Alexander Stille
Duket një fitore e matur dhe pakëz e hidhur ajo e Hillary Clintonit. Sepse nuk erdhi me një triumf në zgjedhjet primare, por përmes një beteje të gjatë. Edhe falë mbështetjes së “superdelegatëve”, ose “të brendshmëve” të Partisë Demokratike: deputetë, senatorë, udhëheqës të partisë. Do të kish fituar gjithësesi me zgjedhjet primare të Kalifornisë dhe Nju Xhersit, por ai avantazh mes “superdelegatëve” përforcon imazhin e kandidates së “establishment”-it të partisë së saj.
Askush nuk e priste që kandidimi nga Partia Demokratike do të luftohej kaq fort deri në qershor: përse u bë kaq e vëhstirë? Siç e demonstron fitorja e Donald Trumpit mes republikanëve, 2016 është një vit i çuditshëm, viti i rebelëve dhe i “të jashtmëve”. Ashtu sikurse Trumpi kanalizoi zemërimin e punëtorëve të bardhë të shtresave të mesme e të ulëta, po ashtu edhe Sandersi shfrytëzoi irritimin e të rinjve që ndihen të vënë në lojë prej të fortëve të Uoll Stritit, dhe përballen me një botë të vendeve të punës, shumë të pasigurtë.
Kandidatja e partisë fitoi sepse demokratët, duke qenë në pushtet, janë më në sintoni me gjendjen e vendit në krahasim me republikanët. Hillary ka qenë një anëtare e rëndësishme e administratës Obama. Dhe presidenti gëzon shumë popullaritet, afro 50% e amerikanëve, vërtetë shifër e lartë kjo për një njeri që ka 8 vite në pushtet. Në SHBA, norma e papunësisë është rreth 5 përqindëshit, një shifër që e kanë zili të gjithë vendet europiane. Atëherë, përse administrata Obama dhe rimëkëmbja ekonomike nuk sollën një fitore të kollajtë për Hillary Clintonin gjatë zgjedhjeve primare?
Pjesërisht sepse, rimëkëmbja amerikane ka qenë relativisht e lodhur: punësimi është rirtur, por jo pagat ndërkohë që hendeku mes të pasurve dhe të varfërve ka vazhduar të rritet. Edhe pse Hillari përfaqëson një risi historike – ndoshta do të jetë e para presidente grua – ajo duket, mbi të gjitha tek votuesit e zhgënjyer, si fytyra e politikës së vjetër: bashkëshorte e një ish presidenti, senatore, kandidate, sekretare shteti, një që ka trashëguar udhëheqjen e partisë në mënyrë dinastike falë mbiemrit. Për më tepër, Clintonët kanë qenë shumë pranë pushtetit të Uoll Stritit, aq shumë të kritikuar prej bazës së partisë dhe zgjedhësve të Sandersit: Hillary ka fituar pothuaj 3 milionë dollarë nga bankat e mëdha për 12 fjalime të mbajtur pas mandatit të saj si sekretare shteti.
E megjithatë, po të shohësh se kë duhet të mund për t’u bërë presidente…
Në shqip nga www.bota.al