Sport

Historia e çuditshme e Halldorsonit, regjisori që shtangu Mesin

Gardiani i Islandës nuk është i aftë vetëm me pritjen e topave, por dhe me artin e kamerës

Hanes Halldorson ishte heroi i skuadrës islandeze në takimin e djeshëm ndaj Argjentinës. 34-vjeçari u bë protagonist i disa pritjeve, që kulmuan me pritjen e 11-metërshit të ekzekutuar nga pesë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Mesi. Por, shtatlarti islandez ka në bagazhin e aftësive të tij, diçka krejtësisht unike nga të gjithë futbollistët në planetin tokë, pasi ai është gjithashtu një regjisor reklamash me famë të madhe në vendlindjen e tij.

KATËR VITE SI PROFESIONIST
Kinematografia ka qenë një ndër pasionet e Halldorson që në fëmijëri, por natyrisht, futbolli është dashuria e tij më e madhe. Një fakt tjetër interesant për të është se ai filloi të luante si profesionist vetëm katër vite më parë në moshën 30-vjeçare, pasi në të shkuarën, islandezi ka luajtur për vite me radhë në kategoritë e ulëta të futbollit islandez.

Nje histori për filma, sepse në moshën 14-vjeçare Halldorson nxori shpatullën dhe për 5 vite nuk luante dot futboll normalisht, aq sa u detyrua të operohej dhe nuk u bë asnjëherë pjesë e ekipeve të moshave tek Islanda. Mendoi të linte futbollin, por babai i tij e nxiti që në moshën 20-vjeçare re provonte sërish. Shkoi tek Leiknir, klub i divizionit të tretë, që e kishte shumë pranë shtëpisë. Një sezon në stol, derisa në javën e fundit të sezonit do të vinte shansi i jetës, ndeshja e parë në formacion: ishte 5 shtator 2004, Leiknir priste Vikingur Olafsvik dhe ishte finale për ngjitjen një kategori më lart. Leiknir ishte i dyti, një pikë mjaftonte, ndërsa Halldorson gjeti formacionin pa dashje, sepse portieri titullar doli me karton të kuq ndeshjen paraardhëse. Në ndeshjen e jetës Halldorson e katranosi, në fundin e takimit bëri një gafë që vulosi fitoren 2-0 të Vikingurit ndërsa Halldorson mendoi sërish të linte futbollin. Po merrej me video këngësh që po korrin sukses në Islandë, futbolli nuk i duhej, por sërish babai nuk e lejoi të braktiste gjithçka, edhe pas një aksidenti që i kushtoi një të çarë të frikshme në dorë.

Halldorson mori në telefon gjithë trajnerët e kategorive të ulëta dhe fati i buzëqeshi, Afturelding e punësoi, ndoshta duke mos i parë lajmet, ku flitej për gafën e portierit fatkeq. Me kalimin e kohës ai arriti të bëhej titullar dhe të spikaste, derisa e punësoi Stjarnan, klub i rëndësishëm në elitë, që e paguante rreth 250 euro në muaj. Pas Stjarnanit erdhi kalimi te KR, klubi më i madh në Islandë, ndërsa në vitin 2011 erdhi grumbullimi i parë në kombëtare, sepse vetëm një portier luante jashtë Islandës.

Duhet kujtuar se edhe në divizionin më të lartë të piramidës së futbollit islandez, shumica dërrmuese e lojtarëve luanin si gjysmë-profesionist, sepse kostoja e lartë e jetesës në shtetin nordik e bënte të pamundur një jetesë të kënaqshme me anë të këtij sporti. Falë aftësive si regjisor, Halldorson filloi të punonte me televizione dhe kompani të ndryshme, kryesisht me drejtimin e spoteve televizive, dhe maja e tij ishte drejtimi i klipit të këngës islandeze në Eurovizionin e vitit 2012. Ndërkohë, paraqitjet e mira me kombëtaren tërhoqën vëmendjen e ekipeve nëpër Europë dhe shumë shpejt drejt tij erdhën oferta me paga që i mundësonin më në fund të siguronte një jetesë të kënaqshme vetëm si profesionist. Megjithatë, ai nuk mund ta harronte profesionin e vjetër, dhe pas katër vitesh pauzë i është rikthyer regjisë me një bashkëpunim me filialin islandez të kompanisë së famshme të pijeve energjetike Coca-Cola, me të cilën ka drejtuar një spot televiziv enkas për Botërorin Rusi 2018, ku janë shfaqur edhe tifozë të ndryshëm të grupimit më të madh të tifozëve të kombëtares.
“ËNDËRR E BËRË REALITET”
Mbas ndeshjes 34-vjeçarit iu dhurua çmimi “Njeriu i Ndeshjes”, dhe në intervistën gjatë marrjes së çmimit, gardiani tha: “Pritja e penalltisë në një Botëror është një ëndërr që mu bë realitet, dhe kjo bëhet akoma më e rëndësishme, pasi na ndihmoi për të siguruar një pikë që na çon akoma më pranë objektivit tonë për të kaluar grupin. I kisha bërë detyrat e shtëpisë, kam parë shumë penallti të Mesit dhe prandaj vendosa të hidhesha në të djathtën time”.

Leave a Reply

Back to top button