Kur dëgjon të përmendet emri i tij, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu ka një ndjesi bezdie, ndoshta zemërimi. Emri i tij për të është një makth. Në të vërtetë, padroni i vërtetë i fateve të Hamasit, Khaled Meshal, i cili vendos linjat dhe strategjitë të lëvizjes integraliste palestineze, ka parë t’i kryqëzohet dy herë rruga me Netanjahun. Herën e parë, sepse kryeministri izraelit u përpoq ta vrasë me helmim në Aman. Herën e dytë, sepse u detyrua që t’i shpëtonte jetën dhe t’i dërgonte antidotin në kryeqytetin e Jordanisë. Eshtë një histori ekzemplare, pasi shpjegon edhe psikologjikisht vendosmërinë e dy armiqve të betuar.
Meshali nuk jeton në Gaza por jashtë saj. Jetesa në Rripin e Gazës, duke parë precedentët, do të ishte shumë e rrezikshme. Ky 57-vjeçar, i lindur në Cisjordani kur kjo ishte nën administrimin e mbretërisë hashemite, ishte mes themeluesve të Hamasit në vitin 1987. Por që nga Kuvaiti, ku përfundoi studimet, ai u kthye më pas në Aman. Duke ditur që truri i vërtetë i lëvizjes ishte pak kilometra larg prej Jeruzalemit, Netanjahu që ishte bërë kryeministër për herë të parë, vendosi që në shtator të vitit 1997 të dërgonte një komando të Mossadit për ta eleminuar.
I bëri keq llogaritë, sepse, ndonëse Jordania kishte firmosur marrëveshje paqeje me Izraelin, Mbreti Hussein nuk e toleroi këtë veprim.
Pesë spiunët, të maskuar si turistë me pasaporta false kanadeze, organizuan aksionin. Një burrë dhe një grua iu afruan Meshalit pranë një semafori, duke bërë gjoja sikur po i kërkonin një informacion. Burri, me shiringë e plagosi viktimën prapa veshit të majtë, duke i injektuar një helm vdekjeprurës: paralizë e menjëhershme dhe vdekje e sigurtë pas 48 orësh. Cifti u kap menjëherë nga policia, ndërkohë që tre agjentët e tjerë u strehuan në ambasadën izraelite.
Mbreti Hussein u tregua i palëkundur. I tha Netanjahut: “Ose dërgoni menjëherë antidotin e helmit, ose do të denoncoj dhe heq dorë nga marrëveshja e paqes”. Për Bibi Netanjahun ishte një shuplakë e fortë dhe e dhimbshme, por iu desh të lëshojë pe. Meshali shpëtoi. Në vijim, për të siguruar lirimin e agjentëve të fshehtë, Netanjahu pagoi një çmim shumë të lartë: iu desh të lirojë dhjetëra të burgosur palestinezë, mes të cilëve edhe udhëheqësin shpirtëror të Hamasit, sheikun Yassin, i cili për Izraelin ishte armiku më i keq. Në vitin 1999, pas vdekjes së mbretit HUssein, mbreti i ri Abdullah II vendosi ta dëbojë Meshalin. Ky i fundit shkoi në Katar dhe më pas u vendos në Siri, në Damask, prej ku e ka drejtuar lëvizjen që nga viti 2012.
Truri
Khaled Meshali, 57 vjeç është njeriu që vendos strategjinë e lëvizjes integraliste palestineze. Në fund, për shkak të luftës civile në Siri, ai është rikthyer në krahët e Katarit, mbrojtësi i tij besnik. Prej Dohas, dërgon në Gaza porositë e tij. Pa e vënë në rrezik jetën. /Antonio Ferrari /corriere.it/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL
2 minutes read