështetej në 2 drejtime. I pari do të synonte një linjë midis qyteteve lindore të Svatove dhe Kreminna në rajonin e Luhansk, dhe i dyti do të synonte qytetet Melitopol dhe Berdyansk në rajonin e Zaporizhzhia në jug. Arritja e këtij objektivi do të ndërpriste linjat kryesore të furnizimit dhe komunikimit midis Rusisë dhe Krimesë.
Mbrojtja ruse
Një avantazh i humbjes së territorit gjatë vjeshtës, është se tani Rusia duhet të mbrojë një front shumë më të shkurtër. Vlerësimet ukrainase thonë se fronti është zvogëluar nga rreth 1126 km në rreth 885 km, nga të cilat 386 km përbëhen nga barriera lumore. Dhe drejtimet e mundshme të sulmit të Ukrainës janë të dukshme edhe për rusët.
Ushtria ruse ka hapur llogore për të mbrojtur pjesë të mëdha të frontit. Gërmime janë kryer edhe në Krime, madje edhe në plazhet atje për të penguar zbarkimet e mundshme të trupave amfibe ukrainase. Mykola Bielieskov, studiues në Institutin Kombëtar për Studime Strategjike me bazë në Kiev, një institut kërkimor i mbështetur nga qeveria, thotë se “Moska po përgatitet për çdo lloj kontingjenti të mundshëm”.
Edhe Michael Clarke, profesor i studimeve të mbrojtjes në Kolegjin Mbretëror të Londrës, mendon se Rusia “shpreson se do të ndodhë diçka”, si për shembull një rënie e mbështetjes perëndimore për Ukrainën gjatë një dimri të ftohtë apo dobësimi i mbështetjes së SHBA-së me rritjen e ndikimit të republikanëve.
Ofensiva ruse
Banorët e Bakhmut që nuk kanë ikur nga qyteti, janë të varur nga ndihmat humanitare. Zyrtarë të lartë ukrainas kanë thënë kohët e fundit se Rusia po përgatitet për ofensiva të mëtejshme të mëdha në Ukrainë, duke planifikuar të kombinojë gjysmën e 300.000 rezervistëve që nuk janë dërguar në front me njësitë ekzistuese për të kryer një ofensivë në fillim të vitit të ardhshëm.
Kjo mund të përfshijë një sulm të mëtejshëm nga territori i Bjellorusisë në drejtim të Kievit, thanë ata. Analistët perëndimorë janë skeptikë nëse rezervistët mund të arrijnë atë që nuk arritën trupat më të afta në fillim të këtij viti. Phillips O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin St.Andrews në Skoci, dyshon nëse do të ketë të ngjarë të nisë një sulm i plotë nga Bjellorusia në Kiev. “Do të duhej planifikimi dhe grumbullimi i forcave, dhe që ë dyja do të ishin relativisht të lehta për t’u vëzhguar”- thotë ai.
Ngjarjet jashtë Ukrainës
Nëse Putin shpreson tek rënia e mbështetja perëndimore për Ukrainën, kjo nuk ka ndodhur ende. Vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington pak ditë më parë tregon se mbështetja amerikane për Ukrainën mbetet e fortë. Ndërkohë deri më tani e tillë ka qenë edhe mbështetja nga qeveritë evropiane, edhe pse ekonomitë e tyre po dobësohen për shkak të çmimeve të larta të energjisë.
Në paketën e fundit të mbështetjes së SHBA-së, përshihet bateria e parë e mbrojtjes ajrore e raketave “Patriot”, për të ndihmuar në mbrojtjen e rrjetit elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturës tjetër, që është goditur rëndë nga dronët dhe raketat balistike.
Por ky sistem do të kërkojë trajnimin e forcave ukrainase, që do të thotë se mund të mos jetë funksional deri në pranverë. Disa liderë po vazhdojnë të flasin për kushtet për paqe. Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi së fundmi se Perëndimi duhet t’i japë Rusisë garanci sigurie si pjesë e çdo negociate për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Por çdo bisedë e tillë duket shumë larg, pasi Zelensky thotë se objektivi i Ukrainës është të rifitojë të gjithë territorin e humbur që nga viti 2014, teksa Putin parashtron ambicie maksimaliste, dhe e përshkruan luftën si pjesë të një lufte të përhershme midis Rusisë dhe Perëndimit.