Me heqjen e vizave për në BE, për shumë ukrainas u bë realitet një ëndërr. Pas hapjes në Perëndim, ka shenja për një mbyllje të mëtejshme në Lindje.
Që prej rreth një jave, ukrainasit kanë të drejtë të qarkullojnë pa viza në Bashkimin Evropian. Kushti më i rëndësishëm: një pasaportë biometrike, në të cilën janë të ruajtuara në mënyrë digjitale të dhëna personale si gjurmët e gishtave. Që prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes me BE, në 11 qershor, në BE kanë hyrë gjithsej 315.000 qytetarë të këtij shteti evropianolindor. Këtë e bëri të ditur të premten, në 16 qershor, autoriteti ukrainas i mbrojtjes së kufirit në Kiev. Prej tyre, 8690 vetë kanë hyrë pa viza dhe kanë përfituar nga rregulli i ri.
Një ëndërr bëhet realitet
Për Olenan nga Kievi, për shumë bashkëatdhetarë është bërë realitet një ëndërr. Ajo ishte një nga ukrainaset e para që lejohet të hyjë që prej 11 qershorit pa vizë në BE. “Kam pritur tepër gjatë, 10-15 vjet, për këtë”, i tha e reja DW pasi mbërriti në aeroportin e Këln/Bon-it. “Gjithçka eci pa probleme, në anglisht vetëm thashë se ku doja të shkoja”, tregoi Serhij për kontrollin e pasaportave në aeroport. Punonjës të konsullatës ukrainase ngritën grupe të veçanta për të ndihmuar në zgjidhjen e rasteve të mosmarrëveshjeve. Por shërbimet e tyre u nevojitën rrallë.
Objektivi numër një, për shumicën e ukrainasve, që udhëtojnë pa vizë, është Polonia, bëjnë të ditur forcat kufitare të Ukrainës. Por lehtësirat aktuale vlejnë vetëm për vizitorët. Ata ukrainas që punojnë ose studiojnë në BE kanë nevojë edhe më tej për vizë.
Diskutohet futja e vizave për rusët
Kur Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko hapi më 11 qershor në kufirin e Ukrainës me Sllovakinë si një derë simbolike për në Evropë, ai e deklaroi të përfunduar lamtumirën e vendit të tij nga Rusia.