Keshilla

Histori: “Mos thuaj gjëra në inat e sipër, për të cilat më vonë do të pendohesh”

Historia që do t’ju tregojmë, është ajo e një djali që kishte një karakter tepër të vështirë. Me qëllim që ta ndihmonte për të kontrolluar inatin e tij, i ati i dha një çantë me gozhda dhe i tha: “Sa herë që ti të nevrikosesh, unë dua që të shkosh e të ngulësh një gozhdë në murin me dërrasa prapa shtëpisë”. Në ditën e parë, djali nguli 37 gozhdë në atë mur dhe me kalimin e kohës, ai kuptoi se ditë pas dite nuk e kishte më të nevojshme të ngulte aq shumë gozhdë sa në ditën e parë. Ai e pa më të arsyeshme të kontrollonte inatin e tij, se sa të dilte nga shtëpia e të ngulte gozhdë në mur.

Më në fund erdhi dhe dita, kur ai nuk e ndjeu më të nevojshme të ngulte asnjë gozhdë në mur. Në këtë moment, i ati i tha se për çdo herë që ai do të kontrollonte veten në inat e sipër, duhet të shkonte e të shkulte nga një gozhdë që kishte ngulur në mur. Djalit iu deshën muaj që të arrinte të përfundonte heqjen e gjithë gozhdëve nga muri.Ditën që i hoqi gjithë gozhdët nga muri, djali u lumturua pamasë dhe lajmëroi të atin për t’i treguar se tashmë ai mund ta kontrollonte më së miri inatin e tij.

I ati ia ktheu: “Ke bërë shumë mirë, biri im. Mirëpo shikoji pak këto dru. Ato kurrë nuk do të jenë më njësoj. Sa herë që ti ngulje një gozhdë tek ato, lije një gjurmë. Ti mund t’i ngulësh thikën dikujt dhe t’i kërkosh falje sa herë të duash, por nga ajo plagë do të mbetet një shenjë përgjithmonë”.

Morali i historisë është ky: “Kontrollo inatin tënd. Mos thuaj gjëra në inat e sipër, për të cilat më vonë do të pendohesh. Është shumë më e thjeshtë të qëndrosh i duruar dhe i qetë, se sa të përpiqesh të kërkosh falje tek dikush, të cilin e ke lënduar”.

Show More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close