Komplote

Historia e agjentit të fshehtë izraelian me emrin e koduar “Rummenigge”

Screen Shot 2015-04-23 at 21.21.11

I lindur në një familje të fuqishme shiite nga Bejruti, ishte i gatshëm për gjithçka që t’i shporrte milicët palestinezë nga vendi i tij. Kështu është bërë një agjent sekret i Izraelit dhe ka favorizuar pushtimin e Libanit në 1982

Në mesin e viteve Tetëdhjetë, shërbimet sekrete izraeliane individualizuan një fenomen të ri preokupues në Lindje të Mesme: njerëzit e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) që ushtria izraeliane e kishte përzënë nga Bejruti duke e detyruar të strehohej në Tunizi, po kthehej dalë e nga dalë në Liban. Ishte shenja se PLO-ja po riorganizohej, duke bërë të kota një prej rezultateve kryesore të luftës së parë të Libanit. Shërbimet sekrete izraeliane zbuluan se shumë eksponentë të organizatës niseshin nga kampet stërvitore në Tunizi e Libi, fluturonin drejt Qipros dhe nga aty arrinin brigjet libaneze në bordin e anijeve dhe jahteve. Trafiku detar midis Libanit dhe Qipros ishte aq intensiv sa që i pengonte izraelianët të kontrollonin të gjitha anijet në tranzit. Dikush sugjeroi një zgjidhje: “Le të thërrasim Rummenigge”.

Rummenigge ishte emri i koduar i caktuar nga shërbimet sekrete e Tel Avivit për Amin al Hajj, një prej agjentëve më të rëndësishëm të Izraelit në rajon. Rummenigge, një mysliman shiit shtatlartë, dinak dhe i paskrupull, i famshëm për mustaqet e tij të mëdha, e studioi me vëmendje problemin dhe propozoi një zgjidhje: prostituta. “Rekrutova prostituta të ndryshme të kalibrit të lartë që punonin në klubet e natës të Limasolit të frekuentuara nga eksponentët e PLO-së”, tregon Al Hajj. “Nën efektin e alkoolit dhe të grave nxirrnin gjithçka: kush vinte, kush nisej dhe çfarë rruge bënin”.

Rummenigge merrte informacione nga dhomat e hotelit e të gjithë Limasolit, të cilëve u shtonte informacionet e mbledhura nga taksistët e Qipros, nga funksionarët e doganës dhe nga burime të tjera. Pastaj ua kalonte gjithçka referentëve të tij të shërbimeve izraeliane.

Anijet e sinjalizuara nga Rummenigge ndaloheshin rregullisht nga anijet e Marinës izraeliane, që kishin në bord agjentë të Njësisë 504 të shërbimeve sekrete, të specializuar për marrje në pyetje. “Objektivi ynë ishte të kapnim, jo të vrisnim”, shpjegon një ish agjent. “Një marrje në pyetje ishte shumë më e dobishme se një kufomë”. Ai i njerëzve të PLO-së në kthim në Liban nuk ka qenë problemi i vetëm i zgjidhur nga Rummenigge. Për 30 vjet me radhë, Amin al Hajj ka qenë një prej agjentëve më të rëndësishëm izraelianë në Lindje të Mesme, në qendër të një serie të gjatë operacionesh të rrezikshme, shumë ende të mbuluara nga sekreti. Ka çuar në kapjen e qindra terroristëve dhe në gjetjen e tonelata armëve, duke rrezikuar jetën në shumë raste.

Po të dëgjosh rrëfimet e tij futesh në një botë intrigash që shpesh duken të pabesueshme. Kemi folur me figura të ndryshme të spikatura ta ambientit dhe kanë konfirmuar se Rummenigge ka marrë pjesë në operacione të shumta të dorës së parë. Disa e kujtojnë si një rebel me tendencën për t’u sjellë në mënyrë ekstravagante dhe ekzibicioniste, por të gjithë bien dakord mbi një fakt: për vite të tëra Rummenigge ka qenë një instrument themelor për Izraelin dhe ka dhënë një kontribut të madh për sigurinë e vendit.

Karamele për Imadin
Por tani Al Hajj është sërish në luftë. Jo kundër palestinezëve që kanë kërkuar shumë herë t’ia marrin jetën, jo kundër familjarëve libanezë të tij që janë pjesë e Hizballahut apo miqve të vjetër nga Bejruti që kanë nxjerrë 9 dënime me vdekje ndaj tij, por kundër vetë atyre personave për të cilët ka punuar me vite të tëra. “Izraeli më ka braktisur”, shpjegon me zemërim. “Jetoj në Izrael me një leje qëndrimi të skaduar, pa të drejta, pa sigurim mjekësor. E shtyj valë ndihmës së pak miqve që më kanë mbetur. Izraeli më ka përdorur dhe më ka flakur tej si leckë”.

I lindur në vitin 1955 në lagjen Dahiyeh të Bejrutit, Amin Abbas al Hajj vjen nga një prej familjeve më të pasura dhe më influence të komunitetit shiit libanez, më e madhja e vendit. Në Dahiyeh shumë rrugë mbajnë emrat e paraardhësve të tij. Amin është rritur në një mjedis shumë fetar dhe të lidhur me nacionalizmin libanez, në një shtëpi që priste udhëheqësit e vendit, biznesmenët e mëdhenj, qarqet më të larta fetare dhe persona të tjerë me influencë. Ka akoma foto që paraqesin krerë shtetesh dhe kryeministrash bashkë me babain e tij, mik i afërt i Presidentit properëndimor Camille Chamoun (ky më pas do të kishte një rol themelor ne jetën e Rummenigge). Gjyshja e tij jetonte në të njëjtën rrugë dhe si fëmijë Amin i bënte vizitë pothuajse çdo ditë, për të dalë pastaj e për të luajtur në rrugë me shokët. Një ditë, teksa luante, takoi një fëmijë që vite më pas do të vinte në zjarr të gjithë Lindjen e Mesme. “Një grup fëmijësh paksa më të vegjël se unë luante përpara shtëpisë së gjyshes time, në rrugën Abbas al Hajj”, kujton ai. “E dinin se gjyshja ume më jepte karamele dhe donin që t’i ndaja me ta. Atë ditë kam njohur Imadin”.

Imadi ishte Imad Mughniyeh, komandanti i ardhshëm i krahut ushtarak të Hizballahut. Edhe familja e tij ishte shiite, por shumë më pak e pasur se ajo e Amin. “Si fëmijë Imadi ishte shumë i keq. Më pas më thanë se kishte hyrë në kampin stërvitor të Forcës 17, një njësi elitare palestineze, dhe nuk jemi takuar më”. Pak vite më pas i riu Al Hajj e pa vendin e tij të zhytej në luftë civile. Në 1978 u gjend i përfshirë në një betejë nëpër rrugët e Bejrutit dhe vrau disa palestinezë të PLO- së. Qysh atëhere, mjafton fjala “palestinez” për të ndezur një flakë urrejtjeje në sytë e tij. palestinezët dhe forcat siriane që i mbështesnin vunë një çmim për kokën e tij. Chamoun nuk ishte më President, por ishte ende një figurë shumë influence në politikën libaneze dhe arriti ta fshihte Al Hajj në pjesën kristiane të qytetit.

I riu u bë bashkëpunëtor i Chamoun dhe më pas shef i truprojave të tij. u stërvit nga truprojat e Mbretit Hussein të Jordanisë. Një herë mbeti i plagosur pas një atentati kundër Chamoun. Qe një prej episodeve të shumta në të cilat Rummenigge rrezikoi jetën, edhe pse në pjesën më të madhe të rasteve ata që humbën lëkurën qenë atentatorët. “I kemi dërguar tek nënat e tyre” është shprehja që përdor ai dhe më sa duket ka dërguar shumë njerëz tek nënat respektive. Midis fundit të viteve Shtatëdhjetë dhe fillimit të viteve tetëdhjetë, Al Hajj u afrua gjithnjë e më shumë me Chamoun dhe me lidhjet klandestine midis kristianëve libanezë dhe Izraelit. “Familja Chamoun kishte besim të madh tek Amin dhe i besoi një pjesë të raporteve me Izraelin”, tregon një burim i Njësisë 504. “Mendonim se ishte një mundësi e mirë për t’u afruar me të”. Fakti që Al Hajj u gjend në një pozicion kaq strategjik, që urrente palestinezët dhe që kishte njohje të shkëlqyera në Liban e bënte një kandidat për shërbimet sekrete izraeliane. Oficerët e Njësisë 504 filluan të përfitojnë nga takimet në të cilat ai merrte pjesë si përfaqësues i Chamoun për ta afruar, deri sa arritën ta rekrutojnë. “në fillim u thoja thjesht atë që dija. Ndonjë thashetheme, histori të mbledhura andej këtej dhe informacione të tjera lidhur me PLO-në”, tregon ai. “Por në çdo takim donin të dinin më shumë”.

Pak më vonë Al Hajj mori emrin e koduar që do ta shoqëronte për vite të tëra. Caktimi i emrit të koduar është një vendimtar për agjentin. Objektivi është që të ndahet identiteti i vërtetë i burimit dhe personi që i merr informacionet e tij, në mënyrë që të ruhet siguria e të parit dhe raportet e tij me Izraelin. Për këtë arsye, një burim mund të ketë emra të koduar të shumtë, sipas llojit të provave që jep, nga kush i analizon apo nga organizata për të cilën vepron në një kontekst të veçantë. Sipas një prej eprorëve të parë të Al Hajj, “është selia qendrore e Njësisë 504 ajo që i zgjedh emrin, pothuajse gjithmonë rastësisht. Por unë doja të bëja diçka të ndryshme. Isha tifoz i madh i Bayern Munchen dhe në atë periudhë të bëje tifozllëk për skuadrën gjermane nuk ishte normale. Shumë miq e kishin me mua sepse guxoja të mbështesja diçka që ishte e lidhur me Gjermaninë. Kështu që vendosa t’i sfidoja dhe të nderoja lojtarin tim të preferuar, Karl-Heinz Rummenigge. Veç të tjerash, ai dhe Al Hajj kanë lindur në të njëjtin vit”.

Dhe kështu, me emrin e koduar të pazakontë, Amin al Hajj u bë një spiun i Izraelit. “Me kohë, informacionet e mia nuk mjaftonin më dhe mu desh të organizoja një rrjet informatorësh në të gjithë Libanin”, tregon ai. “U jepja pak lekë disa djemve dhe ato shkonin vërdalliseshin për llogarinë time. Me izraelianët kishin një marrëveshje speciale për komunikimet. Ata më telefononin në zyrën e Chamoun nga Qipro dhe më thonin se donin të më takonin. Kur isha unë që doja ti kontaktoja, merrja numrin e Qipros dhe u thosha se isha “dhelpra e vjetër”. Pastaj hipja në një jaht të familjes Chamoun dhe takohesha me ata të Njësisë 504 në një anije të Marinës izraeliane”. Para luftës së 1982, Njësia 504 merrej kryesisht me aktivitetet e PLO-së në Liban dhje mblidhte informacione lidhur me numrin e efektivave dhe vendndodhjet e qendrave të kontrollit të grupit. Por me kohë rrjeti i krijuar nga Rummenigge u zgjerua. Al Hajj mund të mbështetej mbi dy burime të rangut të lartë brenda Al Fatah (të quajtura Rummenigge3 e Rummenigge4), që i kalonin informacione në këmbim të parave. Rummenigge betohet se paratë vinin nga xhepat e tij dhe nuk ka kërkuar kurrë që të rimbursohej. “Qemë të gatshëm ta paguanim shtrenjtë”, konfirmon një prej referentëve të tij të Njësisë 504. “Por ai ka refuzuar gjithmonë. Nje herë ka përplasur grushtin në tavolinë dhe ka thënë se po të vazhdonim të këmbëngulnim, do t’i ndërpriste raportet me në. “Jam patriot libanez”, na tha. “E bëj sepse ndihmoni Libanin të shpëtoja nga këta qenë të mallkuar (palestinezët). Nuk kam nevojë për paratë tuaja””. “E kam ndihmuar izraelin sepse mendoja se ishte forca e vetme në gjendje që të luftonte palestinezët”, shpjegon Rummenigge. “Doja që Izraeli të hynte në Liban dhe ta flakte tej PLO-në”. Në një moment të caktuar rrjeti i ndërtuar nga Al Hajj arriti të numërojë 15 agjentë dhe në qershor të 1982, kur Izraeli pushtoi Libanin, rezultoi fondamental.
Në atë kohë Al Hajj përdorte si koperturë një treg të vogël fruta – perimesh në Achraieh (një lagje kristiane në Bejrut). Përpara pushtimit, Mossadi kishte zgjeruar lidhjet me një forcë tjetër të rëndësishme të Libanit, Falangën Kristiane të komanduar nga Bashir Gemayel. Rummenigge nuk i pëlqenin aspak. “Bërja aleat me Gemayel dhe të tijët ka qenë një gabim trashanik. Nuk kishin asnjë skrupull e asnjë moral dhe në fund kanë shkaktuar vetëm probleme. Kur izraelianët kanë pushtuar Libanin, Falanga ka hyrë në Sidone dhe ka filluar të plaçkisë dyqanet e palestinezëve dhe përdhunuar gratë e tyre. Izraeli nuk do të duhej ta lejonte”.

Samiri nuk duhet të flasë
Nga fundi i 1982, kur pjesa më e madhe e eksponentëve të PLO-së kishte lënë Libanin për t’u strehuar në Tunizi dhe ushtria izraeliane tërhiqej drejt jugut, natyra e operacioneve të inteligjencës izraeliane kundër organizatave palestineze ndryshoi në mënyrë drastike. E njëjta gjë ndodhi me jetën e Rummenigge, i cili u largua nga Chamoun dhe u bë biznesmen. Eksportonte automobila, pije, cigare dhe kripë nga Izraeli, aktivitet që i mundësoi të bënte një pasuri jo të vogël. Dikush theksonte se kjo punë ishte një koperturë për trafikun e drogës, gjë që Rummenigge e hedh poshtë. Gjithsesi, shërbimet sekrete izraeliane vazhduan që të përfitonin prej tij, pavarësisht se nuk sillej me diskrecionin që pritej nga një bashkëpunëtor i Izraelit. “Mburrej vazhdimisht dhe ishte arrogant në mënyrë të padurueshme”, kujton një agjent i Njësisë 504. “Nuk humbte rast për t’i kujtuar të gjithëve sesa i pasur ishte. Përdorte makina sportive dhe dilte me femra shumë të bukura. Kishim frikë për ta takuar në publik sepse tërhiqte gjithmonë vëmendjen. Vinte në takime më një Mercedes 500 Sel të zi, ndërsa eprori i tij vinte me një Renault 4 shkatarraqe”.

Por Izraeli kishte ende nevojë për të dhe kështu aktiviteti tregtar i tij u transformua në një shërbim inteligjence. Rummenigge angazhoi marinarë që mblidhnin informacione në portet ku Izraeli nuk kishte akses. Disa prej anijeve të tij përdoreshin nga PLO-ja për të transportuar persona dhe armë dhe Al Hajj mblidhte informacione mbi organizatën për t’ua dorëzuar më pas izraelianëve. Një prej kapitenëve që punonin për Rummenigge ishte Samir Ashari (Rummenigge 13), që rezultoi një burim informacioni jashtëzakonisht i dobishëm. “Në atë kohë shumë palestinezë shkonin për t’u stërvitur në Libi e në Tunizi”, tregon Al Hajj. “Samiri na i referonte të gjitha detajet dhe shumë anije u kapën nga Marina izraeliane”. Kjo pjesë e historisë përfundoi shumë keq. PLO-ja filloi të dyshojë për Ashariin dhe në gusht të 1985 u kap në Bejrut. “Më telefonuan nga anija dhe e kuptova se Samiri e kishte ngrënë”, tregon Rummenigge.

“Një njeri i besuar i imi ndoqi rrëmbyesit dhe më tha se e kishin çuar në një shtëpi në kampin e refugjatëve Ain el Hilweh për ta pyetur. Samiri dinte jashtëzakonisht shumë gjëra dhe njihte lidhjet tona me Izraelin. Nëse do të fliste, shumë të tjerë do të rrezikonin vdekjen. I telefonova Njësisë 504 dhe i shpjegova gjithçka. I dhashë koordinatat e saktë të vendit ku po e merrnin në pyetje. Pak më vonë një avion izraelian bommbardoi shtëpinë duke i vrarë të gjithë, përfshi të shkretin Samir. Allahu pastë mëshirë për të. Më ka ardhur jashtëzakonisht shumë keq për të, ishte një mik i mirë, por nuk kishim zgjedhje”.

Misionet më komplekse u bënë specialiteti i Rummenigge. Operacioni i prostitutave në Qipro nuk kufizohej tek dhomat e gjumit. Rummenigge bleu një kompani detare që operonte me dy anije në linjën Larnakë – Bejrut. “E dija se njerëzit e PLO-së i përdornin këto anije për t’u postuar. Sapo e bleva kompaninë, dhashë urdhër që të zbarkohej në njërën prej anijeve, të quajtur “Maria R”, numri më i madh i personave për udhëtimin e ardhshëm”.

Natën e 6 shkurtit 1987 rreth 50 eksponentë të PLO-së u hipën në bordin e “Maria R”. 50 kilometra në nga gjiri i Bejrutit, anija u rrethua nga Marina izraeliane. Pasagjerët u transferuan të strukturat nëntokësore e Njësisë 504 për marrje në pyetje. Por nuk shkoi gjithçka sipas planit. Ndalimi i “Maria R” shkaktoi alarm në zyrat e PLO-së në Larnakë dhe palestinezët zbuluan se Al Hajj ishte pronari i kompanisë. Dy vrasës kërkuar që ta vrisnin në Limasol, përpara hotelit ku rrinte. Rummenigge dhe e shoqja u arratisën nga Larnaka në bordin e një kroçiere të drejtuar për në Haifa dhe nga aty u transferuan në Hilton të Tel Avivit.
Kopertura e anijeve ishte zbuluar, por palestinezët kishin akoma nevojë ta arrinin Libanin. Izraeli zbuloi se PLO-ja kishte afruar një agjent detar qipriot me emrin Naoum për të kërkuar që të koordinojnë spostimet e klandestinëve. Në fillim drejtuesit e Shin Bet-it provuan që ta rekrutojnë Naoum, por pa sukses.

Pastaj i kërkuan Rummenigge që të merrej me këtë punë. Naoum u ftua nga Al Hajj në Hotelin Intercontinental të Athinës. Për habinë më të madhe të qipriotit, në takim i paraqitën edhe agjentët e shërbimeve sekrete izraeliane. Rummenigge mori fjalën dhe i bëri Naoum një ofertë që nuk mund ta refuzonte. “Arriti në takim me një 24 orësh”, kujton Rummenigge. “E pyeta “Çfarë është kjo? Ku është valixhja jote?”. “Nuk e kam sjellë sepse nuk kam ndërmend të ndalem. Kthehem në Qipro sonte në darkë”, u përgjigj ai. “Do të qëndrosh këtu deri kur do të duan këta persona”, i thashë. “Dhe do t’u japësh gjithçka që duan, përndryshe të dërgoj në kroçierë pa anijen””.

Ndërkohë rrjeti qipriot i Rummenigge vazhdonte të zgjerohej. Një o afërm i njërit prej informatorëve të tij posedonte një restorant në Athinë të frekuentuar nga funksionarët e PLO-së dhe shpejt lokali u bë qendra e një aktiviteti intensiv për llogari të shërbimeve sekrete izraeliane. Më vijim u zbulua se djali i një informatori ishte përfshirë në një marrëdhënie të stuhishme homoseksuale me një prej financuesve kryesorë të Al Fatah. Konfidencat e njeriut i mundësuan izraelianëve që të zbulonin sistemet e ndërlikuara e financimit të organizatës. Pas këshillës së Rummenigge, shërbimet sekrete izraeliane vendosën që të mos ia zbulojnë informatorit orientimin seksual e të bërit, “pasi përndryshe do ta kishte vrarë në vend”. Probleme në familje

Pas ndodhisë së Maria R, Al Hajj u bë më pak diskret për sa u përket lidhjeve të tij me Izraelin. Ndërtoi një kompleks luksoz zyrash në kufirin midis Libanit e Izraelit dhe nga aty filloi të koordinojë aktivitetet tregtare të tij. për të mos qenë shumë larg nga zyra, Rummenigge mori me qera një kat të tërë në një pallat në Nahariya, qytet izraelian pak kilometra larg nga kufiri, ku u transferua me familjen e zgjeruar të tij. Por disa të afërm të tij që qëndruan në Liban e paguan çmimin e zgjedhjes së ti. Një prej vëllezërve të tij u arrestua nga shërbimet sekrete siriane dhe vdiq gjatë marrjes në pyetje. Një vëlla tjetër u hodh nga një taracë pallati në Kajro.

Ndërkohë Hizballahu ishte bërë një forcë e dorës së parë në Liban. Sipas Rummenigge, Izraeli është përgjegjës për ngjitjen e organizatës. “Izraelianët vendosën që të luajnë gjithçka mbi raportet me kristianët”, shpjegon ai. “Kur pushtuan Libanin, shiitët i pritën me buqeta me lule. Por pastaj izraelianët i trajtuan si qenar dhe kjo ka hedhur bazat për lindjen e Hizballahut”.

Shumë familjarë të Al Hajj kanë mbajtur pozicione të rëndësishme në brendësi të Hizballahut. Disa prej të afërmve të tij shkruan një artikull në një gazetë të lidhur me organizatën për të shpallur përzënien e Al Hajj nga familja. Ai e di se nuk do të mund të kthehej kurrë në Liban, por në fund të viteve Tetëdhjetë hyn në konflikt me shërbimet sekrete izraeliane. Në qendër të kësaj çështjeje ishte një urdhër për disa automjete të destinuar për Njësinë 504, për të cilat Al Hajj nuk i kishte marrë paratë e dakorduara. E çoi çështjen në gjyq, por e humbi çështjen.

Qysh atëhere, gjërat i kanë shkuar nga keq në nuk ka më keq. Rummenigge u akuzua se kish falsifikuar pashaportën e tij. “Ishte një pashaportë libaneze që kisha vazhduar ta rinovoja me miratimin e Njësisë 504”, tregon ai. “Më pas, vetëm pse qenë zemëruar me mua, më kanë thënë se ishte e paligjshme”. Rummenigge u arrestua dhe u burgos për disa ditë, por u lirua kur disa eksponmentë të shërbimeve sekrete konfirmuan se ia kishin autorizuar. Në vijim Al Hajj ka përfunduar sërish në bela prej blerjes së një peshkarezhe që ju konfiskua nga autoritetet egjiptiane. Shkoi në Egjipt për të zgjidhur çështjen, por u arrestua nga egjiptianët, që e kërcënonin ta depërtonin në Liban. Al Hajj ju drejtua disa parlamentarëve izraelianë që kishin qenë pjesë e shërbimeve sekrete dhe vetëm kështu u autorizua që të kthehej në Izrael.

Qysh atëhere nuk ka mundur më të largohet nga vendi. E shtyn me një leje qëndrimi të përkohshme të skaduar, pa mjete që të mbajë veten dhe i zemëruar me të gjithë botën. Pak muaj më parë ka pasur një infarkt dhe është shtruar në spital, ku gjendet akoma sot. Merr kurat për të cilat ka nevojë nga mjekë që e dinë të kaluarën e tij dhe kanë urdhëruar shtrimin e tij pavarësisht se nuk ka sigurim mjekësor. “Nuk arrij ta kuptoj se pse më trajtojnë në këtë mënyrë pas gjithë asaj që kam bërë për ta”, thotë nga shtrati i spitalit.

“Janë të shumtë ata që kanë arsye të mira për t’u ankuar prej tij”, shpjegon një prej referentëve të vjetër të tij. “Por sikur të kishte qenë shenjt nuk do të mund ta ndihmonin. Janë pikërisht njerëzit si ai që kërkojmë. Fakti që e kanë braktisur është një turp i vërtetë”.

Në përgjigje të protestave të Al Hajj, zyra e Kryeministrit, përgjegjëse për menaxhimin e Mossadit, ka lëshuar komunikatën e mëposhtme: “Në 1995 është përcaktuar se Amin al Hajj ka të drejtën e asistencës për bashkëpunëtorët e forcave të sigurisë, por duke qenë se i ka ndërprerë kontaktet e tij me administratën, procedura lidhur me statusin e tij në Izrael nuk është kompletuar. Nëse Al Hajj do të paraqitet për ta zgjidhur praktikën, do të ishim të gatshëm ta rishqyrtonim”. Por ndryshe nga sa ka deklaruar zyra e Kryeministrit, Rummenigge thekson se nuk e ka ndërprerë kurrë praktikën për njohjen e aktivitetit të tij prej agjenti, thjesht sepse ajo nuk është nisur asnjëherë.

Biografia
◆ 1955 U lind në Bejrut të Libanit.

◆ 1978 Fillon të punojë për ish Presidenti libanez Camille Chamoun dhe të bashkëpunojë me shërbimet sekrete izraeliane.
◆ 1982 Ndihmon ushtrinë izraeliane të përgatisë pushtimin e Libanit.

◆ 1987 Organizon kapjen e 50 eksponentëve të PLO-së. (nga Ynet)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button