Bota

“Greqia do të dalë nga Euro”

Ambasadori i ardhshëm i SHBA në Europë: Mendoj se Greqia do të duhet ndërpresë lidhjet, të vendosë për Grexit dhe të dalë nga Euro. Njoh disa akademikë në Greqi që kanë ardhur madje të diskutojnë në think tank-e në SHBA, për të diskutuar mbi “dollarizimin”

Ditën kur e përditshmja më e madhe greke, Ta Nea ka lëshuar alarmin për rrezikun e mbylljes pas 95 vitesh histori, mbërrin në Athinë “silura” e Ted Malloch, ambasadori i ardhshëm amerikan në BE. Malloch ka qenë tashmë në gjendje të ngrejë barrierat e parlamentarëve europianë, të cilët paraprakisht e kanë refuzuar dhe e kanë quajtur në shumicë “persona non grata”, por me sa duket kjo nuk ia ka humbur dëshirën për të ndërhyrë me deklarata që ndezin tensione.

“Ka shumë mundësi që këtë herë Greqia të zgjedhë me iniciativën e saj që të dalë nga Euro”.

Jo i ri për provokime, Malloch në një intervistë për “Istories” në kanalin televiziv grek Skai, shumë i ndjekur në vend, ka thënë gjithashtu që “problemi do të jetë se kush do ta menaxhojë këtë tranzicion dhe si të mund të shmangen kaosi dhe paqëndrueshmëria” dhe nëse ndodh, është i mundur një “dollarizim” i vendit.

Në lidhje me Europën, Malloch nuk është tërhequr dhe ka thënë se “është i sigurtë që edhe në të ardhmen do të ketë Europë; pastaj nëse eurozona do arrijë të mbijetojë, mendoj se kjo do të jetë një temë në agjendë. Kemi parë daljen e Britanisë së Madhe dhe ka zgjedhje në disa vende europiane, kështu që mendoj se kjo gjë do të vendoset në vitin e ardhshëm apo dy vitet e ardhshme”. Me një fjalë, jo tamam gjëra që thuhen nga një qasje diplomatike.

Sa për Greqinë, “nëse sheh realitetin – ka vazhduar Malloch – vihet re që po shkon në një drejtim të caktuar”, dhe në përplasjen e radhës me vendet kredidhënëse, “mendoj se Greqia do të duhet ndërpresë lidhjet, të vendosë për Grexit dhe të dalë nga Euro”.

Marrëdhëniet mes Greqisë dhe SHBA, ka shtuar diplomati “janë shumë të forta dhe mund të jenë edhe më shumë. Njoh disa akademikë në Greqi që kanë ardhur madje të diskutojnë në think tank-e në SHBA, për të diskutuar mbi “dollarizimin”, gjë kjo që natyrisht do të cmendte gjermanët, që as nuk duan t’ia dinë”.

Dhe ndoshta jo vetëm gjermanët, por në përgjithësi edhe partnerët e tjerë europianë, duke filluar nga 19 vendet e zonës euro.

Në intervistën për Skai, Malloch ka konfirmuar edhe se është zgjedhur nga Trumpi për në Bruksel dhe që pret emërimin zyrtar. E qartë që ende shpreson të kapërcejë rezistencën e deputetëve europianë, por këto dalje provokuese nuk e favorizojnë kandidaturën e tij. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button