Sport

Gjeniu i bankinës / Fabio Kapelo: Berluskoni i solli futbollit Utopinë. Dhe “trinia e shenjtë”…

Mesi-Pele-Maradona. Trinia e shenjtë e topit. Cili është më hyjnori nga të tre? Fabio Kapelo as nuk mendohet. “Pele: e mbaj mend mirë, edhe në fushë: kam luajtur kundër tij me kombëtare. Por përgjigja është e thjeshtë: s’mund të krahasohen. Në epoka të ndryshme, secili ka bërë diferencën. E vërteta është një: janë gjeni. Të tjerët janë lojtarë shumë të mirë. Ndoshta fuoriklasë, si Kristiano Ronaldo. Por Mesi bën gjëra gjeniale, ashtu si Maradona dhe Pele. Ne në Itali, gjeni kemi patur Xhani Riverën dhe më pas Roberto Baxhon”.

Sot, po shohim që Azia blen futbollin europian, duke nisur nga skuadrat milaneze.

Janë një miliardë e gjysmë njerëz, duhet t’ia dalin të nxjerrin nja njëzetë futbollistë të mirë! Lipi më thotë se janë ë mirë, por taktikisht humbasin pak. Por, nëse dëshiron të fitosh para, me sa duket duhet të shkosh atje … .

Qarkullojnë shifra hiperbolike. Çfarë mendoni?

Ka qenë momenti i blerësve rusë, më pas arabë… Por e gjitha lidhet me çmimin e naftës. Tani edhe kinezët po bllokojnë pak teprimet. Jo aq shumë për blerjen e lojtarëve, por për atë të shoqërive të huaja të futbollit. Nuk flas për Milanin. Me atë kanë ecur përpara tashmë.

Po futbollistët që shkojnë të luajnë atje? Jo vetëm ata në karrierë, edhe hsumë të rinj.

Eshtë e habitshme, por edhe nuk është. Përballë ofertave të mëdha, duhet menduar një gjë: në futboll mund të të ndodhë gjithmonë diçka. Një aksident dhe karriera merr fund. Eshtë e lehtë të flasësh. Njoh një futbollist italian që i ofruan 100 milionë në vit dhe nuk shkoi. Nuk mund ta them se cili… Refuzoi sepse nuk ka nevojë, ata që kanë fituar mirë nuk u intereson të shkojnë në Kinë. Unë kam marrë një ofertë të rëndësishme, për të stërvitur: thashë jo, vite më parë. Nuk më interesonte.

Roma, Juve, Milan. Ju jeni mes lojtarëve që kanë kaluar nga një shoqëri shumë rivale, tek tjetra: çfarë e shkakton zemërimin e tifozëve?

Herën e parë që Roma provoi të m shiste tek Juventusi, i thashë presidentit Marchini që preferoja të qëndroja tek Roma: ma plotësoi. Një vit më pas më sqaroi se për nevoja të bilancit, nuk mund të qëndroja. Por u ktheva të luaja nuk pati kontestime: ishte një situatë normale merkatoje. Por më pas, kalova sërish nga Roma tek Juve, si trainer…

Thatë që nuk do të shkonit kurrë atje.

E vërtetë, nuk e mbajta fjalën. Duhej të kisha thënë ashtu si thotë sot traineri i Romës, Spaleti: ne jemi profesionistë. Por shkova. Kisha kuptuar që në pesë vite kisha dhënë gjithcka dhe nuk arrija të transmetoja më tek skuadra, atë që ndjeja brenda. Ishte bërë rutinë.

Po pikërisht tek armiku historik…

Më thirrën ata! Por tifozeria nuk ma fali. Flitet ende në gazetat romane… Por me të drejtë! Megjithatë, unë kthehesha në shtëpi dhe ime shoqe më shihte kështu dhe më thoshte: çfarë ndodh? Unë i thosha: nuk jam i kënaqur, nuk shkon… Fakti është që, o duhet të bësh si Aleks Ferguson…

Traineri mitik që qëndroi për 26 vite në krye të Manchester United.

E dini pse në Angli qëndrojnë gjatë trainerët? Nuk stërvisin. E bëjnë bashkëpunëtorët e tyre. Ti bën supervizorin, dëgjon dhe bën formacionin. Fergusoni më thoshte se shkonte të shihte lojtarët dy herë në javë. Janë menaxherë. Arsen Venger më thoshte: unë duhet që të rregullok logaritë…

Keni patur si president avokatin Anjeli: i telefononit edhe atij?

Dy herë, por jo herët në mëngjes. Herën e dytë isha tek Milani. Luaja në kombëtare, por më telefonoi për të më thënë: “Komplimente, shoh që ke ende shpirtin juventin…”.

Dhe Berluskoni, presidenti i Milanit të madh? Ju zgjodhi për periudhën pas Sakit, ju sollët edhe katër tituj dhe një Champions.

Me të kontakti është konstant. Flasim ende për futboll: i vjen gjithmonë natyrshëm.

Cila është gjëja parësore që i solli ish kavalieri futbollit?

Utopia. E pashë që në mbledhjen e parë: “Duhet të krijojmë skuadrën më të fortë të botës, me futbollin më spektakolar”. E pamë dhe menduam: Po ky, nga vjen? E bëri, ishte gjithmonë në vijën e parë. Një ditë në kampin stërvitor u zemërua me kopshtarin: “Kush është krimineli që ka mbjellë këto pemë!?” Merrej me të gjitha, nga A tek Z. “Divanët me këtë ngjyrë nuk shkojnë, t’i vendosim të bardhë!” Pasi hyri në politikë interesohej për skuadrën, por jo si më parë”.

Keni thënë gjithmonë se keni patur pak miqësi të mëdha në futboll.

Edi Reja dhe Dino Zof. Me Dinon që e njoha tek Juve pati menjëherë respekt reciprok, edhe kur ishim trainerë në kryeqytet, ai tek Lacio e unë tek Roma, shiheshim shpesh. E vërteta është se unë jam përpjekur gjithmonë të rri jashtë botës së futbollit: më interesonin gjëra të tjera e të mos flisja vetëm për topin. “Venerdi” – Përgatiti: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button