Nga Dalia Marin
Mynih – Skandali që përfshiu Volksvagenin, ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi modelin gjerman të prodhimit. Nëse suksesi i automjeteve të kompanisë së mirënjohur të prodhimit të makinave, i detyrohet pjesërisht përpjekjeve për të fshehur sasinë e ndotësve të dëmshëm që emetojnë automjetet, a do të vënë në pikëpyetje zbulime të ngjashme tek kompanitë e tjera, transformimin e vendit nga “njeriu i sëmurë i Evropës” tek fuqia ekonomike e drejtuar nga eksportet ?
Për fat të mirë, përgjigja është pothuajse me siguri jo. Avantazhi konkurrues i Gjermanisë, ka pak të bëjë me mashtrimin sesa me atë si janë strukturuar kompanitë, dhe kultura me të cilën ata veprojnë. Kompania lider në prodhimin e makinave gjermane, përbën një përjashtim nga rregullat e prodhimit, të cilat kanë udhëhequr suksesin e vendit, dhe se nuk është një shembull.
Në fakt, suksesi i Gjermanisë është përmendur shpesh si një model që vende të tjera duhet ta kopjonin, dhe kjo me të drejtë. Që nga fillimi i këtij shekulli, vendi arriti të bëhet një nga eksportuesit kryesorë në botë, duke tejkaluar të gjitha vendet kryesore evropiane. Nga viti 2000 deri në 2013, eksportet e Gjermanisë u rritën me 154 përqind, krahasuar me 127 përqind për Spanjën, 98 përqind për Mbretërinë e Bashkuar, 79 përqind për Francën, dhe 72 përqind për Italinë.
Shpjegimi kryesor për performancën mbresëlënëse të eksportit të kohëve të fundit të Gjermanisë, është kufizimi i pagave. Por, sikurse zbulohet nga një krahasim me Spanjën, rritja më e shpejtë e pagave diku tjetër, nuk mund të shpjegojë të gjithë historinë. Në fakt, në vitet 2000-2008, pagat gjermane u rritën me 19 përqind, në krahasim me 48 përqind në Spanjë.
Por pas krizës financiare të vitit 2009, rolet u këmbyen. Nga 2009 deri në vitin 2013, pagat nominale gjermane u rritën me më shumë se 14 përqind, krahasuar me 4 përqind në Spanjë. E megjithatë, pavarësisht nga kjo, eksportet e vendit u rritën më shpejt sesa ato të Spanjës, apo të çdo vendi tjetër të Bashkimit Evropian.
Faktori kryesor prapa suksesit të Gjermanisë, është se struktura e kompanive të saj përmirëson cilësinë
e produkteve të tyre. Eksportuesit gjermanë janë të organizuar në një mënyrë, që është më pak hierarkike
dhe më shumë e decentralizuar, sesa kompanitë e tjera evropiane. Kjo u jep atyre disa avantazhe. Decentralizimi u mundëson punonjësve në nivelet më të ulëta të hierarkisë së korporatave të vlerësojnë dhe zbatojnë idetë e reja.
Teksa këta punonjës janë shpesh më afër konsumatorëve sesa ata që qëndrojnë më lart, njohuritë e tyre kolektive mbi atë që kërkon tregu, janë një burim i rëndësishëm i vlerës. Zbatimi i këtyre njohurive i lejon Gjermanisë të konkurrojë në cilësi dhe jo çmim. Në fakt, në rast se kufizimi i pagave ishte faktori kryesor i suksesit të Gjermanisë, do të jetë vështirë të bëjnë më mirë eksportuesit francezë, italianë, britanikë ata spanjollë, të cilët konkurrojnë kryesisht me çmimet e produkteve nga vendet me paga të ulëta.
Në vend të kësaj, fokusi gjerman tek cilësia i mundëson kompanive të saj të aplikojnë çmime më të larta, dhe të fitojnë konsumatorë të rinj. Kur eksportuesve u kërkohet të rendisin prodhimet e tyre në lidhje me një mesatare të tregut, 40 përqind e eksportuesve gjermanë i klasifikojnë mallrat e tyre si të cilësisë të lartë, ndërsa vetëm 10 përqind e eksportuesit francezë i klasifikuan si të tilla.
Menaxhimi i decentralizuar, i ka ndihmuar eksportuesit gjermanë të 3-fishojnë pjesën e tyre të tregut global për mallra me cilësi të lartë, në krahasim me ata që nuk janë riorganizuar. Kur kam studiuar 1 përqind të eksportuesve gjermanë – eksportet më në zë të vendit – kam zbuluar se ata kanë dyfishuar fitimet në tregun botëror të eksportit, qëkur zgjodhën të decentralizojnë organizmat e tyre.
Fokusi tek cilësia, mund të shpjegojë pse eksportet gjermane u rritën me shpejtësi pas vitit 2009, pavarësisht nga rritja e pagave nominale. Cilësia i bën eksportuesit më pak të prekshëm nga ndryshimi i çmimit – duke përfshirë edhe ato të nxitura nga rritja e pagave. Përkundrazi, ato vende ku kompaniët konkurrojnë me çmimin, mund të kenë ndjerë më shumë presion për të zhvendosur prodhimin jashtë vendit, teksa pagat në vend filluan të rriten.
Pandjeshmëria e Gjermanisë ndaj rritjes së kostove, mund të shpjegojë faktin se pse Berlini ndihet rehat me një euro të fortë, ndërsa Franca dhe Italia janë duke i bërë thirrje Bankës Qendrore Evropiane, për ta dobësuar monedhën e përbashkët. Sikurse edhe u pa, Volksvageni, pati një qasje të ndryshme nga ajo e shumicës së kompanive të tjera gjermane.
Në vend se decentralizimit të pushtetit, presidenti Martin Vinterkorn u vendos në krye të një organizate të centralizuar, ku ai vepronte si një patriark. Dëshira e tij për të çuar kompaninë në krye të industrisë globale së makinave, duke e tejkaluar Tojota-n, mund të ketë sforcuar jo pak menaxherët e tij për të garantuar rritjen e prodhimit.
Rezultati – një vendim për të mashtruar mbi testet e emetimit të gazrave – fle më pak për kulturën e prodhimit gjerman, dhe më shumë për kalbjen e vlerave morale të kompanisë së makinave, Duke filluar nga kupola drejtuese.
Sipas Selon “World Value Survey”, Gjermania është një shoqëri me besim të lartë, ku qytetarët kanë besim në sjelljen e tjetrit, dhe veprojnë në përputhje me rrethanat. Në fakt, leksioni që vjen nga skandali i Volksvagenit, është se kjo kulturë mund të jetë e nevojshme që modeli i eksportit të funksionojë. Eksportuesit francezë dhe italianë, që zbatuan menaxhimin e decentralizuar, nuk e rritën pjesën e tyre në tregut global për mallrat e cilësisë së lartë. Arsyeja e mundshme është se dhënia e menaxherëve një autonomi më të madhe, jo vetëm i çliron ata për t’iu përgjigjur si duhet kërkesave të tregut; por ndërkohë u mundëson të vendosin interesave e karrierës së tyre, mbi mirëqenien e kompanisë.
Në qoftë se Gjermania kërkon të ruajë dominimin ekonomik, ajo duhet të bëjë diçka shumë më të vështirë sesa thjesht mbajtja e pagave nën kontroll, apo ristrukturimi i hierarkive drejtuese. Ajo do të duhet të garantojë që kultura e integritetit, e cila ka qëndruar deri tani në themel të suksesit gjerman, të mbetet e pandryshuar nga presionet e konkurrencës globale.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Germany is Not Volkswagen – Bota.al