BotaMAIN

GODITJE TË KOORDINUARA? Irani kishte njoftuar paraprakisht amerikanët për sulmet

Por nëse raketat iraniane kanë vrarë amerikanë, gjithçka ndryshon

Burime të larta diplomatike në rajon më kanë thënë se Irani ka shënjestruar bazën më të madhe ajrore të Amerikës në Lindjen e Mesme – al Udeid në Katar. Ato gjithashtu raportojnë se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Gjirit në rajon janë informuar paraprakisht, para se Irani të lëshonte raketat.

Kjo është një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e paparashikueshme në të gjithë rajonin.

Megjithatë, nëse Irani i ka dhënë SHBA-së dhe aleatëve të saj në Gjirin Persik paralajmërim paraprak, kjo mund të ofrojë një mundësi për të zbutur krizën, në varësi të mënyrës se si Presidenti Trump dhe zyrtarët e mbrojtjes vendosin të reagojnë tani.

Nëse raketat iraniane kanë vrarë amerikanë, gjithçka ndryshon

Sulmi iranian ndaj një baze amerikane në Katar është një moment me rrezik të lartë. Nëse ndonjëra nga ato raketa ka goditur bazën ajrore dhe ka shkaktuar vrasjen e amerikanëve, atëherë gjithçka ndryshon.

Katar ka thënë se nuk ka pasur viktima, por ende nuk ka një deklaratë nga SHBA, dhe asnjë shenjë për mënyrën se si mund të reagojnë. Donald Trump do të detyrohej të reagojë nëse rezulton se qoftë edhe një ushtar amerikan është vrarë.

Nëse, nga ana tjetër, në raketat janë ndaluar me sukses nga mbrojtja ajrore ose nëse iranianët i kanë lëshuar ato në një mënyrë që të duket sikur po përgjigjen, por në realitet nuk shkaktojnë viktima – atëherë ndoshta kjo është mënyra sesi situata mund të zbutet.

Gazetarë të Sky News raportojnë se ka pasur një lloj koordinimi, me Iranin që ka dhënë paralajmërim përpara goditjeve si SHBA-së ashtu edhe Katarit.

Duke folur për gazetarin e Sky News, Amir Handjani, studiues në Quincy Institute for Responsible Statecraft, tha se sulmi ishte një veprim i rrezikshëm. “Një gabim i vetëm, një vrasje e një ushtari amerikan në këto sulme, dhe SHBA do të rikthehet menjëherë në këtë konflikt me Iranin.”

Nuk ka viktima

Katari ka thënë se rezervon të drejtën për të reaguar drejtpërdrejt dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Zëdhënësi zyrtar i ministrisë së jashtme të Katarit tha në një deklaratë: “Ne pohojmë se Shteti i Katarit rezervon të drejtën për të reaguar drejtpërdrejt, në mënyrë të përshtatshme me natyrën dhe përmasat e këtij agresioni të hapur dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar.”

Ministria gjithashtu tha se nuk ka viktima në bazën ushtarake amerikane al Udeid në Doha, pas sulmit të Iranit ndaj saj. Katari tha se mbrojtja e tij ajrore ka ndaluar një sulm me raketa. “Na është siguruar se mbrojtja ajrore e Katarit e ka penguar sulmin dhe ka ndaluar me sukses raketat iraniane,” thuhej në deklaratë. Ministria e Mbrojtjes shtoi: “Falë Zotit, vigjilencës së forcave të armatosura dhe masave paraprake të marra, incidenti nuk ka shkaktuar viktima apo të plagosur.” Hapësira ajrore dhe territori i vendit janë “të sigurt”, shtoi gjithashtu ministria.

Trump në Situation Room

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes së SHBA po “monitorojnë nga afër” kërcënimet e mundshme ndaj bazës ajrore al Udeid në Katar. Kjo sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, pas një sulmi me raketa nga Irani që shënjestroi bazën ushtarake amerikane në vend.

Ndërkohë, Donald Trump ndodhet gjithashtu në Situation Room me ekipin e tij. Presidenti ishte aty edhe gjatë fundjavës, kur urdhëroi sulmet amerikane ndaj Iranit që çuan në këtë përgjigje.

Irani e quan operacionin “Shpallja e fitores”

Agjencia iraniane Tasnim ka thënë se sulmi me raketa është një operacion i quajtur “shpallje e fitores”. Raketat kanë shënjestruar bazat amerikane në Katar dhe Irak, shtoi raporti. Burime ushtarake i thanë agjencisë Reuters se sistemi i mbrojtjes ajrore është aktivizuar në bazën Ain al Asad në Irak.

Objektivi tjetër iranian besohet të jetë baza ajrore al Udeid në Katar. Irani kishte kërcënuar më herët se do të hakmerrej ndaj SHBA-së pas sulmeve mbi objektet e tij bërthamore gjatë fundjavës.

Back to top button