Qeveria e Greqisë ka kërkuar që të votohet për braktisjen e programit të kursimit të premten.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, i ka bërë thirrje parlamentit që të votojë për ligjet e reformës sociale, që shkojnë kundër kushteve të programit të kursimit, raporton REL.
“Ne nuk do të dorëzohemi ndaj shantazhit psikologjik”, ka thënë Tsipras.
Të hënën në mbrëmje, Greqia ka refuzuar planin për vazhdimin e ndihmës prej 240 miliardë eurosh.
Qeveria e Greqisë ka thënë se kushtet e Eurogrupit janë “absurde” dhe “të papranueshme”.
Greqia do që ta zëvendësojë paketën e ndihmës me një kredi të re, e cila, siç thotë, do t’i jepte kohë për të gjetur zgjidhje të përhershme të krizës së borxheve.
Por, vendet e Eurozonës kanë refuzuar këtë dhe i kanë dhënë Greqisë kohë deri të premten për të vendosur nëse do ose jo që të vazhdojë me të njëjtin program të ndihmës.
“Ne nuk jemi në nxitim dhe nuk do të bëjmë kompromise”, i ka thënë Tsipras parlamentit.
Gjuha e ashpër vjen pavarësisht komenteve të ministrit grek të Financave, Yanis Varoufakis, pas takimit të së hënës, i cili ka thënë se do të bëjë “gjithçka që duhet” për të arritur marrëveshje me Eurozonën.
1 minute read