Letersi

“Harku i Triumfit” dhe shndërrimi çnjerëzor i administratave borgjeze

Kadare: “Harku i Triumfit të Remarkut shëmbëllen më shumë me Portën e Hadit”

Në romanin e tij të katërt,botuar në vitin 1946, Remarku nuk e fsheh acarimin e tij ndaj borgjezisë franceze e cila po i hapte rrugë fatkeqsisë së dytë kriminale të shkaktuar nga dora e mendjelehtësisë lakmitare. Në prag të Luftës së Dytë Botërore, njerëzimi, pa mbylluar akoma plagët, pa hequr akoma mirë rrobat e zisë,  vendos të marrë gjakun e një hasmërie imagjinare me vetveten.

Kompleksiteti i ndjesive që buronin nga nënvetëdija e popujve ishte më i pazbërthyeshëm se kuptimi i përdorimit të tepërt të ngjyrës së verdhë te Pikaso.  Xhelozia, depresioni, paqëndrueshmëria e padrejtësia, lakmia, krenaria dhe guxim i atij që s’ka më çfarë të humbë nga jeta, ishin frymëzuesit e dokrrës narcisiste, e cila më pas u pagëzua me emrin ‘nazizëm’.

Harku  i Triumfit ndodhet në qendër të Parisit. I ngritur si homazh për fitoren e Napoleonit, ky monument i ka mbijetuar shumë fatkeqësive dhe është kthyer në simbol besimi dhe jetëgjatësie, por Harkut të Remarkut në këtë vepër i bie një hije e zymtë dhe e trishtueshme pesimizmi dhe pakënaqësie. Kapitullimi i Francës para Hitlerit ishte sinjal i asaj çfarë i priste dhe kështu njerëzit i shtynin dëshpërimisht ditët e fundit të paqes, pa pasur forcën e mjaftueshme për të parandaluar luftën.

Copëza nga vepra:

“Karakterin më të mirë e kanë cinikët; kurse ata që nuk durohen fare janë idealistët. A s’ju shtyn kjo t’ia vini pak gishtin kokës?“

“Gjatë ditës edhe mund të krijojë një farë barrikade: atë murin që e kalonte lartësinë e syve e s’të linte të shihje përtej, në të kaluarën; ishte një mur i ndërtuar gjatë vitesh të rënda e të gjata, ngadalë e gur mbi gur, duke i mbytur dëshirat në baltën e cinizmit, duke i flakur kujtimet në gropën e harresës, duke çimentuar ndjenjat dhe duke shkulur çdo gjë nga vetja, bile edhe emrin!…Dhe kur, megjithatë, ndonjëherë, në ndonjë orë të pakontrolluar mirë, ngrihej e ëmbël, e mjegullt dhe joshëse fytyra e së kaluarës, i futeshe alkolit dhe e mbysje në të çmendurisht.“

“Askush s’të bëhet aq i huaj sa njeriu që ke pasë dashur dikur.“

“Ne nuk kemi lindur në këtë botë duke qeshur.“

“Ai që ka nje shije të thjeshtë, atij i pëlqejnë shumë gjëra në botë. Duarbosh nuk mbetet kurrë. Ai që i ka të gjashtëdhjetat mbi kurriz dhe rend pas dashurisë, është një idiot që kërkon të fitojë me zor, kur të tjerët luajnë bixhoz me  kartëra të shenjëzuara.“

“Të jetosh do të thotë të jetosh nga të tjerët. Në të gjithë hamë nga njëri-tjetri. Pra, nuk duhet ta shuajmë shkëndijën e mirësisë që na lind herë pas here. Është një gjë që të jep forcë, kur e ke jetën të vështirë.”/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button