Dr. G. M. Gilbert ishte një psikolog burgu, të cilit iu ngarkua detyra e monitorimit të sjelljes së të akuzuarve, ndërkohë që zhvillohej gjyqi. Ai u bë gradualisht shumë i afërt me të gjithë të akuzuarit dhe ishte i pranishëm kur secili prej tyre u shoqërua nga salla e gjyqit drejt qelisë, pasi dëgjuan verdiktin. Përshkrimi i tij për reagimin e secilit individ ofron një pamje depërtuese në mendjen e hierarkisë naziste. Ja disa prej vëzhgimeve të tij: “Gëringu erdhi i pari dhe eci me hapa të mëdhenj drejt qelisë, me fytyrën të verdhë e të ngrirë, dhe sytë të fryrë. “Vdekje!”, tha teksa u shemb në shtratin portativ dhe zgjati dorën të merrte një libër. Duart i dridheshin, pavarësisht se përpiqej të tregohej mospërfillës. Sytë i ishin përlotur dhe gulçonte…
Ribentropi hyri i shkujdesur, i shtangur dhe nisi të vijë vërdallë qelisë duke pëshpëritur: “Vdekje! Vdekje! Tani nuk do të jem në gjendje të shkruaj kujtimet e mia të bukura. Sa shumë urrejtje!” Më pas u ul, një njeri krejt i dërrmuar, dhe nguli sytë, kush e di se ku…