Me ceremoninë e parë të përmortshme në historinë europiane që u zhvillua në Strasburg, Bashkimi Europian përulet para veprës së Helmut Kohlit. Kjo ceremoni është një moment historik, komenton Ines Pohl.
Që në të gjallë të tij, Helmut Kohl kishte një ndjesi të shkëlqyer për të nuhatur momentin e duhur. Ishin instinkti e vendosmëria e tij, ato që i dhanë fund ndarjes së Gjermanisë dhe hapën rrugën për Bashkimin Europian, siç e njohim ne sot. Ai e dalloi shansin historik, e kapi si të tillë dhe nuk u dorëzua. Pa marrë parasysh edhe humbjet, pa harruar këtu edhe ato në planin personal.
Me këto qëndrime Helmut Kohl nuk ka bërë vetëm miq. Por me to ai krijoi fundamentin për shtëpinë e Europës – që sot nuk është në gjendje të mirë. Nacionalizmat e rilindur i kanë vënë pikëpyetje BE-së. Britanikët vendosën ndërkohë për largimin nga Europa, SHBA nën Donald Trump janë çdo gjë, por jo një partner i besueshëm.
Flamuri europian si simbol
Në mesin e këtyre pasigurive zhvillohet ceremonia e përmortshme për Helmut Kohl. Në sallën plenare të Parlamentit Europian kanë ardhur krerë qeverish e shtetesh nga e gjithë bota për t’i dhënë lamtumirën në një ceremoni shtetërore europiane njërit prej Baballarëve të Bashkimit Europian. E përfaqësuar është edhe familja mbretërore spanjolle, e shumë bashkëudhëtarë politikë të Helmut Kohl. Nga Lindja, Jugu, Veriu dhe Perëndimi. Në mesin e sallës – arkivoli me trupin e Helmut Kohlit – sipas dëshirës së tij i mbuluar jo nga flamuri gjerman, por ai europian.
Prekëse ishin edhe fjalët e presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Donald Tusk, presidenti i Këshillit të BE-së dhe të tjerë vlerësuan më shumë meritat teknokrate të Kohlit. Në fund edhe kancelarja Merkel e falënderoi në një fjalim personal Helmut Kohlin për atë që ajo sot jeton në një Europë të lirë.
E megjithatë është Bill Clinton, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, ai që na e solli atë që ndodhi ato momente në Strasburg. Pra, që Helmut Kohl shkruajti edhe njëherë histori: Pikërisht në këtë ditë! Në këtë fazë kaq të rrezikshme për veprën e Kohlit dhe Europën e bashkuar.
Bill Clinton foli për përkohshmërinë e jetës, për trashëgiminë që lemë pas dhe përgjegjësinë. E pikërisht këto momente në sallë mbi arkivolin me trupin e Helmut Kohlit u shfaq sërish shpirti europian, – shpirti i Bashkimit Europian – pritshmëria që mbi bazën e respektit të formësohet uniteti, ai që nuk e lejon kurrë më luftën në truallin europian. Theresa May, kryeministrja britainke, që duhet të udhëheqë Brexitin papritur nuk është më aq e rrezikshme, ajo kthehet në një person ekzotik që nuk ka ç’kërkon aty.
Kështu Helmut Kohl u ringjall edhe njëherë në Strasburg – Lamtumira u kthye në një akt të vetëkonfirmimit europian, brenda të cilit ndjehet fryma e ndryshimit. Një forcë për të cilën Europa tani ka nevojë. Një moment historik, i cili do t’i kishte pëlqyer edhe vetë Helmut Kohlit. / Deutsche Welle