Analiza

GJEOPOLITIKE / Lamtumirë “unazë e miqve”. Muri ringrihet në Lindje

lamtumireE sigurtë është që Europa është rikthyer në modelin e vjetër dypolar. Moska ka vënë në zbatim të gjithë instrumentat, diplomatikë, ekonomikë (shihni Gazpromin dhe problemet e furnizimit me gaz), ushtarak për të shkëputur sa më shumë shtete, rajone e territore nga “unaza e miqve europianë”. Kudo që të vendosen, kufijtë e rinj do të jenë ata të një Europe të rikthyer në para 1989-ën. Perëndimi (ndonëse më i madh) nga njëra anë, Rusia (më e vogël) nga ana tjetër

GIUSEPPE SARCINA

Sipas më pesimistëve, pas jo shumë kohësh, kufiri i ri i Europës do të shenjohet prej 2290 kilometrave të lumit Dnipro, porta e Ukrainës lindore. Një tjetër rrymë mendimi, ndoshta në shumicë, sheh me besim fotografinë e 27 qershorit, ku shfaqet në Bruksel presidenti i ri i Ukrainës, Petro Poroshenko, i pritur si një kampion olimpik në Bruksel nga Jose Manuel Barroso dhe nga Herman Van Rompuy, respektivisht krerët e Komisionit Europian dhe të Këshillit Europian. Sapo kanë firmosur marrëveshjen e asociimit mes BE-së, Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Mbështetja e Bashkimit Europian, thonë optimistët, do të garantojë integritetin e vendit, pas shkëputjes tashmë të pakthyeshme të Krimesë.

Megjithatë, kësaj fotografie të Brukselit, duhet t’i vëmë përbri atë të 29 majit, dita kur lindi zyrtarisht unioni doganor mes Rusisë, Kazakistanit, Bjellorusisë ndërkohë që Armenia dhe Kirgistani duhet të anëtarësohen në muajt që do të vijnë. Në planet e presidentit rus, Vladimir Putin, në atë takim duhej të ishte paraqitur edhe Ukraina.

Në çdo rast, ngjarjet e muajit të fundit e arkivojnë ambicien (apo iluzionin) e kultivuar nga Bashkimi Europian (dhe paralelisht nga NATO), për të shtrirë sferën e vet të influencës deri në Rusi. Një projekt i nisur në fillimet e viteve Dymijë, me vënien në zbatim në teori dhe në praktikë të doktrinës së zgjerimit të pashmangshëm drejt lindjes. Projekti i Euper Europës pajtonte projektet hegjemonë të Gjermanisë së re dhe interesat ekonomikë të Britanisë së Madhe. Dy shtytje që u shkonin shumë mirë për shtat edhe aspiratave të shteteve që sapo kishin dalë nga orbita e Bashkimit Sovjetik. Strategjia e “rikthimit në shtëpinë europiane” arriti kulmin në vitin 2004, me futjen në klubin e BE-së të bllokut të Europës lindore, nga Polonia në Lituani.

Që nga ai moment, institucionet e Brukselit, të frymëzuar nga boshti Paris-Berlin dhe në ndonjë rast të mbështetur edhe nga Londra, u ndien të autorizuar nga historia, nëse mund ta themi kështu, për të revolucionarizuar ekuilibrat dhe kufijtë e Kontinentit të Vjetër, të trashëguar prej Luftës së Dytë Botërore.

Ideja ishte të kalohej nga skema dypolare Perëndim-Lindje, në një tjetër, njëpolare: në qendër Brukseli (këtu duhet të kuptojmë Paris-Berlin-Londër) dhe më pas një seri hallkash, deri sa të mbërrihej në Moskë. “Unaza e miqve”, siç thoshte Romano Prodi, kur ishte President i Komisionit Europian (1999-2004).

Viti i frakturës është 2005-a. “JO”-ja e fortë e zgjëdhësve francezë dhe holandezë në referendumet për Kushtetutën europiane shënon edhe fundin e politikës misionare të zgjerimit. Ose më saktë, që nga ai moment, do të braktisej ëndrra e ndryshimit të hartës politike të Europës dhe do të vijohej vetëm me “zbrazjen e sirtarëve”, duke pranuar vetëm anëtarësimet e planifikuar tashmë (Kroacia në 2013-ën).

Një rezultat i kënaqshëm edhe për Vladimir Putinin, i cili në ata vite po plazmonte mbretërimin e tij me formulën tipike të regjimeve autoritarë të iluminuar: inovacion në financa, hapje e ekonomisë për të tërhequr kapitale të huaj, rikthim i shoqërisë tek vlerat tradicionale më të thella të Rusisë. Që atëherë, modeli njëpolar dhe eurocentrik nisi të zbehej dalëngadalë dhe nisën të rishfaqen pak a shumë kufijtë e para sovjetizimit të Lindjes. Megjithtë, tensionet e vjetër i lënë vend integrimit ekonomik gjithnjë e më të ngushtë mes BE dhe Moskës: gazsjellësit, import-eksporti, investimet në pasuri të paluajtshme.

Gjithçka shkonte shumë mirë, deri kur u paraqit rasti për të nxjerrë në dritë kontradiktën e fjetur, e lindur në brendësi të Bashkimit Europian, pas 2005-ës fatale. Veçanërisht Polonia, nuk ka hequr dorë asnjëherë nga ideja që, edhe sivëllezërit ukrainas duhej të mirëpriteshin “në shtëpinë europiane”. Por asnjë vend tjetër në Europë, duke filluar nga Gjermania e Angela Merkelit, nuk e ka konsideruar ndonjëherë si realiste perspektivën e prishjes së ekuilibrit të ri të kufijve, duke integruar një vend po aq të madh sa Franca. Prej këtij ekuivoku lindi protesta e Kievit në nëntor të 2013-ës. Lëvizja e Maidanit besoi se marrëveshja e asociimit përbënte vërtetë kushtin për një të ardhme si partnerë zyrtarë në Bashkimin Europian, ndërkohë që në të vërtetë është vetëm një çështje tregtie, standartesh industrialë. Por sot, shtatë muaj dhe 500 të vdekur më vonë (duke mbledhur viktimat në kryeqytet dhe ata në Lindje të Ukrainës), janë hedhur në erë të gjithë kriteret e kodifikuar në Bruksel. Sigurisht, nuk ishte ky zbarkimi që negociatorët europianë imagjinonin në vitin 2008, kur u nis të diskutohej për “asociim” mes Kievit dhe Brukselit. E sigurtë është që Europa është rikthyer në modelin e vjetër dypolar. Moska ka vënë në zbatim të gjithë instrumentat, diplomatikë, ekonomikë (shihni Gazpromin dhe problemet e furnizimit me gaz), ushtarak për të shkëputur sa më shumë shtete, rajone e territore nga “unaza e miqve europianë”.

Kudo që të vendosen, kufijtë e rinj do të jenë ata të një Europe të rikthyer në para 1989-ën. Perëndimi (ndonëse më i madh) nga njëra anë, Rusia (më e vogël) nga ana tjetër. /Corriere della Sera/

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close